Politika

Mediu: Jo deputetë të emëruar. Të ndryshojë sistemi, lista të hapura

Pas reformës në drejtësi, Partia Republikane vlerëson si nevojë urgjente ribërjën e ligjit zgjedhor. Deputetët nuk mund të emërohen nga kryetarët e partive, tha Fatmir Mediu, por të zgjedhen drejtëpërdrejtë nga populli, duke kërkuar kështu ndryshimin e sistemit dhe aplikimin e listave të hapura.

Për kreun e republikanëve, Fatmir Mediu, qeverisja Rama-Meta është më e keqja dhe më e paafta në 25 vitet e fundit.

Këtë ai e tha gjatë një takimi me drejtues të kësaj force politike në qarqe dhe rrethe. Për Mediun, reforma në drejtësi është hapi themelor për rikthimin e shtetit brenda kuadrit ligjor, që sipas tij, duhet të pasohet nga reforma zgjedhore.

“Mendoj që një gjë është më thelbësore se çdo gjë tjetër, zgjedhje të lira e të ndershme, prioritet i prioriteteve. Ne kemi kërkuar si elementin më të domosdoshëm identifikimin elektronik të votuesve, votimin elektronik dhe numërimin elektronik. Një Parlament përfaqësues nuk mund të jetë një Parlament i emëruar nga kryetarët e partive. Pra, duhet të jetë një Parlament ku konkurohet me lista të hapura“, deklaroi Mediu.

Një tjetër problem për Mediun është edhe financimi i fushatës. Këtu Partia Republikane bashkohet në qëndrimin e Partisë Demokratike për financimin e saj nga buxheti.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button