Meksi: Fullani kishte dorë të lirë në BSH
Dëshmitë
Pyeten dy anëtaret e Këshillit Mbikëqyrës: Guvernatori nuk raportonte në KM abuzimet
Nga Sokol Çobo
Ish-deputetja e Partisë Socialistë, Ermelinda Meksi, aktualisht anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ka dëshmuar dje e para në Prokurorinë e Tiranës për skandalin e supervjedhjes në Thesarin e Shtetit në Linzë. Megjithëse zonja Meksi e konsideroi dëshminë “sekrete”, burimet nga akuza qendrore pohojnë se ajo ka qenë e para që ka “kryqëzuar” guvernatorin Fullani. Para prokurorit Ramadan Troci dhe oficerit të policisë gjyqësore, Elidon Hysenaj, Meksi pohoi se Fullani kishte dorë të lirë në Bankën e Shqipërisë, madje nuk diskutonte asnjëherë në Këshillin Mbikëqyrës abuzimet e konstatuara. Për rreth 90 minuta, Meksi ka shpjeguar urdhrat dhe rregulloret që janë shkelur nga krerët e Bankës së Shqipërisë, kryesisht nga guvernatori dhe nga kryeinspektorja
Dëshmia e Meksit
Anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës në Bankën e Shqipërisë është paraqitur dje në orën 09:00 në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa e cilësoi vjedhjen e repartit X në Linzë si një ngjarje tepër e rëndë dhe se për këtë, përgjegjësi direkte administrative ka titullari i kësaj banke, Ardian Fullani. “Guvernatori Ardian Fullani ka pushtet të pakufizuar dhe që s’e ndalon askush të kryejë kontrolle dhe monitorojë punën në bankën qendrore”, mësohet se ka thënë Meksi në Prokurori, ndërsa ka shpjeguar se këto kontrolle, nuk janë kryer as nga vartësit e tij, por edhe as nga Fullani. “Fullani edhe kur ka qenë në dijeni të rasteve me shkelje dhe abuzimeve, nuk i ka raportuar ato për diskutim në Këshillin Mbikëqyrës me qëllim nxjerrjen e rregulloreve dhe udhëzimeve, që do të ndalonin vjedhjen e parave”, është një tjetër fakt i thënë nga Meksi në prokurori.
Dëshmia e Ermelinda Meksit konsiderohet nga prokuroria si më e plota, prej nga ku mund të kërkohen përgjegjësit që sollën skandalin e vjedhjes së 713 milionë dollarëve nga Thesari i Shtetit. Në dëshminë e saj, Meksi nuk ka lënë pa përmendur dhe pozicionin e inspektores së përgjithshme, Elivar Golemi, e cila për tre vite me radhë nuk ka respektuar ligjin për organizimin dhe funksionimin e BSH. Sipas Meksit, dyshohet se kjo shtetase në disa raste ka mashtruar me raporte të ndryshme Këshillin Mbikëqyrës, duke anashkaluar realitetin që ndodhte në BSH.
Ndërkohë, pas dëshmisë, Meksi nuk ka pranuar të shprehet për mediat duke u mjaftuar vetëm me fjalinë: “Iu përgjigja një ftese të prokurorisë për bashkëpunim. Lidhur me këtë çështje dhe në respekt të hetimit kërkoj mirëkuptimin tuaj, më shumë se kaq unë nuk mund të them”.
Pyetet Ela Golemi
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje edhe anëtaren tjetër të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Menjëherë pas Meksit, Golemi ka dëshmuar rreth udhëzimeve dhe rregulloreve të miratuara nga Këshilli, madje edhe diskutimet. Mësohet se ajo ka qëndruar për rreth një orë para prokurorit Ramadan Troci, ndërsa dëshmia duket se ka konfirmuar thëniet e zonjës Meksi. Pra, Banka e Shqipërisë, nuk diskutonte në Këshill problemet që haseshin, apo nuk nxirreshin udhëzime dhe rregullore, që mund të parandalonin supervjedhjen në Thesarin e Shtetit.
Drejtori juridik
Dëshmi me interes të hetimeve ka dhënë edhe drejtori juridik i Bankës së Shqipërisë, Altin Naçi. Mësohet se Naçi i ka paraqitur grupit hetimor një sërë dokumentesh nga Banka e Shqipërisë, ku shpjegonte të gjitha rregulloret dhe udhëzimet, e miratuara apo të lëna në harresë nga Fullani. Akuza pohon se Naçi u ka paraqitur një dosje hetuesve, ku detajonte pikërisht këto udhëzime.
Ish-inspektorja
Për llogari të hetimeve, prokurorët pyetën ish-inspektoren e përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, Teuta Baleta. Administrimi i dëshmisë së saj, erdhi pas seancës dëgjimore që ajo pati në Komisionin e Ekonomisë me deputetët e Kuvendit. Ajo ka hedhur akuza të forta mbi drejtuesit e Bankës së Shqipërisë dhe Këshillin Mbikëqyrës se kanë dobësuar me qëllim strukturat e kontrollit. Zonja Baleta listoi një sërë veprimesh, përmes të cilave kupola drejtuese e bankës ka penguar kontrollin financiar.
“Nuk u zbatua programi i propozuar për trajnimin e inspektorëve, një rekomandim që e kishte lënë me forcë edhe FMN. Gjithashtu, pata vonesa në strukturimin e departamenteve të kontrollit. Kjo u vonua për 1 vit e gjysmë pa dhënë asnjë sqarim përse”, ka deklaruar Baleta. Madje, sipas Baletës, si Këshilli Mbikëqyrës ashtu dhe drejtuesit ekzekutivë të saj, në shkelje flagrante të ligjit kanë cenuar kompetencat e inspektorit të përgjithshëm, duke arritur deri në pushimin e punonjësve të saj, edhe pse departamenti i kontrollit është i pavarur nga drejtimi i bankës. “Drejtimi në BSH nuk e ndërtoi mekanizmin e kontrollit të rrezikut. Kjo shërbeu që në strukturat e bankës të shtohej kundërshtimi i rekomandimeve, duke bërë që ato të ktheheshin në struktura vendimmarrëse”, ka saktësuar Baleta.
ore Tema na habitet fare ! te gjithe thone 713 milione leke ju po thoni 713 milione dollare !!??? Ndoshta ..