Ekonomia

Mësuesit dhe policët, sa rriten pagat sipas profilit të punës

Nga 1 marsi i vitit të ardhshëm, pagat për arsimtarët, mjekët, infermierët dhe punonjësit e Policisë do të pësojnë rritje. Pagat e buxhetorëve do të rriten 7 për qind, ndërsa rrogat e ulëta në shtet do të rriten 36,3 për qind, apo 8 mijë lekë në muaj.

Fondi që qeveria do të shpenzojë për rritjen e pagave do të jetë 6,2 miliardë lekë për 10 muaj, ndërsa në nivel vjetor llogaritet të alokohet 7,5 miliardë lekë.

Përfitues të rritjes së pagës do të jenë 89 mijë punonjës, nga të cilët 38 mijë arsimtarë dhe 11 mijë punonjës policie.

Politika e re për rritjen e pagave të buxhetorëve është përcaktuar në relacionin e ligjit të buxhetit, ndërsa gazeta zbardh vendimin me masën e rritjes së pagave, sipas kategorisë dhe punonjësit që përfitojnë. Qeveria përcakton që politika e rritjes së pagave të bëhet e diferencuar, duke i dhënë prioritet kryesisht pagës minimale, pagës në sistemin arsimor dhe shëndetësor, pagës së administratës publike, si dhe pagës së punonjësve në sistemin e Policisë së Shtetit.

Mësuesit

Rritja e pagës në sistemin arsimor publik parauniversitar dhe universitar do të jetë 10 për qind. Numri i përfituesve është gjithsej 38 000 punonjës në sektorin e arsimit. Fondi i parashikuar për t’u akorduar për këtë qëllim arrin në 1.8 miliardë lekë. Gjithashtu, kjo rritje page do të financohet nga buxheti i shtetit edhe për 8000 punonjës të tjerë mësimorë, që janë në varësi të bashkive, duke shtuar financimin e grandit në masën 500 milionë lekëve.

“Objektiv është që pagat të jenë më të lartat në rajon, jemi pranë këtij objektivi, kapërcejmë ndonjë vend por objektivi mbetet që pagat më të mira në rajon t’i kenë mësuesit, mjekët, infermierët e policët shqiptarë”, është shprehur kryeministri Edi Rama, disa ditë më parë, teksa ka folur edhe për sistemin e punësimit, duke u ndalur edhe në emërimet që bëhen prej 2 vitesh në arsim, me një sistem krejt të ndryshëm nga ai që ka gjetur kur erdhi në pushtet.

Policët

Nga janari, pagat e punonjësve të policisë, do të rriten me 17 për qind (në lekë +10.070).

Lajmi i mirë për punonjësit e Policisë së Shtetit është dhënë më herët edhe nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, gjatë aktivitetit “Policia e Gjeneratës së Re”. “Paga e inspektorit në vitin 2017 bëhet 69 mijë lekë, pra krahasuar me vitin 2013, rritet 45 për qind. Rritja e pagës për të dytën herë brenda 3 vitesh, është investimi më i mirë qeverisë për të mbështetur punonjësit e Policisë së Shtetit”, ka deklaruar Saimir Tahiri. Ndërkohë, sipas tij, vendosja e taksës progresive në vitin 2013, ndikoi në rritjen e pagës neto të punonjësve të nivelit bazë të policisë mesatarisht me 2.3 për qind. Ndërsa me pagat e nivelit bazë ndikoi në një rritje me 5 për qind. “Gjatë vitit 2014 u rritën pagat me 25 për qind për punonjësit e Policisë së Shtetit duke hedhur një hap shumë të rëndësishëm në përmirësimin e trajtimit financiar për punonjësit.

Në atë vendim, paga e punonjësit të policisë të nivelit bazë nga 45 600 lekë u bë 57 100 lekë. Nga ana tjetër me ligjin e i ri të Policisë së Shtetit parashikuam rritjen e pagës për efekt të vjetërsisë në punë, dhe kjo filloi që në mars të këtij viti. Kjo sjell përsëri një shtesë me 5 për qind në pagat e punonjësve të policisë”, theksoi Tahiri gjatë fjalës së tij.

Po ashtu, ministri deklaroi se deri në vitin 2013, për mbi 2 vjet, punonjësve të policisë, kryesisht punonjësit e Forcave Speciale nuk u paguheshin orët jashtë orarit të punës. “Përveç pagave të ulëta deri në 2013, për 2 vite me radhë punonjësve të Policisë së Shtetit, kryesisht punonjësve të Forcave Speciale, nuk u paguheshin orët jashtë orarit, dietat, shpërblimet për largësinë nga vendi i detyrës. Ne shlyem të gjitha detyrimet e prapambetura për punonjësit e Policisë së Shtetit në masën 325.9 milionë lekë (2.2 milionë euro) që qeveria e kaluar i kishte borxh punonjësve të policisë dhe ndërkohë sot që flasim orët jashtë orarit, dietat dhe shpërblimet jepen menjëherë”, tha ai.

Ndryshimet

Punonjësit e Policisë

11 mijë punonjës të policisë të nivelit bazë do të përfitojnë rrogë 69 000 lekë, nga 57 750 lekë që marrin aktualisht.

Paga neto e inspektorit të policisë në 2013-n ishte 40 mijë lekë, sot është 48500 lekë dhe rritja e saj në vlerë shkon 8200 lekë.

Sot, familja e një dëshmori përfiton menjëherë 10 paga, sipas nivelit të detyrës dhe një pension të përjetshëm.

Grada më e ulët në polici, në vitin 2013 merrte 46 000 lekë, sot paguhet mesatarisht 56 000 lekë, ndërsa nga marsi do të marrë 68 000

Për inspektorin e policisë, 15.3 për qind paga bruto, në një rritje çmimesh 4.7 për qind, që do të thotë fuqia blerëse e inspektorit në familje është rritur me 10.6 për qind.

Profili                                               Ishte      Bëhet
Edukatorët                                        32000      35200
Mësues nën 10 vite përvojë          35000      35800
Mësues në arsimin bazë               54000      59400
Mësues në arsimin e mesëm       60000      66000
Paga mesatare e mësuesve           53000      58300
Docent                                              80000      88000
“Profesor”                                         95000       104 500

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button