Politika

Meta-Lohela:Me rëndësi avancimi me zbatimin e reformës kyçe të drejtësisë

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, në vijim të vizitës zyrtare në Finlandë, u prit sot nga kryetarja e parlamentit finlandez,  Maria Lohela më të cilën vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve.

Meta dhe Lohela shprehën vullnetin e përbashkët për intensifikimin e shkëmbimeve ndërparlamentare përmes grupeve të miqësisë dhe komisioneve reciproke parlamentare dhe theksuan se dy parlamentet duhet të punojnë më ngushtë për ta ngritur më lart nivelin e bashkëpunimit, veçanërisht në fushat e arsimit, turizmit dhe shkëmbimeve ekonomike.

Në këtë drejtim u theksua rëndësia e angazhimit të parlamentareve të rinj në të dy vendet duke marrë në konsideratë perspektivën e forcimit të lidhjeve njerëzore mes dy vendeve tona dhe potencialet e bashkëpunimit dypalësh.

Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Finlanda dhe Parlamenti i saj i kanë dhënë Shqipërisë në integrimin e saj evropian dhe vuri në dukje rëndësinë e avancimit me zbatimin e reformës kyçe të sistemit të drejtësisë dhe prioriteteve të tjera të nevojshme për qytetarët shqiptarë.

Dy zyrtaret diskutuan gjithashtu edhe mbi zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit dhe nënvizuan rëndësinë e avancimit të të gjitha vendeve të rajonit drejt Bashkimit Evropian duke forcuar parametrat e mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gjatë qëndrimit në Parlamentin e Finlandës, Meta, që shoqërohet nga kryetarja e komisionit të Jashtëm, Arta Dade, u pritën edhe nga një përfaqësi deputetësh nga fraksionet e ndryshme parlamentare politike dhe nga Grupi Parlamentar i Miqësisë Finlandë-Shqipëri, me të cilët diskutuan për thellimin e bashkëpunimit mes deputetëve dhe komisioneve parlamentare në nivel dypalësh dhe për mbështetjen reciproke në organizatat ndërkombëtare.

Në përfundim te takimit, në një prononcim për mediat, Maria Lohela  tha mes të tjerash se mes dy vendeve tona kemi shumë ngjashmëri. Jemi dy vende të vogla, tha ajo, por kemi besim në të ardhmen, duam të punojmë shumë në mënyrë që shoqëritë tona të zhvillohen dhe të lulëzojnë. Kështu që shoh shumë hapësira për bashkëpunim në fushën e biznesit, politikës apo turizmit. Jam e bindur se Shqipëria është perla e re e Mesdheut, u shpreh Lohela.

Ndeësa kryeparlamentari Meta tha se besojmë shumë në  bashkëpunimi e shkëlqyer bilateral me Finlandën, sidomos në drejtim të përmirësimit të mëtejshëm të sistemit tonë të edukimit në vend dhe për këtë qëllim kemi vendosur, që në mënyrë të veçantë t’i kushtojmë vëmendje shkëmbimeve midis parlamentarëve të rinj për të përfituar sa më shumë nga eksperienca dhe përvoja e Finlandës në këtë drejtim.

Ne kemi dhe grupet e miqësisë në parlamentet e dy vendeve tona, të cilat, besoj do të jenë shumë më aktive në të ardhmen dhe kemi rënë dakord bashkë me kryetaren e parlamentit që në mënyrë reciproke të promovojmë bashkëpunimin midis dy vendeve tona si në Tiranë ashtu edhe këtu në Helsinki, u shpreh Meta per mediat.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button