Politika

Meta: Marrëdhënia me Ramën, ‘as në ftohje, as në ngrohje’, bazohet në respekt reciprok

Kërkon rishikim të politikës fiskale: Nuk po hapen vende pune

Për kreun e Kuvendit, Ilir Meta, sesioni parlamentar që u mbyll pak ditë më parë mund të quhet pozitiv, duke e mbështetur më së shumti këtë qëndrim në rikthimin e opozitës në Kuvend. Në një intervistë për “Albanian Daily News”, Meta thotë se Parlamenti pati debat aktiv dhe të “ndezur”. Sa u përket zgjedhjeve vendore, kryeparlamentari thotë se ato u zhvilluan brenda standardeve të kërkuara. Referuar situatës ekonomike në vend, Meta shprehet se nuk mund të pretendojë se ajo është e përsosur. I pyetur nëse ka ndonjë të vërtetë në thashethemet se ka shenja ftohjeje në marrëdhëniet mes tij dhe Ramës, Meta u përgjigj se, “nuk janë as në ftohje, as në ngrohje”, duke shtuar se ka marrëdhënie konstruktive dhe të bazuar në respektin reciprok e përgjegjësi të përbashkët. “Nga përvoja e verës kemi parë se kur vjen gushti dhe Kuvendi nis pushimet, media fillon eksplorimin e ‘problemeve dhe konflikteve’ si të ishin hite verore. Mund të them se marrëdhëniet me partnerët tanë nuk janë as në ftohje e as në ngrohje. Ato janë konstruktive dhe të bazuara në respekt reciprok dhe përgjegjësi të përbashkëta”, – u shpreh Meta. Më tej, kreu i LSI-së tha se nuk ka asnjë dyshim që zgjedhjet e fundit lokale kanë arritur standardet më të mira ndonjëherë dhe që ato ishin një demonstrim i kulturës demokratike të popullit dhe votuesve shqiptarë në të gjithë vendin. Ai ishte vërtet i kënaqur që LSI pati një rezultat madhështor si votë popullore, duke theksuar faktin që këto zgjedhje ishin votime lokale dhe jopolitike. “Strukturat e partisë sonë janë investuar në një debat gjithëpërfshirës mbi çështje të ndjeshme për popullin, të tilla si shërbime më të mira dhe punësim. Ne kemi punuar ngushtë me çdo person në çdo cep të vendit, por më konkretisht me të rinjtë, sepse ne besojmë fuqishëm se të rinjtë tanë të shkëlqyer kanë nevojë për një perspektivë dhe një të ardhme më të mirë”,- u shpreh Meta. Ai foli edhe për koalicionin me Partinë Socialiste, duke thënë se LSI gjithnjë ka provuar se është një forcë konstruktive. “Ne gjithmonë i respektojmë detyrimet tona. Koalicioni ka punuar mirë dhe kandidatët tanë fituan 45 nga 61 bashki. Nuk është sekret fakti që çdo parti e ka identitetin dhe prioritetet e veta, por unë besoj se çdo partner në koalicionin tonë është një vlerë e shtuar që sjell kontribut për këtë koalicion”,- u shpreh kreu i LSI-së.

Ekonomia

Kryeparlamentari Ilir Meta, shpreh hapur rezerva lidhur me situatën ekonomike në vend dhe kryesisht për sistemin e ri fiskal, duke u bërë i pari zyrtar i lartë i koalicionit qeverisës që pranon se sistemi i ri fiskal nuk i përmbushi pritshmëritë e qeverisë për të rritur të ardhurat në buxhet. Duke folur për “Albanian Daily Neës”, Meta nënvizoi se taksat e vendosura nuk po nxisin mjaftueshëm zhvillimin ekonomik dhe punësimin. “FMN-ja dhe Banka Botërore po bëjnë një punë të mirë, por në këtë rast flas si ekonomist – kemi nevojë për një sistem fiskal dhe politika më të zgjuara dhe efikase. Taksat e vendosura nuk po nxisin mjaftueshëm zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës. Ne duhet të bëjmë më shumë. Duhet të eksplorojmë çdo mundësi dhe të jemi më strategjikë në përcaktimin e zonave dhe fushave të investimeve”- tha Kryetari i Kuvendit. I pyetur për panoramën e përgjithshme të situatës ekonomike në vend, kryeparlamentari Meta pohoi se ajo nuk është e përsosur. “Unë nuk mund të pretendoj se situata ekonomike në vend është e përsosur. Kjo është si rezultat i një kompleksiteti faktorësh. Kriza ekonomike që goditi rajonin tonë, veçanërisht dy partnerët tanë kryesorë ekonomik dhe tregtar si Greqia dhe Italia, ka rezultuar në një mungesë të deficitit tregtar. Remitancat janë reduktuar dhe borxhi publik i trashëguar nga qeveria e mëparshme është rritur”- tha Meta. Sipas tij, pavarësisht bashkëpunimit me FMN-në, stabilizimi i situatës financiare kërkon kohë. “Qeveria është duke punuar ngushtë me institucionet financiare ndërkombëtare për të stabilizuar situatën, por kjo nuk është e lehtë dhe kërkon kohë”- theksoi kreu i Kuvendit. Sa i përket çështjes së Tom Doshit, akuzave të ngritura muaj më parë, Meta u shpreh se “kjo histori nuk vlen as për histori telenovelash. Unë e refuzoj atë dhe kam dhënë të gjithë përgjigjet dhe informacionin e duhur pranë instancave përkatëse. Tashmë çështja është në duart e drejtësisë dhe le të flasë drejtësia”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button