Politika

Meta në SHBA: Reforma në drejtësi, kyçe për klimën e besimit për investimet e huaja

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, gjatë qëndrimit në Uashington, u prit sot nga kryetari i Komisionit të Jashtëm të Kongresit Amerikan, Kongresmeni Ed Royce, si dhe nga Senatori John Cornyn

Gjatë këtyre takimeve kreu i Kuvendit diskutoi mbi rëndësinë strategjike të marrëdhënieve transatlantike, duke ndarë bindjen e përbashkët se sfidat globale të terrorizmit dhe situata e sigurisë që është krijuar si pasojë e krizës migratore të refugjatëve nga vendet në konflikt, na inkurajojnë që ta forcojmë bashkëpunimin e gjithanshëm mes SHBA-së dhe Shqipërisë.

Kongresmeni Royce dhe Senatori Cornyn vlerësuan Shqipërinë si një aleat solid i SHBA-së dhe evidentuan rolin konstruktiv të vendit tonë në rajonin e Ballkanit, si një faktor stabiliteti, sigurie dhe paqeje.

Në këtë drejtim, u vlerësua edhe mbajtja e punimeve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Tiranë gjatë javës që vjen, si një forum tepër i rëndësishëm ku aleatët do të diskutojnë mbi sfidat aktuale të sigurisë me të cilat po përballen vendet e Aleancës.

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta u prit sot nga Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Kongresit Amerikan, (3)Duke biseduar mbi zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri, kryeparlamentari e vuri theksin tek rëndësia e përmbylljes sa më shpejt të miratimit të ndryshimeve kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë, duke nënvizuar se reforma në drejtësi është kyçe jo vetëm për cilësinë e funksionimit të demokracisë në Shqipëri, por edhe për krijimin e një klime më të besueshme për investitorët e huaj, veçanërisht për grupet investuese amerikane.

Në përfundim, Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara ndaj të gjitha zhvillimeve demokratike në Shqipëri dhe ndau bindjen se forcimi i bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kongresit e Senatit Amerikan i shërben cilësisë së marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve aleate.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button