Politika

Meta: S’ka më alibi! Të miratojmë reformën

Me mbërritjen e opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias, klasës politike i kanë shtetuar të gjitha alibitë përse të mos votojë reformën në drejtësi.

Në një konferencë për mediat për këtë reformë, Ilir Meta dha rrugëzgjidhjen për çështjet ku palët ndahen.

“Nuk ka më asnjë arsye që të vonohemi në dakortësimin e tekstit përfundimtar të ndryshimeve kushtetuese. Ka patur disa çështje ku janë shprehur mendime të ndryshme dhe mendoj që një lexim objektiv dhe i paanshëm i këtyre rekomandimeve na ndihmon për t’u dhënë zgjidhje gjithë këtyre çështjeve. Aty ku ka lexime të ndryshme, kemi Euralius dhe Opdat dhe me këta mund t’i bëjmë një lexim më objektiv çdo mendimi të Venecias”, deklaroi Meta.

Kreu i Kuvendit foli për takticizma politike dhe dha për këtë edhe sqarimin përkatës.

“Nëse duam të krijojmë pretekste dhe alibi, apo takticizma politike, kjo nuk na bashkon dhe nuk na çon drejt konsensusit. Duhet të çojmë përpara këtë reformë në interes të vendit. Çdo lëvizje që zhvendos debatin me qëllim apo pa dashje nga fokusi kryesor që është reforma në drejtësi është takticizëm politik”, deklaroi ai.

Meta tha se nuk ka arsye për të munguar në reformën në drejtësi, por shtoi se nuk mund t’i imponohet askujt kjo pjesëmarrje.

“Secili merr përgjegjësitë e veta”, tha ai.

Kreu i LSI-së nuk foli për “plan B” në rast të dështimit të konsensusit për reformën.

“Plani është për miratimin e reformës në drejtësi, plane të tjera çdo forcë politike mund të ketë, por unë mendoj që të gjitha energjitë duhet të përqendrohen tek ky plan”, u shpreh ai.

Kreu i Kuvendit ripërsëriti kërkesën e forcës që drejton për hartimin e një axhendë konkrete dhe një kalendari politik veprimi për përfundimin e reformës, ndërsa sa i takon Byrosë Kombëtare të Hetimit, LSI nuk e kushtëzon votimin me varësinë e këtij institucioni.

“Për ne nuk ka rëndësi në varësi të kujt do të jetë, policisë apo prokurorit. Për ne e rëndësishme është që të funksionojë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Absolutisht do të votohet çdo variant”, tha ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button