Politika

Meta takon zyrtarin italian: Zhvillimi i vendit nuk duhet të cenohet nga mungesa e dialogut

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti të hënën nën-Sekretarin e Shtetit për Politikën e Jashtme dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Italisë, Vincenzo Amendola, me të cilin biseduan për zhvillimet e fundit politike në vend dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Nën-Sekretari i Shtetit, Amendola e uroi Metën në emër të qeverisë italiane për zgjedhjen e tij në postin e Presidentit të Republikës duke nënvizuar se “Italia është shumë e lumtur me zgjedhjen tuaj në krye të Shtetit. ”Në këtë kuadër, Amendola theksoi se Shqipëria mund të mbështetet gjithnjë tek përkrahja e Italisë, si një partner tradicional i qëndrueshëm.

Kryeparlamentari Meta shprehu mirënjohjen për partneritetin e shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Italisë dhe vuri në dukje se një Itali e fortë i shërben edhe zhvillimit të Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit.

Gjithashtu, Meta theksoi se zhvillimi demokratik, ekonomik e social i Shqipërisë nuk duhet të cenohet prej mungesës së dialogut dhe përgjegjshmërisë politike, ndaj nevojitet një qasje më evropiane për daljen nga ngërçi aktual politik.

Në fund, kreu i Kuvendit shtoi se asnjëherë nuk është vonë për zgjidhje të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse që i shërben stabilitetit të vendit dhe hapjes sa më shpejt të negociatave me Bashkimin Evropian.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button