Meta: Xhaxhi Dvorani dhe xhaxhi Gramozi do marrin përgjigje në dy mars!
Presidenti Ilir Meta e nis ditën e sotme me një tjetër thirrje për qytetarët shqiptarë, që të bashkohen në manifestimin e 2 marsit. Përmes një mesazhi në “Facebook”, Kreu i Shtetit thekson se kur rrëzohen institucionet, ngrihet populli, ndërsa risjell dhe një herë në vëmendje përplasjen me Kuvendin dhe kreun e KED, Ardian Dvorani, për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Mes të tjerash, Meta i drejtohet sërish ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonajt, për të cilën dorëzoi një ditë më parë në SPAK kallëzim penal për shpërdorim detyre, duke thënë se “mos kini asnjë dyshim se Etilda do mbajë një fjalim plot “Etikë” e madje do i dalin dhe lot gëzimi nga kontributi i saj për realizimin e kryeperlës së Ramaformës”.
Për këtë, Kreu i Shtetit iu bën thirrje shqiptarëve të ngrihen, pasi sipas tij, institucionet kanë rënë përtokë. “Ndaj të dashur qytetarë, zgjohuni dhe ngrihuni se këtu institucionet kanë rënë përtokë. Ngrihuni për të rivendosur sovranitetin tuaj të nëpërkëmbur përmes rivendosjes së rendit kushtetues, demokratik dhe llogaridhënës”, shkruan Meta.
Mesazhi i Metës:
Kur rrëzohen institucionet, ngrihet populli.
Përse Presidenti i drejtohet popullit?
Sepse sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket vetëm popullit shqiptar. Të gjithë ne të tjerët, përfshirë edhe Presidentin e Republikës, jemi vetëm ushtrues të përkohshëm të këtij sovraniteti dhe asgjë më shumë.
Sa shkresa zyrtare i ka drejtuar Presidenti i Republikës, Kuvendit dhe Kryetarit të tij, ku i ka kërkuar bashkëpunim për të parandaluar situatën e rëndë që po krijohej për shkak të bllokimeve të qëllimshme të funksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe zbrazjes së Gjykatës Kushtetuese? Nuk numërohen.
Po përgjigje nga Kuvendi? Zero në mënyrë zyrtare. Po publikisht? E kanë dëgjuar të gjithë shqiptarët: Jemi më mirë pa Gjykatë Kushtetuese. Pse? Se bëjmë çfarë të duam e s’na kontrollon njeri.
Sa shkresa zyrtare i ka dërguar Presidenti, Kuvendit vetëm këtë vit për tejkalimin e situatës së rëndë në Gjykatën Kushtetuese? Nuk numërohen. Të gjitha me etikë dhe frymë pozitive për bashkëpunim në respekt vetëm të Kushtetutës dhe ligjit për Gjykatën Kushtetuese. A mori ndonjë përgjigje bashkëpunuese? Zero.
Sa herë e ka paralajmëruar Presidenti, Kryetarin e KED i cili ka zero kompetencë në Kushtetutë që të respektojë radhën kushtetuese dhe ligjin e Gjykatës Kushtetuese për të evituar përplasjet e mundshme midis institucioneve të Presidentit dhe Kuvendit? Nuk numërohen. Po reagimi i tij? Shkeli me të dyja këmbët edhe vendimin e vetë KED-së, e cila respektoi radhën e vakancave në mënyrë korrekte President, Kuvend, President, Kuvend.
Po ky Dvorani që s’ka asnjë kompetencë tjetër veç të qenit korrier i vendimeve kolegjiale të KED, përse nuk i nisi të katër vendimet njëherazi edhe Presidentit edhe Kuvendit në një ditë siç vendosi KED? Kush i tha këtij t’ia niste Presidentit të dy vakancat njëherazi dhe Kuvendit t’ia çonte me kokën e tij 6 ditë më vonë?
Nëse sipas këtij, radha s’qenka e rëndësishme, edhe pse është detyrim kushtetues, lind pyetja e pafajshme e çdo fëmije: Përse xhaxhi Dvorani nuk ia nisi në fillim dy vakancat Kuvendit e pas 6 ditësh t’ia çonte Presidentit? Se ke degjuar ti xhaxhi Dvorani, xhaxhi Gramozin dhe xhaxhi Ulsiun që thonë çdo ditë që Parlamenti është i pari se jemi Republikë Parlamentare, e jo Presidenciale?
Mjafton çdo fëmijë në këtë vend të lexojë vetëm letrën e fundit zyrtare të Presidentit të Republikës drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Kryetarit të KED, Avokatit të Popullit (për dijeni të gjitha ambasadave të vendeve të BE dhe SHBA) dhe po kështu të lexojë letrat që xhaxhi Gramozi me xhaxhi Dvoranin shkëmbejnë në 8 nëntor që të verë duart në kokë për vendin ku po rritet dhe të ardhmen që e pret ketu.
A nuk ndoqi Presidenti rrugën institucionale duke shkuar vetë në Prokurori përpara 100 ditësh për kallëzimin penal ndaj Dvoranit i cili çdo ditë që rri në atë detyrë përbën një rrezik shtetëror dhe shoqëror? Cili ka qenë reagimi nga “Drejtësia e Re”? Heshtje. Ndërkohë që Prokuroria duhet të niste vetë hetimin prej muajsh edhe ndaj celulës mafioze dhe falsifikatore në krye të Ministrisë së Drejtësisë që kishte botuar në mënyrë të paligjshme një vendim të KED për qëllime mashtrimi të opinionit publik e ndërkombetar me objektiv të vetëm rrëmbimin e shumicës në Gjykatën Kushtetuese të vendit.
Përse duhet shtyrë pafund një hetim kaq i thjeshtë (për shkak të flagrancës skandaloze të shumë veprave penale) që ka të bëjë me vetë Gjykatën Kushtetuese? Sepse mafia thonë nuk e heton veten. Ndaj vendosi të ngutet në panik të miratojë në mënyrë të pabesë ligjin anti-kushtetues “Të betimit buzë Lanës” një ditë para mbërritjes së Komisionit të Venecias duke shkelur çdo kod të sjelljes demokratike e institucionale dhe duke iu lutur përfaqësuesve të Komisionit të Venecias që të mos iu përgjigjen pyetjeve që Kuvendi u kishte drejtuar prej tre muajsh, me argumentin se “ne e votuam mbrëmë atë ligj. Po pse ju duhet me patjetër ky ligji anti-kushtetues këtyre? Që Dvoranin, jo vetëm të mos e ndëshkojë drejtësia për shkeljet e rënda penale që ka bërë, por ta dekorojnë duke e futur përmes këtij ligji anti-kushtetues nga oxhaku në Gjykatën Kushtetuese.
Po kështu edhe atë ngelësen e provimit të Magjistraturës, që Dvorani e nxori të parën në të katër vakancat, si mund ta lenë në baltë, kur ajo për hir të Partisë u betua në Lanë. Dhe kuptohet që kur Gjykata Kushtetuese të mbushet me këta, mos kini asnjë dyshim se Etilda do mbajë një fjalim plot “Etikë” e madje do i dalin dhe lot gëzimi nga kontributi i saj për realizimin e kryeperlës së Ramaformës.
Ndaj të dashur qytetarë, zgjohuni dhe ngrihuni se këtu institucionet kanë rënë përtokë. Ngrihuni për të rivendosur sovranitetin tuaj të nëpërkëmbur përmes rivendosjes së rendit kushtetues, demokratik dhe llogaridhënës.
Mirësevini në Manifestimin historik dhe shembullor të 2 marsit. Koha që sovrani të rimarre sovranitetin në duart e tij! E gjithë bota demokratike ta shohe se jemi komb shqiponjash që s’mund të përdhosemi nga një bandë sorrash. #PërKushtetutën #PërShqipërinë #PërKombin ??