Politika

Micheli: Vlora, si një dëshmi e miqësisë tradicionale mes Italisë e Shqipërisë

Gjatë këtij viti, Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, është shndërruar në epiqendrën e aktiviteteve kulturore e artistike në këtë qytet. Me nismën e Konsulles së Përgjithshme, Luana Micheli, janë zhvilluar deri tani më shumë se 20 aktivitete të natyrave e dimensioneve të ndryshme, çka vlerësohet nga komuniteti artdashës vlonjat, si një mundësi për të gjallëruar jetën në këtë qytet dhe si një hapësirë për të forcuar bashkëpunimin mes dy popujve, në atmosferën e miqësisë tradicionale e historike. Në një intervistë për ATSH-në, Luana Micheli bën një prezantim të aktiviteteve që pritet të zhvillohen, ndërkohë që e cilëson Vlorën si një dëshmi dhe simbol të miqësisë mes Italisë e Shqipërisë.

Pas pak ditësh nisin veprimtaritë në kuadrin e “Gjuha Italiane në Botë”, organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë. Cilat janë aktivitetet më të spikatura që janë planifikuar të zhvillohen gjatë saj në Vlorë dhe Rajonin Konsullor?

-Aktivitetet e programuara për javën e gjuhës italiane janë të shumta dhe të shpërndara në të gjithë qarkun konsullor. Mes tyre, do të jenë aktivitete formimi për mësuesit e gjuhës italiane të programit “Illiria”, projektime filmash në sallën multimediale të Konsullatës së Përgjithshme, një ekspozitë fotografike me titull “Udhëtime në Itali. Sete të kinemasë italiane e viteve 1941-2016”, mbi marrëdhëniet midis kinemasë dhe peizazhit. (Një ekspozitë e vendeve dhe pamjeve të seteve rajonale të kinemasë italiane prej viteve ’40-të të shekullit të kaluar, deri sot). Programi do të përfshijë drejtpërdrejtë nxënësit dhe mësuesit e gjuhës italiane të programit “Illiria”. Ndërkohë, në Vlorë, Gjirokastër dhe Berat, do të organizohet “Maratona e Poezisë”. Shkollat do të përzgjedhin vendet ku do të recitojnë pjesë të teksteve klasike të letërsisë italiane, poezi, apo këngë, në një maratonë artistike dhe letrare. Në qytetin e Vlorës, një aktivitet i tillë do të zhvillohet në sheshin e ri të sapopërfunduar në “Lungomare”. Ndërkohë, dua të theksoj se, duke u nisur nga numri i madh i aktiviteteve të planifikuara, Maratona e Poezisë do të zhvillohet në 11 deri në 13 tetor, çka do të krijojë hapësirat e nevojshme për organizimin e aktiviteteve të tjera të parashikuara. Nënvizoj këtu se, ditët e formimit për mësuesit, do të zhvillohen në bashkëpunim me mësues të ardhur nga Italia, çka do të krijojë një impakt më të madh në këtë dimension bashkëpunimi. Diversiteti i këtyre aktiviteteve të programuara, është dëshmi e vullnetit për të përfshirë në këtë takim të rëndësishëm të gjithë protagonistët e aktivitetit të mësimdhënies të gjuhës italiane. Së pari mësuesit, për të cilët do të nisë një seri seksionesh të formimimit të vazhdueshëm dhe cilësor. Së dyti, nxënësit e programit “Illiria”, që do të jenë protagonistë të maratonave ku do të përzgjedhin vetë tekstet për të paraqitur; nxënësit e shkollave të mesme, të kurseve parapërgatitore për provimin “Celi”, të departamentit të italishtes në Universitetin e Vlorës, për të cilët janë parashikuar projektime të veçanta për natyrën e subjektit që trajtojnë dhe për gjuhën e përdorur. Këto janë pra, një pjesë e atyre aktiviteteve që janë parashikuar për eventin në fjalë.

Dua të evidentoj një fakt. Gjatë këtij viti, numërohen më shumë se 20 aktivitete të organizuara në Vlorë nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në këtë qytet, që përbën një shifër të lartë. Duke shprehur edhe opinionin e një pjesë të komunitetit artdashës në qytet, them se, institucioni juaj është shndërruar në një epiqendër të jetës kulturore në Vlorë. Ky fakt, është rrjedhojë e profilit të ri të punës dhe aktivitetit të Konsullatës?

Është një fakt, Vlora përcaktohet si “qyteti më italian i Shqipërisë”. Ky përcaktim, vjen si rrjedhojë e një sërë faktorëve, mes të cilëve përfshihen edhe tradita historike dhe bashkëpunimi. Në këtë këndvështrim Konsullata është pjesë e jetës së qytetit, jo vetëm si një zyrë që kryen shërbime për shtetasit italianë dhe ata shqiptarë të Rajonit të Jugut të Shqipërisë, por edhe si një aktore që vepron në sinergji me institucionet dhe polet kulturore në qytet. Bashkë ndajmë një trashëgimi historike, letërsie, arti, arkeologjie, muzike, që, ndër shekuj ka bashkuar gjithonë dy spondet e detit, dy anët e detit. Jemi duke punuar së bashku për të mbajtur gjallë këtë frymë, për t’ua përcjellë atë qytetarëve, të rinjve që zgjedhin të frekuentojnë universitetet italiane, muzikantëve të rinj të qytetit, nxënësve të shkollave 9 vjeçare që zgjedhin t’i afrohen gjuhës dhe kulturës italiane. Me pak fjalë, jemi duke ndjekur një rrugëtim ideal të nisur prej kohësh dhe të pandërprerë asnjëherë.

Në një perceptim të zakonshëm, profili i një përfaqësie diplomatike është disi më klasik, ndërkohë që, gjatë muajve të këtij viti stafin tuaj dhe ju, ju shohim shumë pranë qytetarëve vlonjatë, në aktivitetet që përmenda më sipër. Kjo është vazhdë e një raporti të ri që ju kërkoni të krijoni me komunitetin e qytetarëve vlonjatë?

Marrëdhënia e Konsullatës së Përgjithshme me qytetin dhe institucionet lokale të Vlorës, vazhdon të jetë i bazuar në bashkëpunimin maksimal. Në ushtrimin e funksioneve institucionale dhe aktiviteteve tipike të një zyre konsullore, përpiqemi të kryejmë shërbimet me një shkallë të mirë efiçence dhe prezence, në problematikat dhe kërkesat e përditshme të publikut. Besoj se është një mënyrë e mirë për të jetuar të përditshmen tonë të punës.

Është intervista e parë që jepni për një media shqiptare prej ardhjes tuaj në krye të Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Vlorë? Si do ta përkufizonit Vlorën?

Vlora është një qytet me një natyrë shumë të bukur, i vendosur në një peizazh mahnitës, ku ngjyrat dhe deti ofrojnë gjithmonë emocione të ndryshme dhe shumë të forta. Është një qytet i ri që dëshiron të jetë dinamik dhe protagonist i jetës kulturore. Për këtë, mjaft të mendosh për të rinjtë virtuozë të Akademisë së Muzikës, që kanë performuar shumë herë dhe me sukses të madh, për studentët e shkollave të mesme dhe ata të Universitetit, që kanë marrë pjesë në koncertet e shumta, në shfaqjet e filmave dhe në ekspozitën e çelur në kuadrin e 60 vjetorit të Bashkimit Evropian, për studentët e grupit teatror të Universitetit “Ismail Qemali”, që kanë paraqitur dy vepra në sallën e Teatrit të qytetit dhe që po përgatiten për vënien në skenë të veprës “Qypi” të Pirandelos, me rastin e 150 vjetorit të lindjes së tij. Dhe, si të mos përmendësh entuziazmin me të cilin nxënësit e shkollave 9 vjeçare po përgatisin maratonën e poezisë?
Jam e bindur se, do të mund të realizohen shumë aktivitete dedikuar artit dhe kulturës në përgjithësi, me një pjesëmarrje, uroj gjithmonë në rritje, të qytetarëve të Vlorës.

Po për muajt në vijim, cili do të jetë vëllimi i aktiviteteve që do të planifikoni dhe në çfarë fushash?

Përveç takimeve tashmë tradicionale të Javës së Gjuhës Italiane(16-22 tetor) dhe të kuzhinës italiane(20-26 nëntor), programi i aktiviteteve të parashikuara për periudhën nëntor-maj, do të përfshijë:
Muzikën: Jemi në kontakt me artistë për realizimin e aktiviteeve muzikore.
Kinemanë: Gjatë kësaj stine, Konsullata do të shfaqë filma italianë të viteve të fundit. Për këtë jemi duke punuar për t’u dhënë hapësirë dy shfaqjeve të shkurtra, dedikuar Federico Fellinit e MichelangeloAntonioni-t dhe urojmë edhe për Sergio Leonen.
Teatrin: Janë nëprogram dy shfaqje teatrale, prej të cilit, njeri do të ketë protagonistë studentët e grupit teatror të Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës.
Konferenca: Konsullata do të mirëpresë cikle konferencash. Cikli i parë do t’i dedikohet temës së parandalimit të sëmundjeve onkologjike tek femrat, do të trajtohen tema nga varësia etj. Relatorët do të jenë mjekë dhe operatorë të sektorëve të ndryshëm që vijnë nga Italia. Konferenca të tjera janë në vijim, në bashkëpunim me sinergji lokale.
Do të riparaqitet takimi me dhurimin e gjakut në qendrën përkatëse në Spitalin Rajonal të Vlorës, për fëmijët talasemikë.
Ekspozita pikture
Ekspozita fotografie në kuadrin e programit kulturor “Terra e Mare”.
Aktiviteti kushtuar produkteve tradicionale artizanale italiane dhe shqiptare.
Me koncertin e Orkestrës së Filarmonisë në datën 30 nëntor, që ishte parashikuar fillimisht për në Sheshin e Flamurit, por që, për shkak të motit të papërshtatshëm u zhvendos në sallën e Teatrit të qytetit, u përurua Programi Kulturor “Rikthim në Vlorë…”…udhëtim në kujtesën e qytetit, muzikë, teatër, lexim dhe poezi”.
Ka mjaft vende në qytet që i përkasin historisë së shekullit të kaluar, si një dëshmi e raportit të fortë kulturor me Italinë, që manifestohet me arkitekturën, me godinat, me sheshet. Vlora, në fakt, është qyteti me më shumë sheshe në Shqipëri. Sheshi, si sinonim i qytetërimit, i bashkëndarjes, bashkëjetesës dhe i progresit qytetar. Në këtë këndvështrim, do të organizohen herë pas here shfaqje muzike, netë poetike, shfaqje teatri, lexime në vende të hapura etj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button