Politika

Ministri turk i Arsimit Kombëtar, Ziya Selçuk fillon vizitën në Shqipëri

Ministri turk i Arsimit, Ziya Selçuk, ka filluar vizitën zyrtare në Shqipëri, ndërkohë ai është takuar me kryeministrin Edi Rama, raporton Anadolu Agency (AA). Në takimin e realizuar në selinë e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë ishin të pranishëm edhe ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Evis Kushi, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük dhe zyrtarë të tjerë. Në takim janë trajtuar çështjet në lidhje me punimet për bashkëpunimin në fushën e arsimit mes dy vendeve.

Ne vazhdim Ministri turk i Arsimit, Ziya Selçuk në kuadër të vizitës zyrtare në Shqipëri, realizoi një takim me ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi. Ministri Selçuk dhe ministrja Kushi mbajtën një deklaratë të përbashkët pas takimit, duke u fokusuar në çështjet e bashkëpunimit mes Turqisë dhe Shqipërisë, marrëveshjen e nënshkruar në fushën e arsimit mes dy vendeve dhe mbështetjen e Turqisë.

Ministri Selçuk u shpreh i lumtur që ndodhet në Shqipëri me ftesë të ministres Kushi. Selçuk rikujtoi se në muajin janar, Kushi vizitoi Turqinë, gjatë së cilës u firmos një marrëveshje për bashkëpunim në fushën e arsimit si rezultat i punimeve të zhvilluara gjatë kësaj vizite. Ai falënderoi homologen për ftesën, e cila, sipas tij, ka për qëllim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, formimin e grupeve të punës dhe krijimin e strukturave të qëndrueshme. Ai deklaroi se ka pasur një takim të frytshëm me kryeministrin shqiptar Edi Rama për çështje të ngjashme. Selçuk vuri në dukje se brenda kornizës së këtyre vizitave, ata do të kenë mundësinë të shohin rëndësinë që autoritetet shqiptare i kushtojnë mësimit të turqishtes në shkolla.

Në bazë të parimit të reciprocitetit, ai theksoi se edhe në Turqi kanë ndjekur çështjen e mësimit të gjuhës shqipe si lëndë zgjedhore në Turqi. “Jemi të sigurt se mësimi reciprok i këtyre gjuhëve do të forcojë bashkëpunimin tonë në periudhë afatgjate. Përveç ministrisë, programi është të shohim në vend edhe punimet e institucioneve tona si Fondacioni Maarif, Qendra Kulturore Turke Yunus Emre dhe TIKA”, deklaroi Selçuk.

“Bashkëpunimi midis dy vendeve do të vazhdojë të thellohet”

Ministrja Kushi deklaroi se e vlerësojnë këtë vizitë si një hap të rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit, por edhe forcimin e bashkëpunimit në fusha të tjera. “Patëm një takim shumë të frytshëm me ministrin e Arsimit të Turqisë dhe delegacionin që e shoqëronte, ku gjeta rastin t’i shpreh falënderimet dhe mirënjohjen tonë të thellë për mbështetjen që Turqia i ka dhënë Shqipërisë së pari në fushën e arsimit, por edhe në fusha të tjera dhe në mënyrë të veçantë në fushën e arsimit për sa i takon bursave për studentët shqiptarë, por edhe rikonstruksionin e shumë objekteve arsimore”, tha ministrja Kushi.

Në lidhje me marrëveshjen në fushën e arsimit të nënshkruar mes dy vendeve në Ankara në janar, ministrja Kushi theksoi se “Kjo marrëveshje është një ogur i mirë për forcimin e bashkëpunimit tonë në fushën e arsimit. Tashmë ne i kemi përmbyllur të gjitha proceduarat ligjore dhe jemi gati të fillojmë menjëherë zbatimin e saj”.

Ajo tha se ka falënderuar homologun turk për masat që ka marrë Qeveria e Turqisë për përfshirjen e gjuhës shqipe në kurrikulat në shkollat turke. Sipas saj, diaspora e re dhe e vjetër shqiptare në Turqi shërben si një urë bashkëpunimi midis dy vendeve dhe shtoi se “prandaj e vlerësoj kontributin që u japim brezave të rinj për të mësuar gjuhën shqipe”.

“Në kuadër të marrëveshjes që nënshkruam në Ankara më 6 janar, ne do të kryejmë një vlerësim për kërkesat që mund ketë në shkollat shqiptare për të mësuar gjuhën turke si një gjuhë e huaj lëndë me zgjedhje të lirë, me qëllim shpalljen e një programi pilot për mësimin e gjuhës turke në Shqipëri”, tha Kushi, duke shtuar se i shprehin mirënjohjen qeverisë turke për mbështetjen që u jep studentëve shqiptarë me bursa që studiojnë në universitete turke.

“Siç u bisedua edhe gjatë vizitës së kryeministrit shqiptar Edi Rama në Ankara ne do ta mirëprisnim dhe do ta vlerësonim shumë hapjen e një filiali të Universitetit Teknik të Stambollit këtu në Shqipëri. Ne ramë dakord që të intensifikojmë bashkëpunim tonë në fushën e arsimit në të gjitha nivelet. Bashkëpunimi midis dy vendeve do të vazhdojë të thellohet në të gjitha fushat”, u shpreh ministrja Kushi.

Ministri turk i Arsimit, Ziya Selçuk së bashku me ministren Kushi do të vizitojnë edhe shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja në Tiranë “Asim Vokshi”. Gjithashtu është planifikuar edhe një vizitë në Universitetin New York Tirana që administrohet nga Fondacioni Turk Maarif.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button