Ekonomia

Ministria e Financave: Leku është zhvlerësuar ndaj nëntë monedhave

Nga kursi i këmbimit borxhi i jashtëm u rrit me 18.6 mld lekë.

Zhvlerësimi i lekut ka sjellë rritje të borxhit të jashtëm, njoftoi dje Ministria e Financave. Efekti shtesë në stok nga disbursimet është 10.2 miliardë lekë ose 2.5% e totalit të fundit të vitit 2014, ndërsa shtesa, e cila vjen si rezultat i luhatjeve të kurseve të këmbimit, është 18.6 miliardë lekë ose 4.5%. Efekti i shtesës si rezultat i ndryshimit të kursit të këmbimit do të thotë që kemi të bëjmë me një nënvlerësim të monedhës vendase kundrejt monedhave që kompozojnë stokun e borxhit të jashtëm. Sipas Financave, kjo shtesë ndikon mbi nivelin e borxhit gjatë raportimeve, por jo domosdoshmërisht ka efekte financiare për buxhetin e shtetit, pasi kjo varet nga kurset e këmbimit të monedhës vendase kundrejt monedhave të tjera në periudhën kohore të disbursimit dhe periudhën kohore të likuidimit të ripagesave.

Zhvlerësimi

Në fund të muajit mars 2015, leku rezulton të jetë nënvlerësuar kundrejt të gjitha monedhave që janë pjesë e portofolit të borxhit të jashtëm. Më së shumti monedha lek rezulton të jetë nënvlerësuar ndaj monedhës SAR (Riali i Arabisë Saudite), AED (Dirhami i Emirateve të Bashkuara Arabe) dhe USD, përkatësisht me 13.4%. Ndërkohë efektin më të madh të shtesës nga ky nënvlerësim e japin monedhat SDR (“Special Drawing Rights” që jepet nga FMN) dhe USD përkatësisht me 9.4 dhe 5.4 miliardë lekë. Për sa i përket kursit të këmbimit me monedhën euro, që zë edhe peshën kryesore në portofol, ai ka qëndruar pothuajse në të njëjtat nivele me fundin e vitit 2014, duke dhënë një efekt shtesë relativisht të ulët në stok prej 339.3 milionë lekë. Sipas Financave, një zhvlerësim drastik i lekut ndaj euros ose USD, monedhat që mbajnë peshën më të madhe në stokun e borxhit të jashtëm, do të shkaktonte ndryshime në nivelin e borxhit të raportuar. Në tremujorin e parë të vitit 2015, pjesa dërrmuese e portofolit të borxhit të jashtëm është e kompozuar nga tri monedha kryesore (Euro, USD, YEN), ku peshën më të madhe e mban monedha euro me 65.35% të portofolit. Krahasuar me fundin e vitit të kaluar kemi një ulje të peshës së monedhës euro rreth 230 pikë bazë. Ndërkohë, kemi një rritje të peshës së monedhave USD, YEN dhe monedhave të tjera, përkatësisht me 153; 36 dhe 40 pikë bazë. Megjithëse gjatë dy viteve të fundit ka pasur një tendencë për diversifikimin e portofolit të borxhit të jashtëm, përqindja e stokut të borxhit në euro është e lartë dhe bën që portofoli të jetë i ndjeshëm ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit. Kontraktimi i borxhit të jashtëm me terma tregtare ndër vite ka ardhur duke u rritur. Kjo për vetë faktin se Shqipëria nuk klasifikohet më si një vend me të ardhura të ulëta. Tendencë rënëse sa i përket borxhit të kontraktuar me terma jotregtare, ka vazhduar edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2015. Sipas Ministrisë së Financave, huat jotregtare kanë shënuar një rënie prej 162 pikë bazë.

Rreziqet

Ministria e Financave konfirmon se edhe borxhi i jashtëm shfaq disa risqe, të cilat po merren në konsideratë. Së pari, po bëhet kujdes me riskun e kursit të këmbimit, pasi borxhi i jashtëm është i ekspozuar ndaj monedhës euro dhe USD. Së dyti, po merret në konsideratë niveli i kredive të angazhuara, por ende të padisbursuara, pasi ecuria e shpejtë e disbursimit të tyre mund të krijojë ulje të financimit të brendshëm, duke krijuar në këtë mënyrë probleme me menaxhimin e likuiditetit. Së treti, ekspozimi i lartë ndaj borxhit të jashtëm mund të bjerë ndesh me politikat monetare dhe të krijojë çrregullime të treguesve makroekonomikë.  Z. Alushi

Efekti i kursit të këmbimit ndërmjet monedhave dhe monedhës vendase Lek

Monedhat Efekti i kursit të këmbimit Ndryshimi I kursit (Mon/LEK)  Në % Efekti
Në vlerë nominale [1] Në % Në kurs Në stok borxhi
ACU 870 4.70% 8.30% Nënvlerësim Shtesë borxhi
AED 775 4.20% 13.40% Nënvlerësim Shtesë borxhi
EUR 339 1.80% 0.14% Nënvlerësim Shtesë borxhi
JPY 873 4.70% 13.00% Nënvlerësim Shtesë borxhi
KRË 362 2.00% 11.90% Nënvlerësim Shtesë borxhi
KËD 417 2.20% 10.50% Nënvlerësim Shtesë borxhi
SAR 125 0.70% 13.40% Nënvlerësim Shtesë borxhi
SDR 9,392 50.60% 8.30% Nënvlerësim Shtesë borxhi
USD 5,401 29.10% 13.40% Nënvlerësim Shtesë borxhi
 Gjithësej 18,555 100.00% 10.20% Nënvlerësim Shtesë borxhi

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button