Ekonomia

Ministria e Financave: Të ardhurat për janarin u realizuan me 103.7%

Ministria e Financave sqaron opinionin publik lidhur me të ardhurat e realizuara në muajin janar të këtij viti. Zyra e Shtypit e këtij institucioni thekson se të ardhurat buxhetore për muajin janar, janë realizuar në masën 103.7% ose 950 milionë lekë më shumë. Ky institucion bën me dije se realizimi i të ardhurave është brenda parashikimeve.

Ministri i Financave Shkëlqim Cani
Ministri i Financave Shkëlqim Cani

Më tej Ministria e Financave jep të dhëna dhe fakte lidhur me gjendjen e të ardhurave nga administrata doganore dhe tatimore.

Deklarata e Ministrisë së Financave:

Media të veçanta, por edhe aktorë të tjerë shoqërore, kanë komentuar gjatë këtyre ditëve të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave, lidhur me treguesit fiskalë(paraprake) sipas buxhetit të konsoliduar. Komentet e bëra janë jokorrekte, jo reale dhe nuk i referohen shifrave zyrtare të Ministrisë së Financave.

Për të sqaruar, jo mediat dhe ata që abuzojnë me shifrat, por publikun dhe institucionet që monitorojnë financat shqiptare, Zyra e Shtypit e Ministrisë së Financave është e detyruar edhe njëherë të nënvizojë:

Të ardhurat buxhetore për muajin Janar 2015 janë 26.4 miliardë lekë nga 25.4 të planifikuar për periudhën, duke u realizuar në masën 7% ose 950 milionë lekë më shumë.
Realizimi i të ardhurave për periudhën janar 2015 është brenda parashikimeve të Ministrisë së Financave.
“Të ardhurat tatimore” për periudhën janë 23.7 miliardë lekë, rreth 768 milionë më shumë se parashikimi për periudhën; krahasuar me një vit më parë “Të ardhurat tatimore” janë rreth 2.6% më pak ose rreth 638 milionë më pak.

Të ardhurat e mbledhura për muajin Janar nga administrata Tatimore dhe Doganore arritën në 16.6 miliardë lekë, 766 milionë lekë mbi parashikimin e periudhës dhe 5.4 përqind më pak se një vit më parë ose 946 milionë lekë më pak.
Të ardhurat e mbledhura nga administrata Doganore janë 8.9 miliardë lekë, 660 milionë lekë ose 7.9 përqind më shumë se plani.
Të ardhurat e mbledhura nga administrata Tatimore (pa kontributet) janë 7.6 miliardë lekë ose 1.4 përqind më shumë se plani.
Të ardhurat e mbledhura nga Fondet Speciale për janar 2015 janë rreth 6.5 miliardë lekë, 18 milionë më shume se parashikimi.
Të ardhurat e mbledhura nga pushteti vendor janë rreth 540 milionë ose 290 milionë më pak se parashikimi.

Krahasueshmëria e të ardhurave të muajit janar të këtij viti me janarin e vitit 2014 nuk është aspak profesionale, sepse vetë parashikimet për periudhën janar 2015 të Ministrisë së Financave kanë qenë më të ulta krahasuar me një vit më parë, duke marrë parasysh specifikat në sistemin e ri tatimor, i cili u vu në funksionim në fillim të këtij viti. Për këtë arsye për muajt e parë të këtij viti, planifikimi i Ministrisë së Financave për realizimin e të ardhurave ka qenë më i ulët se muajt e parë të vitit 2014.

TË ARDHURAT E MBLEDHURA NGA ADMINISTRATA DOGANORE

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar:           

Për Janar 2015, të ardhurat nga TVSH-ja në doganë janë 5.8 miliardë lekë ose 11.6 përqind më shumë se plani.

Akcizat:         

Të ardhurat gjithsej nga Akciza për Janar 2015 arritën në rreth 1.8 miliardë lekë. Të ardhurat nga kjo taksë janë rritur nëmasën 10.1% përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014 .

Renta në Eksport :

Të ardhurat nga renta për periudhën janar 2015 janë rreth 620 milionë lekë, 55 për qind më shumë se parashikimi

TË ARDHURAT E MBLEDHURA NGA ADMINISTRATA TATIMORE

Të ardhurat e mbledhura nga administrata Tatimore pa kontributet janë 7.6 miliardë lekë ose 1.4 përqind më shumë se plani .

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar:

Të ardhurat nga TVSH-ja në Tatime janë 4.1 miliardë lekë ose 39.4 përqind më shumë se plani. Krahasuar me një vit më parë këto të ardhura janë rritur me 42.1 përqind (1.2 miliardë lekë më shumë).

Tatimi mbi fitimin:

Të ardhurat nga Tatimi mbi Fitimin janë 393 milionë lekë ose -73.6 përqind më pak se plani për periudhën.Kjo ulje e të ardhurave nga tatimi mbi fitimin nuk ka lidhje aspak me uljen e aktivitetit të bizneseve, por me gjenerimin e deklaratave nga sistemii ri i IT. Nga janar 2015 filloi funksionimin sistemi i ri i IT, një sistem modern tatimor, ndër më të mirët në Evropën Juglindore, i cili ka sjelle edhe një mënyrë të re të deklarimit tatimor, rrjedhojat e të cili u ndjenë vetëm për muajin janar 2015.

Taksa Nacionale:

Të ardhurat nga Taksat Nacionale janë 1.2 miliardë lekë ose 308.5 përqind më shumë se plani

Ministria e Financave, duke respektuar parimin e saj të transparencës së plotë me të gjithë treguesit fiskalë dhe ato të performancës së ekonomisë, do të vijojë të jetë e hapur për të gjithë ata aktorë që dinë të lexojnë drejt e saktë, jo vetëm si frymë, por edhe zë për zë, arritjet e administratës fiskale, duke u kërkuar, sidomos abuzuesve me shifrat, që vijnë nga media apo politika, të ndikojnë për të ndihmuar dhe jo penguar administratën fiskale, të jenë pjesë e këmbënguljes për të siguruar ritme më të larta të zhvillimit të ekonomisë e të biznesit, që në fund të ditës sjellin më shumë prosperitet për shoqërinë dhe vetë ekonominë shqiptare.

Ministria e Financave është tërësisht e ndërgjegjshme që ka ende hapësira për të përmirësuar administrimin fiskal, për të rritur të hyrat fiskale, për të rritur performancën e administratës fiskale. Të gjitha aksionet e kësaj qeverie shkojnë në këtë drejtim dhe rezultatet sigurisht që do të jenë të dukshme, si në reformat strukturore të ndërmarra e në proces realizimi, ashtu edhe në modernizimin e administratës fiskale dhe të sistemit të saj të mbledhjes së detyrimeve ligjore. Sistemi i ri i instaluar, me një investim prej miliona eurosh, që po zbatohet me shpejtësi, nuk sjell vetëm një përmirësim të komunikimit me sipërmarrjen, por edhe ulje të kostos së tij dhe një klimë më të favorshme të të bërit biznes. Kësaj të fundit nuk i ndihin “shashkat” tymuese, ngado që ato të vijnë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button