Ministria e Zhvillimit dhe Organizata Botërore e Turizmit: Sfidat për turizëm gjithëvjetor
Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit si dhe Organizata Botërore e Turizmit organizuan sot në Tiranë, konferencën Ndërkombëtare për zhvillimin e turizmit nën logon “Menaxhimi sezonal në Turizëm”. E pranishme në konferencë, Ministrja e Turizmit Eglantina Gjermeni theksoi se turizmi është një urë lidhëse mes vendeve. Sipas saj, ky sektor duhet të zhvillohet gjatë gjithë vitit. “Turizmi jep ndikim në rritjen ekonomike. Ne e vlerësojmë bashkëpunimin” theksoi Gjermeni. Sfidat që paraqet sektori i turizmit dhe masat që duhen marrë për sezonin e ardhshëm turistik ishin në qendër të kësaj konference. Ministrja e Turizmit Eglantina Gjermeni përcaktoi si sfidë kthimin e vendit në një destinacion me një turizëm gjithëvjetor.
“Shqipëria po bën përpjekje intensive për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm. Shqipëria ka potenciale të pafundme, modele këto të cilat shërbejnë për të minimizuar efektet e sezonalitetit, për të rritur numrin e turistëve dhe kohëzgjatjen e tyre në vend. “Turizmi paraqet sfidat e veta, një prej të cilave është menaxhimi i sezonalitetit. Synimi ynë është kthimi i vendit në një destinacion me një turizëm gjithëvjetor. Ne po punojmë fort të rigjallërojmë traditën, të forcojmë kapacitetet lokale, të përmirësojmë shërbimet dhe rrisim investimet publike. Jemi të ndërgjeshëm që duhet të zhvillojmë një model që kombinon rritjen ekonomike, zhvillimin social dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore”, theksoi ajo.
Sipas Gjermenit, efektet e globalizmit kanë ritheksuar rëndësinë e partneritetit publik-privat, si modeli më i mirë për nxitjen dhe fuqizimin ekonomik dhe social të vendit. “Zhvillimi i turizmit nuk është vetëm një prioritet i qeverisë, por dhe një kërkesë imperative e sektorit privat. Rrugëtimi në familjen europiane na ka bërë më të vetëdijshëm mbi rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve dhe sektorëve të ekonomisë, ku ne ndihemi më të fortë dhe konkurues në treg”, tha ministrja e Turizmit. Për Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit, Taleb Rifai, Shqipëria ka bërë progres në drejtim të zhvillimit të këtij sektori dhe rritjes së numrit të turistëve. Në vizitën e tij të dytë në vendin tonë, Rifai tha se nisur nga kapacitetet që ka Shqipëria, numri i turistëve vijon të mbetet i vogël.
“Jemi këtu me të gjithë fqinjët tuaj të mirë për të shprehur mbështetjen dhe besimin për të ardhmen e turizmit në Shqipëri dhe rolin e madh që mund të luajë turizmi për zhvillimin social-ekonomik të vendit”, tha ai. Vendi juaj po zhvillohet dhe e ardhmja është premtuese, vijoi më tej Rifai duke u shprehur optimist se “Shqipëria është vendi i përshtatshëm për të diskutuar çështjen e kësaj konference”. Shqipëria është e bekuar, me një pejzash shumë të këndshëm me male, fusha, ujëra të shumta. Po ashtu dhe historia është shumë mbreslënëse. “Shumë turistë kanë ardhur në Shqipëri, shifrat janë katërfishuar. Në 2004 turistët ndërkombëtar në Shqipëri ishin pak mbi 600 000 persona, ndërkohë në 2013 viti u përmbyll me 2.4 milionë turistë ndërkombëtarë që kanë vizituar Shqipërinë. Kjo shifër është shumë e vogël krahasuar me atë që meriton Shqipëria, por është një shifër mbresëlënëse”, theksoi ai.