Kosova

Miratohet deklarata për themelimin e Asociacionit të komunave shqiptare në Serbi

 Këshilltarët shqiptarë të tri qyteteve të Luginës – Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, para pak çastesh miratuan Deklaratën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë shqiptare në Serbi, njofton KosovaPress-i.

Deklarata u miratua në mënyrë unanime, respektivisht asnjë nga 43 këshilltarët komunalë nga të tri komunat nuk votoi kundër.

Kryetari i Preshevës Ragmi Mustafa gjatë mbledhjes tha se sot është një ditë historike. Ai tha se shqiptarët e Luginës çdo ditë janë nën trysninë e deklaratave kërcënuese të qeverisë së Serbisë.

Ndërsa kryetari i Këshillit Nacional Shqiptarë Jonuz Musliu tha se rrugë tjetër nuk ka përveç realizimit të të drejtave të shqiptarëve të Luginës.

Sipas tij, Serbia gjithmonë ka qenë e interesuar për spastrim etnik dhe marrjen e tokave shqiptare.

Musliu theksoi se shqiptarët janë të vendosur që të realizojnë vullnetin e tyre dhe asgjë më shumë.

Në mbledhje nuk morën pjesë përfaqësuesit e opozitës në Preshevë, gjegjësisht Partia e Veprimit Demokratik e Riza Halimit.

Kuvendi i Këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës u mblodh sot për të biseduar për krijimin e Asociacionit të komunave shqiptare në Serbi.

Mbledhja u mbajt në Kuvendin e Komunës së Preshevës dhe në të moren pjesë përfaqësues të shqiptarëve të Luginës. Zyrtarët serbë reaguan me zemërim ndaj paralajmërimeve të udhëheqësve politikë të shqiptarëve për të themeluar asociacionin e komunave me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, tha se shqiptarët në Serbi nuk bën të jenë të diskriminuar, por ata duhet ta respektojnë kushtetutën e saj.

“Ua tërheq vërejtjen që të shtunën në Preshevë të mos bëjnë ndonjë paralele me Asociacionin e komunave serbe në Kosovë. Ua tërheq vërejtjen të mos luajnë me zjarrin dhe të respektojnë kushtetutën dhe rendin e Republikës së Serbisë. Fakti që Serbia është për bisedime nuk do të thotë se është e dobët, përkundrazi ajo është e fuqishme, më e fuqishme në 20-30 vjetët e fundit”, citohet të ketë thënë ai.

Udhëheqësit e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, thanë se të shtunën do të diskutojnë për gjendjen në atë zonë dhe do të themelojnë Asociacionin e këtyre tri komunave, të ngjashëm me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, që do të krijohet në bazë të marrëveshjes së arritur më 25 gusht në Bruksel në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përfaqësuesit shqiptarë kanë kërkuar në vazhdimësi trajtim të njëjtë për ta sikurse për serbët në Kosovë.

Udhëheqësit politikë të zonës thonë se situata në Luginë vazhdon të jetë e paqëndrueshme që nga viti 2001 kur mori fund konflikti ndërmjet forcave qeveritare serbe dhe kryengritësve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, që luftonin për më shumë të drejta të shqiptarëve në zonë.

Ata shumë herë kanë shfaqur shpresën që edhe procesi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të krijojë hapësirë për përmirësim të gjendjes në atë zonë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button