Mirdita nuk është thjesht territor, por identitet
Nga Plarent Ndreca
Kam ndjekur me vëmendje nga larg, debatin që po zhvillohet sot mbi reformën e re administrative dhe përpjekjen e dy forcave kryesore politike për të ndërtuar një hartë të re territoriale për Shqipërinë. Gjatë kësaj kohe kam pasur edhe debate me mikun tim Arb Mazniku mbi mënyrën se si po trajtohet në këtë proces Mirdita. Sa herë jemi ngritur nga tavolina, jemi ndarë me një dakordësi të pa qartë, por të mirëkuptueshme dhe miqësore.
Më duhet të them që në krye të herës, pa asnjë hezitim, se kjo reformë është një hap i rëndësishëm dhe meriton respekt për mënyrën se si po trajtohet deri tani nga dy bashkëkryetarët e komisionit. Vetë fakti që po ndërtohet përmes konsultimeve publike dhe një debati më të hapur sesa zakonisht ndodh në Shqipëri, është një vlerë në vetvete dhe meriton vlerësim të padiskutueshëm.
Pikërisht këtij debati synon t’i shërbejë edhe ky shkrim.
Meraku im mbetet Mirdita.
Kam frikë se edhe kësaj here ajo po shihet vetëm përmes syrit të ekonomisë, urbanizimit dhe eficiencës burokratike. Po trajtohet si një njësi administrative që mund të zvogëlohet apo bashkohet sipas logjikës së tregut dhe indikatorëve statistikorë. Mirdita është më shumë se territor. Është frymë. Është identitet. Dhe identitetet nuk maten me kilometra katrorë, me dendësi popullsie apo me volum taksash. Reforma administrative nuk është thjesht çështje organizimi teknik të pushtetit vendor. Nuk është vetëm matematikë buxhetore apo eficiencë administrative.
Ajo është, mbi të gjitha, një ndërhyrje në memorien historike, në vetëdijen kolektive dhe në mënyrën se si një komb zgjedh të kuptojë vetveten. Zhvillim, po. Modernizim, patjetër. Por duke respektuar rrënjët historike që e kanë mbajtur gjallë këtë komb, e jo duke i sheshuar ato në emër të uniformitetit administrativ.
Mirdita nuk është krijim zyrash apo vijash të vizatuara mbi hartë. Ajo është një nga shtyllat më të forta identitare të shqiptarëve. Ishte republika morale e shqiptarisë. Mirditorët ishin spartanët e maleve shqiptare. Për pesë shekuj, Mirdita mbeti një nga zonat më të mëdha e më autonome shqiptare përballë Perandorisë Osmane, duke arritur deri në nivelin e një principate të njohur edhe në kancelari perëndimore. Kjo autonomi bëri të mundur ruajtjen e një organizimi unik juridik, kulturor dhe moral.
Kanuni i Lekë Dukagjinit nuk ishte thjesht një ligj zakonor. Ishte monument juridik i vetëdijes shqiptare. Ishte përpjekja e maleve shqiptare për të ndërtuar drejtësi, rend dhe dinjitet në kohë pushtimesh e mungese shteti.
Kisha e Abat Doçit në Orosh nuk ishte thjesht një vend lutjeje. Ishte institucion kombformues. Pikërisht aty, në ato male që sot disa i shohin si kosto ekonomike, u mbrojt gjuha shqipe, u ruajt kultura dhe u ushqye mendimi kombëtar. Arkitekti i alfabetit që sot shkruajmë e lexojmë ishte pikërisht Abati i Oroshit dhe “Shoqnia Bashkimi” e tij.
Edhe dera e Gjomarkajve nuk ishte ajo që u dizenjua për pesëdhjetë vite nga propaganda komuniste, një derë feudalësh të etur për pushtet. Ajo ishte derë e autoritetit moral, vazhdimësisë historike dhe zëri i respektuar i atyre maleve në kancelaritë shqiptare e të huaja. Ishte dera garante e një bote ku ruheshin ligji, besa, nderi, fjala dhe krenaria e një populli që nuk pranoi të humbte identitetin e vet.
Mirdita u kthye kështu në një nga hapësirat më të mëdha dhe homogjene shqiptare, të bashkuar nga një ligj, një kulturë, një kujtesë historike dhe nga autoriteti moral i kishës katolike romane dhe derës së Gjomarkajve. Për pesë shekuj, kjo specifikë u respektua — qoftë edhe mes tensionesh — nga Perandoria Osmane, nga shteti i ri shqiptar dhe më pas edhe nga Mbreti Zog.
Pastaj erdhi terrori i uniformitetit.
Komunizmi nuk pranonte identitete organike. Nuk pranonte male të larta veç fusha të lëmuara. Nuk pranonte kujtesë historike. Nuk pranonte besë, fe, traditë apo autoritet moral jashtë partisë dhe ideologjisë së saj uniformizuese. Ndaj goditja e parë e madhe ndaj Mirditës ishte pikërisht reforma e shtetit totalitar. Shitur si reformë territori, por në fakt një operacion terrori ideologjik.
Mirdita duhej copëzuar. Duhej dobësuar. Duhej tretur. Zona të tëra iu kaluan krahinave të tjera, ku vijojnë të jenë edhe sot. Oroshi duhej zbehur. Kujtesa duhej çmontuar. Kleri katolik u vra, u internua apo u shkatërrua. Operacione të mëdha ushtarake u zhvilluan për të goditur strukturën shoqërore të ngritur ndër shekuj. Ishte një përpjekje brutale në emër të modernizimit, për të zhdukur jo thjesht një territor, por një mënyrë shqiptare të jetuari. Megjithatë, Mirdita mbijetoi. Mbijetoi si kulturë. Si krenari. Si kujtesë. Si lidhje e pashkëputshme me tokën e të parëve.
Sigurisht, ne duhet me patjetër të ndërtojmë një shtet modern, një shtet evropian, një pushtet lokal të fortë ekonomikisht dhe administrativisht. Por në të njëjtën kohë nuk duhet të harrojmë kurrë origjinën tonë, nga kemi ardhur dhe çfarë përfaqësojmë. Nuk duhet të harrojmë kurrë rrënjët tona që zbresin thellë në atë tokë ku prehen të parët tanë, një pjesë e madhe e të cilëve dhanë jetën dhe shkrinë gjithçka në mbrojtje të identitetit tonë kombëtar; pa të cilin, ndoshta sot nuk do të kishim as shtet, as komb, e askush nuk do të na njihte si shqiptarë.
Pikërisht kombinimi i këtyre dy faktorëve — modernizimit dhe ruajtjes së vlerave — do t’i rikthente Mirditës ekonominë e munguar, zhvillimin, modernitetin, por edhe ruajtjen e asaj çka ajo përfaqëson. Sepse zhvillimi i vërtetë ndërtohet mbi kujtesën historike si energji për të ardhmen. Jo gjithçka matet me ekonomi. Jo gjithçka zgjidhet me urbanizim. Jo gjithçka mund të shkrihet në logjikën sterile të eficiencës administrative.
Kombet që harrojnë rrënjët e tyre mund të ndërtojnë qytete më të mëdha, por rrezikojnë të mbeten pa emër. Shqipëria nuk duhet të integrohet duke pushuar së qeni vetvetja. Integrim, por si shqiptarë; modernizim, por me vlerat tona; reformë administrative, por me respekt për historinë dhe identitetin. Identiteti nuk është pengesë për zhvillimin, ai është arsyeja pse zhvillimi ka kuptim.
Ndaj ne duhet ta mbajmë lidhjen tonë me Mirditën. Ajo i ka dhënë gjithçka shqiptarisë. Nuk ka asnjë borxh ndaj nesh. Ne jemi ata që i kemi borxh asaj që të mos ia shuajmë emrin, të mos ia tresim kujtesën dhe të mos ia fshijmë kufijt e identitetit historik, politik dhe administrativ. Një mirditor, sado larg të shkojë, sado modern të bëhet, sado i shkëputur të duket nga vendlindja, nuk i shet trojet e tij. Ai gjithmonë mban një sy nga origjina dhe nga varret e të parëve të tij. Është një lidhje që nuk e këputën pushtuesit, nuk e këputi komunizmi dhe nuk duhet ta këpusë as reforma moderne.
Askush nuk e ka shprehur më bukur këtë lidhje sesa i madhi At Gjergj Fishta kur thoshte: “Edhe unë nga ai vend jam… e trojet e të parëve në Mirditë as nuk i kam shitë, as nuk i kam falë.”
Ndaj i dashur Arb, modernitet, ekonomi shkalle dhe eficiencë po. Patjetër. Por pa humbur emrin e madh e të bukur të atij vendi që është ruajtur me aq sakrifica, gjak dhe krenari ndër shekuj.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.