Ndryshime në Kodin Penal, Shqipëria përafron legjislacionin me BE-në për mbrojtjen e interesave financiare dhe luftën kund
Në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe përmbushjes së detyrimeve të Kapitullit 32 “Kontrolli Financiar”, Ministria e Drejtësisë ka depozituar një projektligj për ndryshime të rëndësishme në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. Nisma ligjore synon transpozimin e Direktivës (BE) 2017/1371, e cila fokusohet në mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Evropian përmes së drejtës penale, si dhe ashpërsimin e masave kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Sipas relacionit shpjegues të projektaktit, ky proces integrimi në fushën penale mbart një rëndësi të dyfishtë për sistemin e drejtësisë në vend, pasi:
“Rrit sigurinë juridike dhe harmonizon standardet e mbrojtjes së të drejtave themelore me ato të Bashkimit Evropian; fuqizon besueshmërinë e sistemit tonë penal në luftën kundër kriminalitetit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave, dhe formave të tjera të kriminalitetit trans nacional.”
Zgjerimi i mjeteve kundër krimit të organizuar dhe trafikimit
Krahas mbrojtjes së fondeve evropiane, drafti thellon masat ligjore për zbulimin dhe goditjen e strukturave të krimit të organizuar, duke përfshirë organizatat terroriste dhe bandat e armatosura. Për këtë qëllim, rishikohet kuadri i bashkëpunëtorëve të drejtësisë për të stimuluar zbardhjen e skemave kriminale.
Ndryshimet synojnë drejtpërdrejt:
“Identifikimin e bashkëpunëtorëve, strukturës hierarkike, pasurive dhe aktivitetit të tyre kriminal.”
Njëkohësisht, për të përafruar legjislacionin me Direktivën 2011/36/BE për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore, projektligji zgjeron përkufizimin e kësaj vepre penale. Relacioni thekson se është vlerësuar e nevojshme specifikimi i mjeteve të kryerjes së veprës, duke saktësuar elemente si:
“Kërcënimi, dhuna, shtrëngimi, mashtrimi, kurthi, shpërdorimi i detyrës apo përfitimi nga paaftësia e viktimës për të zgjedhur lirisht në nenin 110/a të Kodit Penal, duke forcuar kështu bazën ligjore për ndjekjen penale të këtyre veprave.”
Sanksione të ashpra për abuzimet me fondet dhe zyrtarët e BE-së
Drafti prezanton vepra të reja penale dhe sanksione specifike për çdo veprim apo mosveprim që dëmton interesat financiare të BE-së, përfshirë shpërdorimin e fondeve, mashtrimet ndërkufitare me TVSH-në, si dhe korruptimin e zyrtarëve evropianë.
Ndryshimet përfshijnë dënime të ashpra me burgim për dhënien ose marrjen e përfitimeve të parregullta nga nëpunësit e BE-së, anëtarët e Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian, Gjykatës së Drejtësisë apo Gjykatës Evropiane të Auditorëve. Dënimet për këto vepra variojnë nga disa muaj deri në 12 vjet burgim. Situata konsiderohet me pasoja të rënda kur dëmi ose përfitimi e kalon vlerën prej 10,000,000 lekësh, rast në të cilin dënimi shtohet me një të tretën.
Lidhur me përfitimet e pritshme nga miratimi i këtyre dispozitave, dokumenti zyrtar nënvizon se zbatimi i tyre pritet të sjellë:
“Ulja e rasteve të mashtrimit dhe korrupsionit. Rritje e besimit të publikut dhe investitorëve. Rritje e efikasitetit të drejtësisë. Përparim në procesin e integrimit evropian: Përafrimi me acquis të BE-së forcon pozicionin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit dhe demonstron angazhim ndaj standardeve evropiane.”
Dispozitat e përgjithshme të këtij ligji pritet të hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa nenet specifike që parashikojnë veprat penale lidhur me institucionet dhe zyrtarët e lartë të BE-së, do të marrin fuqi juridike në datën e anëtarësimit të plotë të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ky projektligj nuk sjell efekte financiare për buxhetin e shtetit.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.