Mirë për turistët, po për autoktonët zoti kryeministër!?

[author ][/author]
Populli i mbështet idetë tuaja për zhvillimin e turizmit elitar si dhe atij familjar.Tërë Jugu ju mban në gojë për hapjen e tunelit të Llogarasë. Do t’i japë një impuls si turizmit dhe lëvizjes së popullsisë së atyre anëve. Punimet për aeroportin e Vlorës janë gjithashtu një vlerë e shtuar për qeverinë që kryesoni. Pa renditur edhe të tjera objekte me rëndësi që jeni duke bërë,këto i keni realizuar edhe pse opozita thellësisht negative është përpjekur t’ju vërë gurë nën rrota. Me vendosmëri dhe guxim ia keni dalë. Megjithatë në këtë rrugë të suksesëshme zhvillimi të pandërprerë, edhe gabimet nuk i keni të pakta. Ato sikur ia zbehin shkëlqimin edhe veprave madhore.Një nga këto gabime të pafalshme dua të shtjelloj në këtë shkrim. E kam fjalën për bllokimin që i bëtë ju buzëdetit të Jonit. Dakord që janë ngritur dhe do të ngrihen hotele. Turizmi masiv qoftë ai elitar është një burim të ardhurash për popullsinë e këtyre anëve si edhe për shtetin. Ama rendja pas fitimit nuk duhet kurrsesi të privonte autoktonët nga shfrytëzimi i plazheve të tyre. Pushtimi Osman nuk u vuri gardhe në ato plazhe. Edhe PPSH-ja, kur ndërtoi Shtëpinë e Pushimit në Dhërmi nuk e bllokoi atë zonë vetëm për pushuesit. Nuk vuri as edhe një kufizim. Banorët e Dhërmiut dhe të zonës për rreth mund të vinin çadrat lirisht pranë pushuesve. Ndërsa ju sikur të ishit Zeusi i plotpushtetshëm i këtyre anëve, e keni pushtuar me urdhër tërë atë hapësirë. Shumica e pronarëve të hoteleve to vogla dhe të mëdha nuk janë nga këto vise. Janë miqtë që kanë bubrruar pranë qeverive për të patur përfitime. Jo vetëm ngritën objektet e tyre, po sa gjërësia e hoteleve kanë pushtuar edhe plazhet para tyre. Kanë vënë shezlonge, kanë ndërtuar kafe-restorante, disa mjaft të bukura. Janë kaq shumë zona të bllokuara nga këta pronarë, miq të qeverisë. Për autoktonët e Drimadhës, vetëm para Palasës, është lënë një zonë e lirë. Quhet Plazh Publik. D.m.th. plazh për ata që nuk janë turistë të hoteleve. Janë për vendasit, për autoktonët e Drimadhës. Sipërfaqja e Plazhit Publik (emër i bukur) nuk i kalon 300-500 metrat. Afërsisht e njëjta sipërfaqe edhe në Dhërmi është rezervuar si për ”mik” për banorët vendas. E tërë sipërfaqia e plazhit që është 5-6 kilometra, e tëra e bllokuar për turistët e hoteleve? Shezlonge po, gazibo gjithashtu, rrugica po. Dushe dhe tualete funksionale. Të mos harroj edhe çadrat. Të gjitha këto për t’u krijuar pushuesve kushte sa më të mira. Po në ato pak metra me emrin e bukur Plazh Publik, çfarë u ofrohet banorëve vendas si edhe klientëve të turizmit familiar që ju propagandoni aq shumë? Më vjen keq kur them se ASGJË. Ato parcela të vogla janë lënë gadi si në Mesjetë, madje edhe më keq. Po, po, më keq fare.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.