ArteTeater

Mirush Kabashi me monodramën “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit” në 23 mars në kuadër të ‘Pranverës frankofone

Monodrama “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit” vënë në skenë nga aktori Mirush Kabashi, “Nderi i Kombit”, do të shfaqet të mërkurën në 23 mars në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Aktiviteti organizohet në nder të shkrimtarit dhe dramaturgut francez Eric-Emmanuel Schmitt, i cili vjen në Tiranë i ftuar nga Botimet Toena dhe Ambasada Franceze, në kuadër të “Panverës frankofone”.

Premiera e veprës së interpretuar nga Mirush Kabashi i përket nëntorit të vitit 2008 në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, në skenën e të cilit aktori durrsak punoi për më shumë se 23 vjet. Më pas Kabashi, i cili përshtati për teatër novelën e shkruar nga Eric Emmanuel Schmitt, e ka shfaqur më shumë se 35 herë monodramën “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit” në qytete të ndryshme të Shqipërisë si, në Tiranë, Durrës, Shkodër, Kavajë, etj.

Vitin e kaluar në kuadër të Ditëve të Frankofonisë ai ishte i ftuar në qytetet e Prishtinës dhe Gjakovës (Kosovë), ndërsa më parë ishte prezantuar edhe në Ulqin (Mali I Zi) dhe në Toronto (Kanada). Udhëheqës artistik i monodramës “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit” është Alfred Bualoti dhe skenograf Hysni Loka, ndërsa teknikë të shfaqjes janë Tristan Sherifi dhe Julian Shyti.

Mirush Kabashi, me një karrierë 45-vjeçare, numëron mbi 100 role në teatër dhe më shumë se 20 të tjerë në kinematografi. Aktori që ka lëvruar me shumë sukses edhe recitimin dhe prezantimet televizive identifikohet më së shumti me kryerolin e Sokratit në monodramën e përgatitur prej atij vetë “Apologjia e vërtetë e Sokratit”, pamflet i shkruar nga Kostas Varnalis. Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës. Mirush Kabashi, i cili në fund të vitit 2014 u nderua me titullin e lartë “Nderi I Kombit”, më parë kishte titujt “Artist i Merituar”dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button