Mision i pashpresë
Marrëveshja e Minskut ka dështuar, thotë presidenti ukrainas Petro Poroshenko para vizitës së tij në Berlin. Në fakt pikat kryesore të saj nuk janë zbatuar.
Alexander Hug kishte lajme shqetësuese. Rebelët si dhe ushtria ukrainase u refuzojnë vëzhguesve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë hyrjen e lirë në zonat e kontrollit, tha zëvendëskryetari i Misionit të OSBE-së në Ukrainë gjatë një konference për shtyp javën e kaluar. Armëpushimi respektohet përgjithësisht”, tha Hug në Kiev, “por ai është delikat”. Dhe mbi të gjitha, ai është i kontrolluar jo si duhet.
Kështu nuk është plotësuar deri sot një komponent kryesor i marrëveshjes së Minskut, të arritur me 12 shkurt. Katër javë më vonë 460 vëzhgues të OSBE-së ende nuk mund të shkojnë kudo, ku dëshirojnë. Tani misioni duhet të dyfishohet në 1000 kontrollorë të dërguar nga shtetet anëtare. “Por çfarë kuptimi ka, nëse ata nuk lejohen kudo”, pyet një diplomat perëndimor në Kiev.
Frikë për shkak të informacioneve mbi destinacionet
Asnjëra nga të dy palët nuk dëshiron të bëjë të ditur, se ku ndodhen të depozituara armët e rënda. “Këto do të ishin të dhëna të mira për palën tjetër”, shfaq mirëkuptim një nga njerëzit e OSBE-së. Ai preferon të mbetet anonim. Por pa një farë besimi edhe ndaj vetë komunitetit ndërkombëtar çdo zgjidhje paqësore bëhet e pamundur.
Deri sot vëzhguesit nuk kanë lista inventaresh për pajisjet luftarake. Jo vetëm në vijën e frontit puna e tyre pengohet. Në bastionin e rebelëve Donetsk makinat e bardha të blinduara të OSBE-së ndalohen, nëse inspektorët largohen pa marrëveshje paraprake me rebelët nga vendi i parkimit. Atje dhe në kryeqytetin e dytë të separatistëve në Luhansk janë kuartieret qendrore të OSBE-së në Ukrainën lindore. Tri stacione të tjera ndodhen përgjatë vijës së frontit më shumë se 400 kilometrash në anën e ushtrisë ukrainase. Zona është e gjerë dhe e pamundur që të kontrollohet personalisht nga inspektorët. Prandaj do të ndihmonin avionet e zbulimit për të kontrolluar “pikat e përqëndrimit” të armëve të rënda.
Një plan, që është pothuajse aq i vjetër sa vetë misioni, dhe që ende nuk ka mundur të zbatohet. Nga katër avionët kontrollues pa pilotë janë në përdorim vetëm dy. Vitin e kaluar Bundeswehr-i gjerman dhe ushtria franceze duhej të ndihmonin, “por kjo dështoi për shkak të Rusisë”, thotë një diplomat perëndimor në Kiev. Dhe këtu nuk ka ndryshuar asgjë edhe pas marrëveshjes së dytë në Minsk.
Vëzhguesit mbeten të verbër
Në Minsk u ra dakord gjithashtu që vëzhguesve t’u jepen imazhe satelitore, që të mund të monitorojnë nga fare lart tërheqjen e armëve. Prej javësh selia e OSBE-së në Vjenë negocion me shtetet anëtare, por që me sa duket janë po aq të fshehtë si ushtria ukrainase dhe rebelët pro-rusë. Sepse shërbimet e fshehta të vendeve anëtare të OSBE-së hezitojnë. Pamjet duhet të dorëzohen në akutalitetin ditor. As amerikanët dhe as gjermanët nuk duan të japin fotot e tyre më të mprehta.
Dhe kështu opinioni ndërkombëtar dhe vëzhguesit në lindje të Ukrainës mbeten të verbër. Dhjetë kilometra në lindje të qytetit port Mariupol, të mbajtur nga ushtria ukrainase, vëzhguesit nuk mund të shkojnë përtej pikës së kontrollit të ushtrisë së rebeleve të Donetskut. Sidomos këtu supozohet se ndodhen shumë tanke ruse, kufiri rus është vetëm 30 kilometra larg. Vazhdimisht ka luftime me ushtrinë ukrainase në afërsi të qytetit të vogël Shyrokyne. Këtu shumica e ukrainasve presin ofensivën tjetër të madh të rebelëve, për të krijuar përfundimisht një korridor tokësor deri në Krimenë e aneksuar nga Rusia.
Këtu as vëzhguesit e OSBE-së nuk do të jetë në gjendje të ndryshojnë gjë. Megjithatë misioni tani do të zgjerohet. Javën e kaluar diplomatët gjermanë dhe rusë ranë dakord për të zgjeruar mandatin nga 500 deri në 1000 kontrollorë. Por implementimi mund të zgjasë, të paktën një vit e gjysmë. Vëzhguesve u duhen makina të blinduara. Në Kiev vlerësohet se së paku 125 makina të reja janë të nevojshme. Ka mungesë të çdo gjëje, edhe të telefonëve. Ndërsa lidhjet celulare pas muajsh të luftës në Ukrainën lindore vazhdojnë të përkeqësohen, mungojnë madje edhe telefonat satelitorë të pavarur nga rrjeti. Dhe kjo në një kohë që vija e armëpushimit shtrihet mbi disa qindra kilometra.
Ndërsa SHBA nga ana tjetër veprojnë: Javën e kaluar qeveria në Uashington deklaroi se do të furnizojë ushtrinë ukrainase me 230 automjete te blinduara të tipit “Humvee”. Edhe avionë zbulimi pa pilotë “Made in USA” do të qarkullojnë së shpejti mbi territorin e rebelëve për zbulimin e caqeve.