“Monitorimi” ndaj Shqipërisë, ja emrat e 20 eurodeputetëve
2 tetor – Sipas axhendës së publikuar më datë 2 tetor të këtij viti do të mbahet mbledhja e parë e delegacionit
20 anëtarë – Delegacioni i përbashkët parlamentar Shqipëri-BE ka në përbërje të tij 20 europarlamentarë
12 anëtarë – Sipas listës së publikuar rezulton se vetëm 12 deputetë janë anëtarë të përhershëm të delegacionit
4 italianë – Italia ka numrin më të madh të deputetëve që janë përfshirë si anëtarë të përhershëm të delegacionit
Dalin emrat e 20 eurodeputetëve që do të përbëjnë delegacionin e posaçëm të Parlamentit Europian dhe Shqipërisë. Në faqen zyrtare të Parlamentit Europian, në seksion e marrëdhënieve EU-Albania listohen 20 europarlamentarët, të cilët janë zgjedhur nga shtetet e ndryshme të BE-së. Ky grup i dalë nga zgjedhjet e fundit europiane, do të fokusohet vetëm për çështjen e integrimit për vendin tonë. Nga ky grup, vetëm 12 deputetë do të jenë në delegacionin e përhershëm, ndërsa 8 të tjerët janë caktuar me statusin e zëvendësuesve. Ky grup deputetësh nuk do të jetë pjesë e delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, që dikur kryesohej nga Eduard Kukan, por do të fokusohet vetëm te çështjet e Shqipërisë. Kjo për faktin se shteti ynë, pas marrjes së statusit të vendit kandidat, do të ketë një strukturë të posaçme për procesin e integrimit. Delegacione të posaçme do të kenë dhe Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, ndërkohë që Bosnja dhe Kosova përfaqësohen së bashku në një të tillë.
Kukan – Ai dikur mbante postin e kryetarit të delegacionit, tashmë është vetëm anëtar zëvendësues
Monitorimi – Delegacioni ndërparlamentar Shqipëri-Bashkimi Europian ka si qëllim ndjekjen nga afër të procesit integrues të shtetit tonë, për të cilat Shqipëria është angazhuar për plotësimin e kushteve
Pesë kushtet – Pas dhënies së statusit të vendit kandidat, Shqipërisë i janë caktuar pesë kushte për t’u plotësuar për çështjet e integrimit, të cilat konsistojnë në realizimin e disa reformave
Deklaratat – Delegacioni mblidhej sipas një axhende të përcaktuar. Pas disa konsultave dilej me një deklaratë të përbashkët, por ka pasur edhe raste në të cilat nuk është rënë në konsensus, për shkak të divergjencave
Përbërja
Tashmë shqiptarët nuk do të përballen më me europarlamentarë si Doris Pack, Tanja Fajon, Victor Bostinaru apo Nikola Vuljaniç. I vetmi që do t’i shfaqet sërish deputetëve shqiptarë është Eduard Kukan, i cili, në Parlamentin e shkuar, ka mbajtur postin e kryetarit të delegacionit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor. Kukan do të jetë vetëm anëtar zëvendësues në përbërjen e re të delegacionit Shqipëri-BE, pasi angazhimin e përhershëm do ta ketë në delegacionin mes BE-së dhe Serbisë. Në ‘skuadrën’ e anëtarëve të përhershëm figurojnë katër deputetë italianë, të cilët janë përfaqësues të Lëvizjes Pesë Yje, Forca Italia, Partia Demokratike. Më pas anëtarë të përhershëm janë tre deputetët gjermanë, ndërsa dy të tjerë janë zëvendësues. Nga Greqia janë dy deputetë, që u përkasin Forcës së Radikalëve të Majtë dhe Partisë Komuniste. Europarlamentarët e tjerë janë nga Kroacia, Sllovenia, Rumania, Sllovakia, Franca dhe Bullgaria. Mbledhja e parë e delegacionit të posaçëm parashikohet të mbahet më datën 2 tetor të vitit 2014. Në të pritet të caktohen dhe drejtuesit e rinj të këtij delegacioni. Përflitet se eurodeputetja rumune e grupit të djathtë, PPE, Monica Macovei, është pretendetja kryesore për këtë post në delegacionin për Shqipërinë. Macovei nisi karrierën e saj si prokurore në Rumani dhe u angazhua më pas në shoqërinë civile, si eksperte në Komitetin e Helsinkit dhe në Këshillin e Europës. Ajo u emërua ministre e Drejtësisë, megjithëse nuk ishte anëtare e ndonjë partie politike dhe mbahet mend për kryerjen e reformës së gjyqësorit, çfarë i mundësoi më pas vendit të anëtarësohej në Union. Përpara se të garonte për Parlamentin Europian në vitin 2009, Macovei punoi pranë qeverisë maqedonase si këshilltare për antikorrupsionin. Gjithsesi drejtuesit e këtij delegacioni pritet të caktohen më datën 2 tetor. Caktimi i një delegacioni të posaçëm për Shqipërinë do të sjellë një vëmendje më të madhe ndaj proceseve integruese të Shqipërisë, reforma dhe mbi të gjitha plotësimit të 5 kushteve të vendosura nga BE-ja ndaj shtetit shqiptar. Tashmë do të kemi ballafaqim në mënyrë më direkte mes Parlamentit Europian dhe deputetëve shqiptarë, pjesë të këtij delegacioni për proceset integruese.
Delegacioni BE-Shqipëri 12 anëtarët e përhershëm
- Marco Affronte, Itali,
- Silvia Costa, Itali
- Sven Giegold, Gjermani
- Gyorgy Holvenyi, Hungari
- Ivan Jakovçiç, Kroaci
- Georgios Katrougkalos, Greqi
- Monica Luisa Macovei, Rumani
- Susanne Melior, Gjermani
- Aldo Patriciello, Itali
- Elena Ethel Schlein, Itali
- Jutta Steinruck, Gjermani
- Patricija Sulin, Slloveni
Zëvendësues
- Jean Arthuis, Francë
- Monika Hohlmeier, Gjermani
- Eduard Kukan, Sllovaki
- Igor Soltes Slloveni
- Renate Sommer, Gjermani
- Vladimir Urutchev, Bullgari
- Sotirios Zarianopoulos, Greqi