Mosha e kandidatëve, debati kryesor i fushatës presidenciale në SHBA
Hillari Clinton është e shëndetshme dhe e aftë që të shërbejë si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu deklaroi mjekja e saj, Lisa Bardack, pasi ekipi i Clintonit publikoi dosjen e saj mjekësore.
Sipas Bardack, Clinton vazhdon që të përmirësohet pasi u diagnostikua me pneumoni. Publikimi i dosjes mjekësore të Clintonit vjen pasi të njëjtën gjë e bëri edhe rivali i saj republikan Donald Trump. Disa ndihmës të ish-Zonjës së Parë thanë se ajo do të kthehet në fushatë të enjten pasi e ka kaluar problemi shëndetësor që i shkaktoi probleme në fundjavë.
Mediat amerikane shkruajnë se të dy kandidatët presidencialë, mes më të moshuarve që kanë garuar për këtë post, kanë qenë në presion të madh për të publikuar dosjet e tyre shëndetësore. Që prej të dielës së shkuar, kur 68-vjeçarja Clinton u ndje keq në publik, çështjet shëndetësore të kandidatëve kanë dominuar fushatën elektorale.
Në kuadër të publikimit të dosjes së Clintonit, zyrtarë të fushatës së saj thanë se gjendja e saj fizike është normale, ndërsa ajo mendore e shkëlqyer. Sipas tyre, kura me antibiotikë dhe pushimi kanë bërë që Clinton të rimëkëmbet shumë mirë.