Rusia ndalon eksportet e benzinës nga prodhuesit vendas
Zv/kryeministri rus, Alexander Novak, ka bërë të ditur se Rusia do të ndalojë eksportet e benzinës nga prodhuesit vendas duke filluar nga 1 prilli, në mes të krizës në Lindjen e Mesme.
Qeveria ruse njoftoi se Novak zhvilloi një takim me përfaqësues të Ministrisë së Energjisë, Shërbimit Federal Antimonopol, Bursës së Shën Petersburgut dhe kompanive të industrisë.
Duke cituar dy burime të njohura me çështjen, agjencia shtetërore e lajmeve Tass raportoi se masa u miratua pas takimit dhe do të mbetet në fuqi deri më 31 korrik, me qëllim stabilizimin e çmimeve të karburantit në tregun vendas.
Gjatë takimit, Novak theksoi se kërkesa e lartë për burimet energjetike ruse në tregjet e huaja mbetet një faktor pozitiv, pavarësisht “turbulencave në tregun global të naftës dhe produkteve të naftës”.
Ministria e Energjisë tha se vëllimet e përpunimit të naftës mbeten në nivelet e marsit të vitit 2025, duke siguruar furnizim të qëndrueshëm me produkte të naftës, ndërsa kompanitë e industrisë konfirmuan rezerva të mjaftueshme të benzinës dhe dizelit, si dhe shfrytëzim të lartë të kapaciteteve të rafinerive për të përmbushur kërkesën e brendshme.
Ndërprerja e ngushticës së Hormuzit që nga fillimi i marsit, rruga ujore përmes së cilës kalojnë në kushte normale rreth 20 milionë fuçi nafte në ditë, ka rritur kostot e transportit dhe ka shtyrë çmimet globale të naftës në rritje. /os/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.