Muçaj: Etiketimi i produkteve me ndikim në energji, pjesë e piketave përmbyllëse për negociatat
Në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, u prezantua sot projektligji “Për etiketimin e produkteve me ndikim në energji”.
Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj u shpreh se përafrimi që ndodh me këtë ligj ka një shkak, dhe kjo nismë nga ana e MIE-s lidhet me direktivën 2009/125 të Parlamentit Evropian, e cila ka të bëjë me kërkesat e projektimit ekologjik.
“Direktiva është rishikuar në vitin 2024. Ajo që shihni si përafrim të pjesshëm ka të bëjë me një qasje që na ndihmon shumë në Planin e Rritjes dhe të Reformave që kemi ndërmarrë me këtë qëllim, duke ndarë procesin në dy pjesë. Një ligj i posaçëm për kërkesat e projektimit ekologjik do të vijojë për të gjithë listën tjetër të produkteve, jo vetëm atyre me ndikim në energji, për të cilat Ministria e Ekonomisë do të jetë e përfshirë, sepse kjo lidhet me produkte që ndodhen sot në qarkullimin civil dhe kanë të bëjnë me të drejtat e konsumatorëve”, tha Muçaj.
Muçaj nënvizoi se në këtë ligj, arrihet të realizohet një nga masat e agjendës së reformave që ka mbështetje në buxhetin e shtetit.
“Përpara se ne të njiheshim me rregulloren e re në kuadër të negociatave me BE-në, kemi punuar për ta përmbyllur mbi bazë të kërkesave për projektimin ekologjik. Në këtë projektligj kemi parashikuar edhe dy ndryshime. I pari ka ardhur në kuadër të piketave përmbyllëse me BE-në në nëntor 2025. Dhe është kërkuar që në ligjin tonë për etiketimin e produkteve me ndikim në energji të kemi të detajuara të dhënat dhe mënyrën e funksionimit të një databazë operacionale për produktet që kanë ndikim në energji”, vijoi ajo.
“Kemi një nen 4 të ri që përcakton se sipas Këshillit të Ministrave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Ekonomisë të krijojnë dhe mirëmbajnë një databazë online që aksesohet nga operatorët e tregut. Baza e të dhënave të produkteve nuk do të zëvendësojë përgjegjësitë e autoriteteve të mbikëqyrjes së tregut”, tha Muçaj.
Sipas Muçajt, “baza do të mbështesë autoritetet e mbikëqyrjes së tregut duke përfshirë zbatimin e saj dhe do t’i ofrojë publikut informacion mbi produktet në treg dhe etiketat e tyre të energjisë, si dhe do të ofrojë informacion të përditësuar për treguesit e energjisë”, tha Muçaj.
/e.i/j.p/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.