Kosova

Mustafa: Opozita pjesë e debatit, jo dhunë në seanca

 Seanca e Kuvendit të Kosovës po vazhdon pa pjesëmarrjen e opozitës, ndërkohë kryeministri Isa Mustafa duke marrë fjalën e ftoi atë të marrë pjesë në debat dhe jo të kundërshtojë me mjete jo demokratike.

“Ftoj opozitën të marrë pjesë në debat të thotë vërejtet për asociacionin, demarkacionin dhe dialogun. Ata përfaqësojnë një pjesë të popollit, qytetarët i kanë votuar të marrin pjesë në seancë jo të gjuajnë gaz lotsjellës. Kundërshtoni me fakte dhe argumente. Mënyra se si po protestojnë opozita nuk është mënyrë demokratike”, tha Mustafa në seancë.

Më parë deputetët e opozitës bllokuan foltoren, ndërsa kryesuesi i seancës nënkryetari Xhavit Haliti i dha fjalën deputetit Ismail Kurteshi të VV-së, i cili tha se “në Kosovë nuk ka situatë normle që nga shtatori, e fajtorë janë ata që kanë nënshkruar marrëveshje kundërkushtetuese”.

Nga foltorja e Kuvendit  Kurtesh i bëri thirrje qytetarëve për protesta dhe tha se opozita tani po largohet nga Kuvendi.

Deputeti i VV-së, Sali Salihu, hodhi dy herë gaz lotsjellës në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Para se të marrte fjalën kryeministri Mustafa, kryesuesi i seancës Kuvendit, Haliti njoftoi se nga opozita kreministrit të Kosovës i ishte hedhur ujë dhe për këtë i kërkoi  falje.

Kryesuesi i seancëns plenare tha se opozita është larguar nga seanca e Kuvendit të Kosovës. Deputetët e opozitës pas fjalës së përfaqësuesit të tyre, deputetit Kurteshi, kanë braktisur seancën dhe pritet vendimi i tyre për veprime të mëtejshme.

Në nisje të seancës fillimisht në Kuvend dha betimin deputeti i ri Ali Berisha i AAK-së, i cili zëvendëson deputetin e dorëhequr Ramush Haradinaj – kryetari i partisë.

Në seancën e sotme të kuvendit në rend dite parashikohej diskutimi i disa projektligjeve. Ndërsa përfaqësues të Vetëvendosjes kishin paralajmëruar më parë bllokimin sërish të seancës plenare.

Deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi, tha për median pas ndërprerjes së seancës se “opozita po vazhdon protestën e saj, do të vazhdojmë kështu dhe kushdo që e ka pritur ndryshe e ka gabim. Opozita po vazhdon drejt rrugës së saj të përbashkët deri kur ta arrijmë qëllimin, nuk jemi larg”, tha Selimi.

Edhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, theksoi se “opozita është e bashkuar dhe me të njëjtat qëllime”.
Ai ftoi qytetarët që t’i bashkohen opozitës në protestën e 26 marsit.

“Edhe njëherë e vërtetuam që opozita është e bashkuar, e kundërshojmë këtë institucion që e ka humb legjitimitetin, e ftojmë popullin që më datë 26 të dalë në sheh që ta kundërshtojmë këtë qeverisje me dy veprimet e saj antikushtetuese”, tha Haradinaj.

Deputeti i VV-së Selimi u shpreh gjithashtu se “edhe NISMA është me opozitën, ishim bashkë tre grupet parlamentare”.

Pak para se të hynte në sallën e Kuvendit të Kosovës deputetja e AAK-së Donika Kadaj – Bujupi, tha se opozita është e bashkuar për ta forcuar kundërshtimin ndaj këtij pushteti.

Pasi, sipas saj pushteti po shfrytëzon këtë vakum institucional për interesa të veta duke kapur tashmë edhe presidencën.

Opozita e bashkuar me kërkesat për largimin e qeverisë dhe zgjedhje të jashtëzakonshme po kundërshton dhe bllokon me hedhje gazi lotjsellës, si dhe protesta seancat plenare të Kuvendit që nga fundi i verës së 2015, gjatë gjithë sesionit vjeshtor dhe në sesionin pranveror. Opozita hodhi sërish gaz lotjsellës edhe ne seancën e kaluar të jashtëzakonshme të 26 shkurtit, kur me 71 vota të gjithsej 120 deputetëve, u zgjodh Presidenti i ri i Republikës, i cili merr detyrën pas më pak se një muaji, në 7 prill, me dhënien e betimit në Kuvend.

Në kundërshtimet në vazhdim, në 4 mars opozita kosovare ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën që konteston zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. President i ri i Kosovës u zgjodh kryetari që nga fillimi e deri tash i PDK-së, Hashim Thaçi, sipas marrëveshjes së koalicionit të dy partive më të mëdha kosovare.

Rendi i ditës për seancën e sotme parashikon shqyrtimin e disa projektligjeve si ai për Gazin Natyror; për Rregullatorin e Energjisë; për Energjinë Elektrike, për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme në Kosovë; për Falimentimin; për Rregullat e Komunikacionit rrugor; për Sigurinë në Punë në Veprimtarinë Minerare, për mjekësinë ligjore.

Në seancë pritet të dikutohet edhe shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit për Integrime Evropiane lidhur me Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, për Raportin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për standardizimin, propozimi për formimin e Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, propozimi për formimin e Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media si dhe propozimi i Grupit Parlamentar të PDK-së, për emërimin e anëtarëve në komisionet Parlamentare.

Pjesë e seancës së sotme është edhe koha për deklarime jashtë rendit të ditës; koha për pyetje parlamentare; miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme; formimi i Organit Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e anëtarëve në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button