Mustafa: Presim që edhe qeveria e Serbisë të punojë në zbardhjen e krimeve në Kosovë
Presim që edhe qeveria e Serbisë të punojë në zbardhjen e krimeve në Kosovë, thekson kryeministri Isa Mustafa, pasi fillimisht shprehet se “Fondi për të Drejtën Humanitare i Serbisë zbuloi dokumente që flasin për përgjegjësinë e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe për krimet e luftës në Kosovë”.
Ai shton se, ky është edhe një shembull i mirë i betejës së guximshme që serbët brenda këtij Fondi po e zhvillojnë për të zbardhur krimet në Kosovë. “Por, kjo flet se njerëzit që kryen krime makabre në Kosovë ende mund të jenë në vendet më të rëndësishme në pushtetin serb. Presim që edhe qeveria e Serbisë do të punojë në zbardhjen e krimeve, të udhëhequra nga shefi i saj i armatës dhe tjerët ndaj popullit të Kosovës, si një prej kushteve bazë të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve”, shkruan Mustafa në ‘Facebook’.
Ai vijon se, qeveritarët serbë duhet të tregojnë përgjegjësi ndaj krimeve dhe dëmeve që shteti i tyre i ka bërë në Kosovë dhe të reflektojnë për përgjegjësinë e tyre. “Kosova dhe familjet kosovare rënkojnë nga dhimbja për të vrarët dhe të pagjeturit e tyre, prandaj gjithë ata që kanë marrë pjesë në vrasje dhe zhdukje duhet ta marrin dënimin e merituar”, përfundon Mustafa.