“Narkotikët” zbresin në Kuvend, Dule akuza qeverisë; reagon Tahiri
Debati për narkotikët dhe ndikimin e përfolur të tyre në zgjedhjet lokale në Dibër ka zbritur në Parlament, në seancën e kësaj të enjteje. I pari që ka prekur këtë temë ka qenë deputeti demokrat Flamur Noka, i cili ka deklaruar se në Durrës është rrëzuar sot një avion që transportonte hashash.
“Në Durrës sapo ka rënë një avion me hashash. Kryeministri thotë se nuk ka drogë. Provat janë tani në Durrës, ikni shikojini”, u ka thënë Noka deputetëve.
Më tej, Noka ka akuzuar qeverinë se funksionon si një organizatë kriminale, e cila sipas tij duhet të shporret një orë e më parë.
“Kjo qeveri është një organizatë kriminale, nuk ka zgjedhje me të. Me këta ka vetëm një rrugë, që të shporren. Për t’i shporrur duhet revolucion, sepse ndryshe nesër do të jetë vonë. Ky është një rrezik real, ndaj vetëm revolucioni e zgjidh këtë punë”, ka thënë Noka.
Dule: Tahiri dhe Rama të përgjigjen për fenomenin e narkotikëve
Edhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule ka shprehur shqetësimin e tij për këtë fenomen. Dule ka theksuar se institucionet, qendrore dhe vendore, duhet të mbajnë përgjegjësi për situatën dhe madje të japin llogari.
“Ku është pushteti vendor? Kemi përgjegjësi! Zoti kryeministër, zoti ministër na thoni si arritëm në këtë situatë dhe si janë ndarë përgjegjësitë. Vendet fqinje kanë bllokuar sasira më të mëdha se çdo vit tjetër, ndërsa ju thoni se keni shkatërruar sasi më të mëdha se çdo vit tjetër. Çfarë po ndodh? Nuk ishit të përgatitur për këtë situatë? I keni toleruar? Apo, më keq, keni bashkëpunuar për kultivimin?”, ka thënë Dule, i cili nuk i ka kursyer tonet kritike në adresë të ministrit të Brendshëm dhe vetë kryeministrit.
“Zoti ministër, thuhet se ju shkatërroni plantacionet pasi është bërë vjelja e parë, që është dhe më cilësorja, ose pasi janë prishur pazaret. Nuk keni pse na e ktheni hipokrizinë në sistem vetëm prej kryeministrit”, ka thënë Dule.
“Ne kemi një kryeministër që këshillon amerikanët për kandidatin për president, që u sugjeron britanikëve për Brexit. Si nuk flet asnjëherë në takimet e tij për këtë fenomen, që shkatërron familjen dhe shoqërinë?”, ka vijuar kreu i PBDNJ-së.
Sipas tij, dy janë fenomenet që diskutojnë shqiptarët sot, narkotikët dhe largimi nga vendi, që sipas tij po e kthejnë vendin në një republikë kaukaziane ose latine.
“A është efekti i narkotikëve në diferencën spektakolare të zgjedhjeve në Dibër? Unë ndihem humbës si politikan dhe si kryetar i një force politike. Pse? Të gjithë ata njerëz që e shitën votën kanë një arsye madhore, vota dhe demokracia nuk është më çështje për ta. Ua kemi imponuar ne me varfërinë dhe skamjen. I intereson vetëm buka e përditshme”, ka shtuar Dule.
Tahiri: Kanabisin e toleroi opozita e sotme. Ne po e luftojmë
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i është përgjigjur akuzave të kreut të PBDNJ-së duke i thënë se, “duhet të informoheshe zyrtarisht para se të këshilloheshe nga portale dhe analistë”, që sipas tij “fryhen me listëpagesat e këtyre këtu (deputetëve të PD)”.
Tahiri ka thënë se, narkotikët është një fenomen që është trajtuar me shqetësim prej tij që kur ka marrë detyrën dhe i qeverisë që kur ka ardhur në pushtet.
“Ky është një shqetësim për mua që kur mora detyrën e ministrit, shqetësim që ju nuk e keni ngritur kurrë në këtë Parlament. Sali Berisha ka deklaruar publikisht se në Lazarat nuk kemi ndërhyrë sepse kishte vendim politik. Cili ishte vendimi politik? Përdorimi i atyre grabitqarëve në zgjedhje? Unë këtë e refuzoj”, ka thënë Tahiri, i cili ka theksuar se kjo çështje nuk duhet të politizohet.
“Do të preferoja që kjo të mos shihet në lupën e luftës politike. I keni shkelur syrin çdo njeriu në çdo fshat për të mbledhur vota, nuk janë të paktë ata në këtë sallë që e kanë bërë këtë”, ka vijuar ministri.
Sipas tij, “jo më pak sesa 3 vjet më parë ky vend ishte plot me kanabis dhe Guardia di Finanza i dorëzoi ish-kryeministrit një raport zyrtar, ku me grafik dhe koordinata tregohej se ishin 300 hekatrë me hashash.
“Dhe këta shkatërruan vetëm 7 për qind të sipërfaqes. Kush e mbron kanabisin, ne që shkatërrojmë 96 për qind të sipërfaqeve, apo këta që shkatërronin 7 për qind?”, ka shtuar Tahiri.