Ndalimi i monopatinave, ministri: Burim aksidenti, nuk jemi gati për lëvizjen e lirë të tyre
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka deklaruar se vendi nuk është ende i përgatitur për të lejuar lëvizjen e lirë të monopatinave, pasi mungon një plan i plotë masash sigurie. Ai theksoi se ndalimi i tyre u bë për të mbrojtur jetën e qytetarëve, duke i cilësuar si burim aksidentesh dhe kaosi në trafik.
“Janë mbi 2500 aksidente, përfshirë këtu edhe humbje jete. Të mos harrojmë që janë mjete lëvizëse dhe burim aksidenti, si dhe problem kaosi në trafik. Koha provon që vendime të caktuara që duken të forta, rezultojnë të duhura. Besoj fort që padyshim situata e mëparshme nuk mund të vijojë. Ky vendim është marrë në konsultim me grupe interesi”, tha Lamallari.
Ai shtoi se shifrat e aksidenteve nuk mund të injorohen dhe se çdo nismë ligjore për rikthimin e monopatinave duhet të bazohet në një plan të mirëmenduar sigurie.
“Pasi jam njohur me shifrat, konsultimet dhe draftet, e kam shumë të vështirë t’i injoroj ato, pasi do të ishte tradhti ndaj të dëmtuarve, përfshirë edhe drejtues të monopatinave. Jam ngurrues që të shkoj me nisma të ndryshme ligjore derisa të ketë diçka të mirëmenduar”, tha ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.