Ndërtimi, transporti ajror, energjetika ulin Vlerën e Shtuar Bruto në 3-mujorin e dytë
Sektorët e ndërtimit, transportit dhe energjetika sipas treguesit të Vlerës së Shtuar Bruto (VSHB), ndikuan që ekonomia në 3-mujorin e dytë të pësojë rënien prej 0,61 % kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Drejtori i INSTAT, Gjergji Filipi tha sot për mediat se “kontributin kryesor në këtë rënie e dhanë degët e ekonomisë si ndërtimi me -2,79 pikë përqindje, transporti me -0,73 pikë përqindje dhe industria me -0,20 pikë përqindje, ku në nëndegën “Prodhimi dhe shpërndarja e energjisë elektrike dhe gazit”, rënia vlerësohet me -0,96 pikë përqind”.
Ndryshe nga këto sektorë, shërbimet kontribuan pozitivisht me +1,23 pikë përqind, bujqësia, gjuetia, pyjet e peshkimi me +0,95 pikë përqind dhe dega “Tregti, Hotele dhe Restorante” me +0,94 pikë përqind.
Degët kryesore të ekonomisë për 3-mujorin e dytë 2014, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar 2013, që rritën Vlerën e Shtuar Bruto janë bujqësia dhe shërbimet. Ndërsa sektorët e bujqësisë rritën VSHB-në me 3,18 %, grupi i degëve Tregti, Hotele dhe Restorante u rrit me 7,09 %. Në këtë grup tregtia u rrit me 8,12 % ndërsa hotelet dhe restorantet vetëm 0,69 %.
Grupi “Shërbime të tjera” shënoi gjithashtu rritje me 4,55 % më shumë ndaj 3-mujorit të dytë 2013. Në këtë grup ndikim pozitiv dhanë gjithë sektorët si administrata publike, arsimi, shëndetësia, sektori financiar, aktivitetet e tjera të shërbimit kolektiv, social, kulturor etj. Me rënie në këtë grup u shfaq sektori i pasurive të patundshme, rentës dhe aktiviteteve ndihmëse të biznesit (aktivitete ligjore, të arkitekturës, inxhinierike, konsulenca financiare, komerciale, etj).
Sektori i ndërtimit vijoi rënien e nisur në vitet e fundit edhe gjatë 3-mujorit të dytë 2014, që llogaritet në 22,39 % më pak, krahasuar me 3-mujorin e dytë 2013. Edhe sektori i transportit shënoi rënien 23,05 % në 3-mujorin e dytë 2014, krahasuar me të njëjtin 3-mujor të vitit të shkuar, ku ndikim më negativ dha transporti ajror.
Gjithashtu grupi i industrive pësoi rënien 1,29 % në 3-mujorin e dytë sivjet, ndaj të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Ndonëse brenda këtij grupi industria nxjerrëse dha ndikim pozitiv me një rrite 7,56 %, ecurinë negative e dha performanca e ulët e industrisë përpunuese me 6,62 % dhe nëndega energjia elektrike, që pati rënien 29,20 %.
Rënie të VSHB-së dha dhe grupi postë-komunikacion me 1,02 %.
Ndonëse Vlera e Shtuar Bruto (VSHB) në 3-mujorin e dytë u ul me 0,61 % kundrejt të njejtës periudhë të vitit 2013, ndryshimet mes dy tremujorëve të parë 2014, paraqesin tregues të ndryshëm nga ai vjetor, sepse në krahasim me tremujorin e parë 2014, treguesi i Vlerës së Shtuar Bruto u rrit me 0,38 % në të dytin.
Me rritje në 3-mujorin e dytë, krahasuar me të parin 2014, janë grupet “Tregti, Hotele dhe Restorante” me 2,58 %, aktiviteti Bujqësor 1,59%, grupi i industrive me rritje 1,41 %, sektori i transportit 2,03 %, posta-komunikacioni me 0,72 %, shërbime të tjera me 0,65 %.
Me rënie në 3-mujorin e dytë ndaj të parit 2014, rezultojnë aktivitetet e ndërtimit me rënie 8,54 %