Kronika

Ndoka: PD ka deputetë vrasës

ndokaDeputeti i Partisë Socialiste i qarkut të Lezhës, Arben Ndoka ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike se ka qenë i dënuar me burg në Itali për prostitucion.

Ndoka në sqarimin e tij shprehet se, është dënuar në mungesë padrejtësisht dhe se ai nuk ka pasur lidhje me ngjarjen.

Nga ana tjetër, deputeti i PS-së ka akuzuar palën tjetër duke thënë se në radhët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike ka vrasës komisionerësh.

Reagimi i Arben Ndokës:

Pasi më në fund u kuptua që opozita e paska pasur fjalën për mua, pasi shumë kriminelë dhe vrasës komisionerësh i ka në krahun e saj, doja të sqaroja disa momente për opinionin publik që të shmangen abuzimet e qëllimshme nga elementë të caktuar.
Opozita ka publikuar një vendim gjykate për mua duke vazhduar në këtë mënyrë përpjekjet e saja për të bërë pis emrin dhe figurën time.

Po ju jap disa fakte në lidhje me publikimet e opozitës, për të sqaruar elektoratin i cili më ka votuar, dhe pse shumica prej tyre më njohin shumë mirë dhe e dinë historinë e jetës time si dhe të gjithë opinionin publik të cilin po përpiqet të manipulojë opozita.

Në moshën 18-vjeçare, si shumica e shqiptarëve dhe rinia lezhjane, pjesë ë të cilës isha dhe unë, emigruam për një jetë më të mirë në shtetin italian ku na sistemuan për disa muaj në një kamp për emigrant në Monopoli dhe më pas jam sistemuar në qytetin e Perugias ku kam qëndruar dhe punuar disa muaj.

Ngjarja të cilës i referohet vendimi i publikuar në media nga opozita është pikërisht për këtë periudhë të qëndrimit tim në shtetin italian. Gjatë kësaj periudhe më ka ndaluar policia italiane dhe pasi janë bërë sqarimet për ngjarjen në fjalë me të cilën nuk kisha aspak lidhje, siç e vërteton dhe fashikulli hetimor, kam vazhduar i qetë rutinën e jetës time në atë qytet.

Më pas vendosa të kthehem në vendin tim ku kam vazhduar normalisht jetën duke punuar gjithmonë me ndershmëri dhe duke investuar në arsimin dhe kualifikimin tim profesional si jurist dhe avokat.

Procesi ka vazhduar pa dijeninë time si në shumë raste në vendet fqinje dhe ndaj meje është marrë një masë në mungesë duke, jo vetëm mos u mbrojtur në proces nga ndonjë avokat por përkundrazi duke u abuzuar me mungesën time nga avokatët e të akuzuarve të tjerë, për të lehtësuar klientët e tyre duke rënduar pozitën time.

Këtë e provon dhe fakti që personat të cilët akuzoheshin si autor morën dënime minimale ndërsa ndaj meje, për krijimin e lehtësirave ishte dhënë një masë shumë më e rëndë me të cilën jam njohur krejt rastësisht në vitin 2002.

Gjatë kësaj periudhe, si para dhe më pas, kam lëvizur shumë herë në shtetin italian dhe në gjithë Europën për arsye pune dhe biznesi, pasi kam ushtruar për shumë vite dhe vazhdoj ta ushtroj detyrën si Sekretari i Dhomës së Tregtisë të Qarkut Lezhë, emërim ky i cili mbante firmën e njërit prej ministrave të qeverisë Berisha të asaj kohe.

Pasi u ktheva nga shteti italian kam krijuar familjen time e cila përbëhet nga bashkëshortja ime dhe dy vajzat e mia. Njëkohësisht kam punuar në Gardën e Republikës, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Ndërtimore dhe në Drejtorinë e Policisë Qarkut Lezhë ku rezultatet e punës në institucionet e sipër përmendura janë të larta dhe më se të verifikueshme. Më pas, në Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, u riktheva sërish si Drejtori i Drejtorisë të Ekzekutimeve dhe më pas si Drejtor i Drejtorisë Teknike deri në momentin e kandidimit si deputet, duke pasur këto emërime firmën e ministrit të qeverisë Berisha dhe Sekretarit Përgjithshëm të Partisë Demokratike.

Krahas punës në institucionet shtetërore kam arritur me mund të ngre dhe biznesin privat ku prej vitesh bashkëpunoj me një firmë të fuqishme në qytetin e Veronës në Itali. Këto aktivitete janë lehtësisht të verifikueshme përmes lëvrimeve dhe kredive bankare.

Për të konkluduar, këtë fatkeqësi timen të ndodhur në adoleshencë për lapsus të sistemit të drejtësisë italiane opozita po përpiqet ta transformojë në njollë dhe në të kaluar kriminale me fjalët më të rënda për dinjitetin tim personal dhe të familjes time e cila nuk i përket racës çnjerëzore as të Strazimirit, as të Ristanit apo Berishës etj për të cilët do të flas më vonë gjëra të cilat nuk janë dëgjuar kurrë nga shqiptarët dhe pse disa mund t’i dinë, por nuk marrin guximin që t’i thonë.

Këto janë strategji të vjetra të Berishës, të cilat i ka përdorur me fise në verilindje të Shqipërisë dhe brenda llojit si në rastin Meksi, Hajdari etj. Por unë dua t’i kujtoj opozitës se në ndryshim nga shumë deputetë të saj, unë nuk kam zgjedhur të kandidoj në ndonjë qytet tjetër por pikërisht në qytetin ku jam rritur dhe ku më njohin të gjithë.

A mund të më thoni si mund t’ju kërkoja unë votën dhe mbështetjen popullit të Lezhës nëse nuk do të isha ballë hapur para tyre? A mund të arrihej ai rezultat rekord i cili u arrit në qytetin e Lezhës nëse unë do të përfaqësoja atë që pretendon opozita?

Këtë sqarim e bëj për mbarë opinionin publik dhe jo për një pjesë të fëlliqësirave të PD të cilët i njoh mirë dhe më vjen turp që i kam në krah, duke i kërkuar ndjesë pjesës të shëndoshë të saj. Ju mund të mundoheni sa të doni të bëni pis emrin tim, por lezhjanët do më njohin gjithmonë si “Beni” që ju është gjendur gjithmonë pranë në hallet dhe problemet e tyre me aq mundësi sa kam pasur, shumë më parë se të merrja mandatin e deputetit.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button