Ekonomia

Në afatgjatë, efekti i parave të drogës është negativ në ekonomi

Flet prof..dr. Adrian Civici, president i UET

Në pamje të parë duket sikur paratë e drogës japin një ndikim pozitiv në ekonomi, se në fund të fundit “financime” janë. Por, parë në një këndvështrim më afatgjatë, efekti i tyre është negativ. I këtij mendimi është prof. dr Adrian Civici, president i Universitetit Europian të Tiranës. Ai thotë se fenomeni i pastrimit të parave mbështetet në dy kolona të rëndësishme: informaliteti, përfshirë këtu dhe mashtrimet financiare; dhe korrupsioni apo klientelizmi me struktura apo institucione shtetërore dhe ato ligjzbatuese

Mendoni se ndërtimi është një nga sektorët më të ekspozuar në Shqipëri për të pastruar paratë e trafikimit dhe kultivimit të drogës?

Nuk mendoj se në Shqipëri, sektori i ndërtimit është sektori më i përshtatshëm apo më i favorshëm për të pastruar paratë e siguruara nga droga. Natyrisht, në mjaft përvoja ndërkombëtare si në vendet e zhvilluara ashtu dhe ato në zhvillim apo me ekonomi emergjente, ka mjaft shembuj se ndërtimi është sektori më i predispozuar për të pastruar paratë e drogës ose çdo lloj paraje tjetër e fituar në mënyrë jo të ligjshme, por në rastin e Shqipërisë dhe specifikave se si financohet sektori i ndërtimit, kryesisht ai i ndërtesave për banim, ka mundësi të kufizuara që të zbatohet ky sistem. Në Shqipëri, ndërtimet e këtij tipi bëhen kryesisht me kreditim paraprak të blerësve ndaj ndërtuesit, ose siç quhet shitje që në themel të apartamenteve. Ndoshta për ndërtimet me natyrë tjetër, si qendra të mëdha biznesi apo shërbimesh, kjo skemë mund të funksionojë. Mundësitë që ky sektor të jetë në njëfarë mënyre një lloj lavatriçe e pastrimit të parave të drogës është fakti se kemi të bëjmë me sasi të mëdha investimesh, të cilat fshehin burimin e tyre ose nuk mbulohen dot nga kreditë bankare të deklaruara. Në këtë rast, çdo masë për luftimin e informalitetit dhe rritjen e transparencës financiare do të ndihmonte për frenimin dhe eliminimin e këtij fenomeni negativ.

Si rrezikohet ekonomia nëse kemi financimin e parave të drogës në të?

Në pamje të parë duket sikur paratë e drogës japin një ndikim pozitiv në ekonomi, se në fund të fundit “financime” janë. Por, parë në një këndvështrim më afatgjatë, efekti i tyre është negativ. Së pari, nuk janë para që sigurohen në mënyrë të qëndrueshme dhe nga njëri moment në tjetrin mund ta destabilizojnë stabilitetin financiar me “tepricat” apo “mungesën” e tyre; së dyti, janë para krejtësisht informale që njëkohësisht nxisin një shkallë të lartë informaliteti në të gjithë drejtimet dhe sektorët ku përdoren; së treti, norma e tyre e fitimit destabilizon gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë reale dhe aktiviteteve formale ekonomike, duke zhvlerësuar pa të drejtë aktivitetet e rregullta e formale dhe duke ulur interesin për to; së katërti, konsumi që provokojnë këto para është mjaft specifik dhe bazohet tek një kategori e vogël zotëruesish të këtyre parave, duke e devijuar strukturën ekonomike dhe atë të konsumit që është normale për shtresa të gjera të popullsisë.

Çfarë duhet bërë për të parandaluar pastrimin e parave të pista, specifikisht në sektorin e narkotikëve?

Çdo masë politike që forcon formalizimin e ekonomisë dhe redukton përdorimin e cash-it në transaksionet e përditshme do ta frenonte së tepërmi këtë fenomen. Njëkohësisht, kontrollet e vazhdueshme dhe zbatimi me rigorozitet i rregullave të deklarimit dhe kontrollit të pasurive dhe burimit të të ardhurave do të kontribuonte ndjeshëm në këtë aspekt.

Nëse pastrohen paratë e pista, mendoni se ka një implikim të strukturave shtetërore që lejojnë të ndodhë ky proces?

Natyrisht që po. Fenomeni i pastrimit të parave mbështetet në dy kolona të rëndësishme: informaliteti, përfshirë këtu dhe mashtrimet financiare; dhe korrupsioni apo klientelizmi me struktura apo institucione shtetërore dhe ato ligjzbatuese. Mendoj se ky fenomen duhet luftuar në të dy këto drejtime themelore. Gjithashtu, ne kemi nevojë të përsosim edhe më shumë performancën dhe cilësinë e standardet e punës të organeve specifike shtetërore që janë të ngarkuara me ligj për parandalimin e pastrimit të parave të të gjithë origjinave që mund të jenë këto para.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button