Opinion

Në pritje të cunamit të referendumit

NGA ZENEL HOXHA

Shumë britanikë, të pavendosur në çështje votimesh, u siguruan të votojnë në referendumin ndoshta më të rëndësishëm të kësaj gjenerate, atë të qëndrimit ose jo në Europë. Ky është treguesi i parë i testimeve të kryera mbi pjesëmarrjen dhe ndërgjegjësimin, është edhe treguesi më i madh se sa serioze është çështja. Ky referendum nuk është aspak një çështje qëndrimesh midis dy apo më shumë partive politike apo çështje e përmbushje të një premtimi elektoral nga Kryeministri aktual David Camerun për një referendum të tillë brenda vitit 2017. Normalisht, politikanët britanikë vlerësohen shumë nga përmbushja e premtimeve elektorale apo mbajtja e fjalës së dhënë.

Personalisht, në një analizë të thjesht të zhvillimit të tregtisë, e cila po bëhet gjithnjë e më ndërkombëtare me kompani që bashkohen për të mbijetuar në disa raste apo lulëzuar në këtë treg, jam pro qëndrimit në Bashkimin Europian, dhe publikisht kjo është vota ime. Por çështja që dua të trajtoj nuk është tek qëndrimi i individëve me të drejtë vote, por a janë kombet e tjera të ndikuara nga ky referendum dhe a kanë marrë ata ndonjë masë në rast të daljes së Britanisë nga Unioni.

Ky referendum është vendimtar mbi mënyrën e jetesës që Britania dëshiron të ketë në mbi 50 vitet e ardhshme. Por gjithashtu është një referendum që mund të ndryshojë, në rast se votohet për t’u larguar nga BE, aleancat politike brenda Europës dhe rrjedhimisht, përparësitë, mbështetjet financiare dhe tregtinë ndërkombëtare. Shqipëria, megjithëse nuk ka një zë, të paktën është shumë simbolike në marrëdhëniet tregtare me Europën apo Britaninë, çuditërisht është përmendur me dhjetëra herë në fushatën e këtij referendumi. Padrejtësisht është ironizuar apo përdorur si simbol i problematikave të mundshme. Një politikan deklaron se do të bëjmë marrëveshje të veçantë tregtie me Shqipërinë, në rast të daljes nga Bashkimi Europian. Një politikan tjetër deklaron se turistët britanikë do duhet të fillojnë të prenotojnë pushimet në Shqipëri, pasi në Europë do t’u kushtojnë shumë në rast të daljes në Unioni. Kompani të mesme e të mëdha, brande me peshë në tregtinë ndërkombëtare, theksojnë se dalja e Britanisë nga BE do t’i bëjë të mendojnë seriozisht largimin e tyre nga Britania, pasi kostot e të bërit biznes do të jenë më të mëdha.

Konkretisht, Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit apo të Bashkimit Europian janë të pasigurta se çfarë efekti ekonomik kjo dalje do të ketë, nëse ndodh. E gjithë vëmendja është zhvendosur në debatin se ç’kosto ka Britania për këtë veprim. E sigurt është që, nëse shumica e votës është për daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian kjo do të krijojë precedentin që edhe vende të tjera të BE-së, që kanë tashmë shenja të qarta të partive të ekstremit, do të kërkojnë të mbajnë referendume të tilla.

Bashkimi Europian do duhet të hyjeënë një fazë të rinegociimit të marrëveshjeve me Britaninë, fazë që ligjërisht zgjat deri në dy vjet, por që historia ka treguar që shumë elementë dhe zona gri të marrëveshjeve do të dalin në pah herë pas here duke kërkuar ri-përshtatje të legjislacioneve. Kjo sigurisht që është një kosto e pa-kuantifikueshme, për momentin, për individët dhe për kompanitë të përfshira në tregti me Britaninë. Europa do të duhet të ndërmarrë një seri reformash të mëdha, në mënyrë që të dalë nga kriza dhe të përballojë mungesën e kontributit prej 13bn GBP të Britanisë në buxhetin e BE-së. Kompanitë më të goditura do të jenë ato financiare, të cilat do të detyrohen të konsiderojnë seriozisht largimin e zyrave qendrore nga Britania.

Një nga gazetat më të rëndësishme, “Daily Telegraph”, e quan hapja e “Kutisë së Pandorës” që mund të çojë në “shembjen e projektit BE”. E kjo ndodh (nëse), kur Shqipëria dhe vende të tjera aspirojnë që t’i bashkohen Bashkimit Europian, zona ekonomike me përfitim nga bashkëpunimi i lirë.

Dalja e Britanisë do ta detyrojë Bashkimin Europian të rishikojë dhe riformatojë funksionimin e tij, që me siguri do të thotë shtyrje në kohë të gjatë Shqipërisë për t’u bërë anëtare i Bashkimit Europian. Do të thotë tkurrje e fondeve për të adresuar boshllëqet e brendshme të krijuara nga dalja e Britanisë. Pra, Shqipërisë nuk do t’i mund të ofrohet ndihma e shumëpritur në procesin e asociimit, rritjes së standardeve të prodhimit, mbështetjes së SME-ve dhe, mbi të gjitha, mbështetje për reformat e shumta që duhet të ndërmarrë vendi ynë.

E megjithatë, shumica e shqiptarëve që jetojnë në Britani dhe kanë të drejtë vote janë pro qëndrimit në Bashkimin Europian. Po kështu, edhe shumë britanikë që i gëzohen bashkëjetesës me kombësitë e tjera dhe impaktit pozitiv në GDP që sjell emigracioni. Pra, me gjithë ndikimin e vogël që ne kemi në tregti apo dhe në emigracion, përsëri Shqipëria është përmendur shumë në këtë fushatë. Ndaj, urojmë që Britania të zgjedhë më të mirën e mundshme dhe Shqipëria të kuptojë e të përdorë pozitivisht këtë moment historik.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button