Në QSUT problemi nuk janë mjekët
Prej disa muajsh mjekët janë bërë shënjestër publike nga dy palë: qeveria që ka shpallur testimin kombëtar për ta, teksa disa video qarkullojnë në media e rrjete sociale, si dëshmi e situatës jo aq të panjohur të shëndetësisë në Shqipëri, por dhe qytetarëve, që po rikthejnë mëritë e vjetra e të reja me gjuhë e gjeste agresive ndaj mjekëve në përgjithësi.
Deri para 9 muajsh, si shumë qytetarë të tjerë, e kam përjetuar nga jashtë debatin mbi nivelin e shërbimit shëndetësor publik në Shqipëri, me dëshmi të miqve e të të njohurve, apo edhe nga raportimet e mediave. Por prej 9 muajsh po përjetoj një eksperiencë familjare në shërbimin onkologjik të Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”. Kushdo që po më lexon, mund të bëjë me mendje pyetjen që shumë miq ma kanë drejtuar personalisht: Përse shkove në shërbimin publik? Përgjigjja është e thjeshtë: Besimi te mjekët e shërbimit onkologjik publik! E në këta nëntë muaj, nuk jam penduar për asnjë moment për zgjedhjen që bëra, edhe pse nuk ishin emra “të mëdhenj” të mjekësisë shqiptare. Mbase kam qenë me fat, por mjekët që shoqëruan procesin e trajtimit onkologjik deri te ndërhyrja kirurgjikale, i gjeta çdo herë të përkushtuar e të interesuar në këtë rrugëtim që nuk mbaron asnjëherë, aspak i lehtë, si për pacientin, ashtu edhe të afërmit e tij. A janë të gjithë mjekët të tillë? Nuk jam aq naive të besoj në situata ideale, se ato nuk gjenden askund, por mjekë të tillë ka plot në shërbimin tonë shëndetësor. E megjithatë, kjo nuk e bën shëndetësinë publike një sektor për t’u marrë shembull. Sepse problemet janë aty e bashkëjetojnë me pacientët, mjekët e infermierët. Gjithçka fillon te mënyra se si është e organizuar puna. Radhët e gjata që veç shtohen, sepse tumori, që kryeministri ynë e ka bërë pjesë të pandarë të verbit të vet, është një sëmundje që haset pothuaj sa gripi. Burokracitë që gjithashtu shtohen nga muaji në muaj, për të hapur vende pune për aleatët në koalicion thuhet nën zë, deri te rojet, që ende shijojnë 200-lekëshin e famshëm për të hapur derën, pikërisht atë 200-lekësh për të cilin me një video të dyshimtë, u pushua nga puna pa të drejtë sqarimi një mjeke me përvojë. Meqë procesi i kimioterapisë është një trajtim periodik me cikle, çdo herë përballesh me “shpikjen” e re të rilindjes së shëndetësisë, për të treguar që ka ndryshim. Ndryshon sistemimi i zyrave, por shtohet numri i njerëzve që punojnë në to. Te spitali ditor mund të hasësh një “superinfermiere”, e cila, e vetme ndihmon dy mjeket në turn dhe kryeinfermieren, shkon te kartoteka për të marrë kartelat, te farmacia e spitalit për ilaçet, e në fund, edhe u bën infuzionin 18 pacientëve tumoralë në dy turne, e gjitha në një kohëzgjatje që i shkon përtej orarit për të cilin paguhet. Prej shtatorit të vitit të kaluar, i është shtuar edhe një “detyrë” tjetër: marrja e ilaçeve të kimioterapisë te farmacia e spitalit për çdo pacient. Pikërisht këtu nisin problemet, që kanë sjellë denoncimet e shumta në media për cilësinë apo sasinë e ilaçeve që u jepen pacientëve gjatë trajtimit të detyruar. Deri në shtator të vitit të kaluar, procedura e ilaçeve të kimioterapisë që jepen falas, kishte një procedurë krejt transparente. Mjekja i jepte recetën pacientit, e ky i fundit shkonte e i tërhiqte personalisht ilaçet te farmacia e spitalit. Natyrisht jo të gjitha ilaçet gjendeshin, e kështu me lekët në dorë, i gjente te farmacitë përballë QSUT-së. Sasinë e ilaçeve ia dorëzonte infermieres, që i përgatiste me serum në sy të pacientit, e me këtë transparencë niste e mbaronte infuzioni. Por prej shtatorit, del një urdhër i ri. Pacienti nuk ka më mundësinë as të shohë me sy ilaçet që do marrë. Ky proces bëhet pas dyerve të mbyllura të farmacisë së spitalit. Punonjësit e farmacisë i përgatisin ilaçet e ia dorëzojnë infermieres, që do realizojë infuzionin. Përse vallë një proces që ishte krejt transparent, u bë me dyer të mbyllura? Përse pacientët nuk duhet më të shohin fizikisht as ilaçet që do marrin (cilësinë e tyre), e as përgatitjen e tyre (a futen në përgatitje të gjitha ilaçet e recetës së mjekut?). Kjo pyetje iu adresua ministrit të Shëndetësisë në emisionin “Tonight” dhe përgjigjja e z.Beqaj ishte se nuk ka arsye pse pacientët duhet të asistojnë në një proces të tillë, edhe pse kjo procedurë kishte ekzistuar pa ankesa deri në shtator 2014. Përgjigje më qesharake e cinike nuk mund të jepej nga një ministër Shëndetësie. I njëjti ministër që pasi i mbyll dyert transparencës, nuk merr përgjegjësi për atë çka ndodh pas dyerve të farmacisë, cilësinë e ilaçeve apo sasinë e tyre, që jo pak pacientë e kanë denoncuar publikisht. Personalisht jam konsideruar me fat, sepse përveç herës së parë, kur u zhduk kjo transparencë, kam dyshuar te ky “ndryshim” procedure dhe ilaçet i kam blerë privatisht. E mbarëvajtjen e trajtimit, ia dedikoj edhe kësaj mënyre personale të të bërit të gjërave.
Atyre që u ka shpëtuar ky detaj, natyrisht që i shohin problemet te mjekët. Këta të fundit mund të kenë mëkatet e tyre, por në rastin e Onkologjikut, problemi është vetë ministria që urdhëron a pranon praktika të tilla okulte, që së pari prishin atë procedurë që ka ekzistuar para 23 qershorit te Onkologjiku: transparencën e mjekimit. Se kujt i shërben kjo gjë, përse nuk reflektohet, përse luhet me atë fije shprese, që i motivon pacientët me tumor të vazhdojnë një betejë shumë të gjatë e të lodhshme, për të pasur disa vite jetë më shumë, këto janë pyetje që më shumë se në ndërgjegjen politike, duhet të rëndojnë në ndërgjegjen njerëzore të ministrit të Shëndetësisë, e atij që e ka emëruar, gjithnjë nëse e kanë një ndërgjegje.
Kjo eksperiencë reale është vetëm një ilustrim për të treguar se në QSUT, problemi kryesor nuk janë mjekët, siç po pretendon qeveria. Jemi të gjithë dëshmitarë se shëndetësia, prej vitesh është parë si sektori i qokave për aleatët në koalicionet qeverisëse, duke e gërryer vit pas viti cilësinë, e kushtet në të cilat kurohen pacientët e punojnë mjekët. Korrupsioni i bluzave të bardha, për ata mjekë që guxojnë të bëjnë pazar me pacientin, nuk duhet lënë jashtë vëmendjes, por është shumë më i vogël në raport me gropën e madhe të mbetur në sistemin tonë shëndetësor, pavarësisht parave të hedhura rregullisht, si nga buxheti i shtetit apo edhe donatorët, për kushte që as nuk i afrohen normalitetit të spitaleve private. Nuk ka asgjë të keqe që mjekët të testohen për njohuritë profesionale, nga autoritete të fushës së tyre. Por atyre, ashtu si edhe pacientëve, u duhen krijuar kushtet ku do zhvillohet kjo bashkëjetesë e detyruar. Pse jo në një nivel të përafërt me çdo ministër, që e kemi parë të nisë detyrën nga rikonstruksioni i zyrës së vet, thjesht për ta personalizuar, e jo për të përmirësuar komoditetin ekzistues. E më tej me transparencën se si janë përdorur e po përdoren paratë që hidhen në shëndetësi, mbi mënyrën se si po bëhet emërimi i personelit mjekësor dhe si po fryhet organika e administratës së këtij sektori për të punësuar militantë e jo profesionistë. Deri tani, këto nuk duken pjesë të reformës që po pretendohet në shëndetësi. Nisja e “reformës” nga mjekët mban erë militantizëm politik e jo shërbim publik.
MIMOZA KOÇIU