Kronika

Nesër nis Muaji i Ramazanit, kreu i KMSH-së mesazh për besimtarët

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njofton se nesër, më 27 maj, nis Muaji i Ramazanit për të gjithë besimtarët myslimanë. Kryetari i KMSH, Skënder Bruçaj, i ka drejtuar këtë mesazh, qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit:

“Të nderuar besimtarë myslimanë shqiptarë kudo që ndodheni, në Shqipëri, në trevat Shqiptare dhe në mbarë botën.

Në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, por edhe në emrin tim personal, kam kënaqësinë dhe nderin t’ju uroj gëzuar muajin e begatë të Ramazanit.

Nesër me datë 27 maj është dita e parë e këtij muaji të Bekuar, dhe njëkohësisht dita e parë e agjërimit për të gjithë besimtaret myslimane anë e mbanë botës.

Ramazani është muaji i paqes, i solidaritetit dhe i mëshirës hyjnore. Ramazani është muaji ku dalin në pah vlerat universale humane; të bujarisë, të mirësisë, të dashurisë, te respektit ndaj njeri-tjetrit, vlerat që simbolizojne moralin e lartë shoqëror.

Ramazani është një kohë e rëndësishme reflektimi për të gjithë besimtarët për të përmirësuar lidhjet fare-fisnore dhe shoqërore me njëri-tjetrin, për të forcuar ndjenjën e bujarisë dhe solidaritetit me njerëzit në nevojë! Është momenti kur besimtarët rifreskojnë beslidhjen e tyre me Krijuesin e Gjithësisë, duke forcuar raportin me Zotin.

Agjërimi i muajit të Ramazanit na mundeson një barazpeshë mes shpirtërores dhe materiales, mes zemrës dhe arsyes, mes vullnetit dhe diturisë. Agjërimi i afron besimtarët më shumë me vlerat e dashurisë, respektit ndaj tjetrit, bamirësisë, sinqeritetit, dhe çdo besimtar ndjehet më afër dhe më mirënjohës ndaj miresive të Zotit të Botërave.

Ramazani është një ftesë hyjnore për të gjithë ne, për të trokitur në portën e Mëshirës së Pafundme, të të Gjithëmëshirshmit, një rrugëtim drejt edukimit moral e shpirtëror, drejt maturimit te zemrave, drejt fisnikërimit të ndjenjave, drejt njohjes së përgjegjësive tona në raport me Krijuesin, me veten, familjen, të afërmit dhe shoqërinë.

Të nderuar bashkëkombës!

Ky muaj i begatë na sjell në vëmendje kujdesin dhe përkushtimin që duhet të kemi për njerëzit në nevojë, për jetimët, për individët me aftësi të kufizuara, dhe për të gjitha shtresat e tjera të shoqërisë që kërkojnë kujdesin tonë në përmbushjen e nevojave të tyre, në mënyrë që të mbretërojë mirësia, begatia, harmonia dhe paqja në të gjitha familjet shqiptare.

Të dashur vëllezër dhe motra besimtare, kudo që gjendeni, në Shqipëri dhe jashtë saj, uroj dhe lutem përzemërsisht për të gjithë që devotshmëria, përkushtimi dhe sakrifica që do tju shoqëroje gjatë këtij muaji të bekuar, Krijuesi e Gjithësisë tjua kthejë në mirësi, mbarësi, dhe paqe mbi të gjithë ju, familjet tuaja dhe mbarë shoqërinë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button