Nga fusha e sportit te arkitektura e shtetit
Sporti, dhe në veçanti futbolli, duhet të lexohet si një mekanizëm kompleks i ndërtimit të identitetit dhe i promovimit të interesit shtetëror. Nga fushat e konfliktit të shekullit XX te stadiumet e shekullit XXI, rrëfimi i Kosovës ka kaluar nga tragjedia në afirmim, nga izolimi në përfaqësim. Sot, përmes këtyre sportistëve, ajo artikulon një gjuhë universal, gjuhën e meritës, profesionalizmit dhe dinjitetit

Në horizontin e një rendi ndërkombëtar gjithnjë e më të ndërlikuar, ku shtetet e reja përballen me sfida të shumëfishta të legjitimitetit dhe dukshmërisë, ndeshja e fazës së eliminimit (play-off) ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, e paraparë të zhvillohet më 31 mars për kualifikim në kampionatin botëror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tejkalon kufijtë e një eventi sportiv. Ajo shfaqet si një tekst i heshtur, por i fuqishëm, i diplomacisë publike, ku sporti artikulohet si një formë e rafinuar e ndikimit ndërkombëtar një manifestim konkret i konceptit të Soft power.
Në këtë plan, fusha e lojës nuk është më vetëm një hapësirë konkurrimi fizik, por një arenë simbolike ku projektohen aspiratat shtetërore dhe ndërtohet narrativa e sovranitetit. Përmes performancës, disiplinës dhe etikës së lojës, Kosova synon të afirmohet si një subjekt politik i besueshëm, duke e shndërruar reputacionin në kapital diplomatik. Kjo është një formë e komunikimit ndërkombëtar që nuk mbështetet në imponim, por në tërheqje; jo në forcë të ashpër, por në bindje përmes shembullit.
Në thelbin e kësaj narrative qëndron një gjeneratë futbollistësh që përfaqëson më shumë sesa një ekip kombëtar ata janë një trupë simbolike e një identiteti në formim. Të rritur dhe të formuar në akademitë dhe ligat e Perëndimit, këta sportistë mishërojnë një kulturë të re të profesionalizmit, meritokracisë dhe përgjegjësisë kolektive. Ata janë produkt i sistemeve funksionale, ku suksesi ndërtohet mbi rregulla të qarta dhe standarde të larta, por mbi të gjitha, ata janë dëshmi e një lidhjeje të pashkëputshme me origjinën.
Kjo lidhje shndërrohet në një akt të vetëdijshëm përfaqësimi: veshja e fanellës kombëtare nuk është thjesht një detyrim sportiv, por një deklaratë identitare. Në mungesë të një investimi të drejtpërdrejtë shtetëror në formimin e tyre, përkushtimi i tyre merr një dimension moral, duke dëshmuar se identiteti kombëtar nuk është produkt i strukturave, por i ndërgjegjes. Kësisoj, ata ndërtojnë një urë midis diasporës dhe shtetit, midis përvojës individuale dhe aspiratës kolektive.
Në këtë kontekst, sportistët e Kosovës duhet të lexohen si bartës të një etike të re shtetformuese. Ata ofrojnë një model funksional të bashkimit përtej fragmentarizimit politik dhe social. Në lojën e tyre, individualiteti nuk zhduket, por vihet në funksion të kolektivit; talenti nuk absolutizohet, por harmonizohet me disiplinën; suksesi nuk është rastësi, por rezultat i një vizioni të përbashkët. Kjo është pikërisht ajo që shpesh mungon në praktikën politike: koherenca midis qëllimit dhe veprimit.
Prandaj, dimensioni normativ i kësaj analize është i qartë dhe i pashmangshëm: elitat politike të Kosovës duhet të reflektojnë mbi këtë model. Në një kohë kur ndarjet e brendshme dhe mungesa e meritokracisë shpesh e dobësojnë funksionalitetin institucional, përvoja e kësaj gjenerate sportive ofron një leksion të drejtpërdrejtë. Bashkimi rreth një objektivi të përbashkët, ndërtimi i besimit të ndërsjellë dhe funksionimi mbi baza profesionale janë parime që në sport prodhojnë fitore dhe që në politikë do të mund të prodhonin stabilitet dhe zhvillim.
Në një rrafsh më të gjerë analitik, kjo ndeshje hap edhe një reflektim mbi pozicionimin e Kosovës në atë që mund të quhet “tregu global i shteteve”. Në këtë hapësirë konkurruese, ku shtetet matin veten jo vetëm përmes fuqisë ekonomike, por edhe përmes reputacionit diplomatik dhe kapitalit kulturor, hyrja në “ligën e madhe” kërkon më shumë sesa ekzistencë formale. Kërkon performancë të qëndrueshme, standarde të larta dhe aftësi për të ndërtuar besueshmëri në kohë.
Analogjia me futbollin është këtu më shumë se metaforë: ashtu si një ekip që synon të kualifikohet në një kampionat botëror, edhe një shtet që synon integrimin ndërkombëtar duhet të përmbushë kritere të qarta dhe të dëshmojë konsistencë në veprim. Në këtë kuptim, gjenerata aktuale e futbollistëve të Kosovës përfaqëson pikërisht këtë potencial: një kombinim të profesionalizmit, disiplinës dhe aftësisë për të konkurruar në mënyrë të barabartë me aktorë më të konsoliduar.
Kjo trajektore nuk mund të kuptohet jashtë kontekstit historik dhe gjeopolitik që e ka formësuar Kosovën si subjekt politik. Roli i NATO’s dhe ndërhyrja vendimtare e Shteteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë Luftës së Kosovës përbëjnë themelin mbi të cilin është ndërtuar liria dhe mundësia për afirmim ndërkombëtar. Nga një realitet i mbijetesës, Kosova ka kaluar në një fazë të re atë të konkurrencës, ku sfida nuk është më ekzistenca, por performanca.
Në përmbyllje, kjo analizë synon të artikulojë një tezë të qartë: sporti, dhe në veçanti futbolli, duhet të lexohet si një mekanizëm kompleks i ndërtimit të identitetit dhe i promovimit të interesit shtetëror. Nga fushat e konfliktit të shekullit XX te stadiumet e shekullit XXI, rrëfimi i Kosovës ka kaluar nga tragjedia në afirmim, nga izolimi në përfaqësim. Sot, përmes këtyre sportistëve, ajo artikulon një gjuhë universal, gjuhën e meritës, profesionalizmit dhe dinjitetit.
Kjo gjuhë nuk është vetëm për publikun ndërkombëtar; ajo është një thirrje e heshtur për vetë elitën politike. Sepse nëse shteti dëshiron të jetë i qëndrueshëm, dinjitoz dhe konkurrues në skenën globale, ai duhet të mësojë nga ata që, në heshtje dhe me përkushtim, tashmë po e përfaqësojnë atë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Shkup, 30 mars 2026



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.