Nikos Dendias, arsyet e një vizite që s’ka lidhje me detin
Nga Ylli Pata
Vizita në Tiranë e ministrit grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias, sipas të gjitha gjasave nuk ka lidhje me çështjen e njohur të kufirit detar ndërmjet dy vendeve.
Edhe pse një jurist ekselent e një politikan nga më të rëndësishmit e vendit të tij, duket se vizita e sotme, nuk ishte thjeshte një dërgim mesazhi prej shefit të tij, apo marrje mesazhi nga Edi Rama.
Sipas të gjitha gjasave kemi të bëjmë me një lëvizje të rëndësishme politike ndërmjet dy vendeve, drejt një hapi të ri të marrëdhënieve, për të cilat deri tani ka vetëm hipoteza.
Megjithatë, një sinjal natyrisht simbolik, kanë dhënë qoftë kryeministri shqiptar, qoftë ministri grek i Mbrojtjes.
“Kryeministria – Me Ministrin grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias, një mik i çmuar dhe një mbështetës i palëkundur i partneritetit strategjik mes Shqipërisë e Greqisë”, shkroi Edi Rama në rrjetet sociale.
Një kod i qartë që lexohet si një diskutim pikërisht mbi “partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe Greqisë” me një nga partizanët e saj në Athinë.
Dendias, një politikan veteran i Nea Demokratia, ministër në disa kabinete të konservatorëve grekë, është nga Korfuzi, me origjinë familjare nga bregu, madje është thënë edhe nga Vunoi.
Mes tij dhe Kryeministrit Edi Rama, ka një miqësi të hershme e të ngushtë, që kur ai ishte ministër i Jashtëm gjatë mandatit të parë të Kyriakos Mitsotakis.
Dendias, i ka të gjitha atributet për të qenë një negociator i rëndësishëm, i pakompleksuar dhe që ka një besim si nga shefi i tij Mitsotakis, ashtu edhe te kreu i qeverisë shqiptare.
Po çfarë mund të negocojë Shqipëria me Greqinë? Siç dihet paketa e famshme që nisi me Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushatin, e cila fillonte me ligjin e luftës dhe përfundonte me pronat e shqiptarëve në Greqi nuk e shtyu gjatë.
Qeveria e majtë e Alexis Tsipras, i cili në mandatin e dytë pati një patericë të djathtë ekstreme si ministër i Mbrojtjes, nuk e kishte mundësinë për të çarë në relacionet me Shqipërinë. Marrëveshja me Maqedoninë e Veriut, e cila në thelb u negoocua nga SHBA dhe BE, e rrëzoi nga pushteti.
Të majtët, qoftë PASOK, qoftë Syriza, edhe pse kanë dhënë shenja zbutjeje dhe përdorur retorika më të buta se të djathtit, në realitetkanë përdorur stërkëmbësa nacionaliste.
Në vitin 1997, në Greqi drejtonte PASOK dhe kryeministër ishte Kostas Simitis. Por zv.ministri i tij i Jashtëm, Janis Kranidiotis hyri në Sarandë, në një vizitë trazuese dhe që shkaktoi polemika. Sidomos prej Turqisë, pasi kryeministrja e atëhershme turke Tansu Çiller e akuzoi Athinën se po prek sovranitetin e Shqipërisë, duke bërë deklaratën se atë do ta mbrojë Turqia.
Ajo deklaratë është mbivlerësuar shumë në aspektin turbofolk në Shqipëri, pasi në realitet nuk kishte punë me ne.
Kranidiotis ishte një politikan i PASOK-ut, me lidhje direkte me Qipron, një çështje shumë e nxehtë edhe sot ndërmjet Turqisë dhe Greqisë. E me gjasë deklarata të tilla si ajo e zonjës Ciller, nuk janë gjë veçse retorika alla fishekzjarre që i shohim shumë në marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Athinës.
Por të vijmë tek ne, një qeveri e djathtë e mazhorancë të konsoliduar si ajo e Nea Demokratia, ka më shumë mundësi për të hyrë në një hap të madh me Tiranën, për një hop cilësor, atë që Edi Rama e quajti “strategjik”.
Si Edi Rama, si Mitsotakis, të cilët janë në një konsolidim pushteti, politikisht nuk kanë asnjë leverdis për t’I hyrë një aventure që të dyve do tu sjellë kosto elektorale.
Por, fakti është se tani, sot, jemi në një kohë sfiduese gjeopolitike, ku tabela e shahut po ndryshon me orë. E ku Greqia dhe Shqipëria kanë aleatë më të përbashkët sesa për shembull Turqia, e cila është bërë gjithnjë e më shumë aziatike se antlantike.
Natyrisht kemi të bëjmë me një sfidë të vështirë për tu realizuar, ppor që kërkon fuqi e vullnet politik për të ecur përpara. E nuk bëhet fjalë vetëm për detin, por për të hyrë në një hap të ri, ku palët të flasin edhe për detin, por në një cilësi të re.
Rasti i 2009-s ishte thjeshte një “grackë diplomatike” e Athinës, ku ende nuk u mor vesh a ra qeveria e Berishës, apo e pranoi duke e ditur kleçkën. Gjithsesi, sidomos pas vendimit të Kushtetueses, ai draft nuk ka sit ë rikthehet dot. Ajo çfarë ka ndodhur këto vite, siç edhe u bë fakt, kanë qenë retorikë.
Nga ana tjetër, edhe ajo që tha Dendias që është folur për minoritetin, duket sërish që është një kod. Mioriteti është thjsht një kartë elektorale për Mitsotakisin, e jo një objektiv strategjik, në një botë që po ndryshon. Greqia, është vendi i tretë në Europë, pas Ukrainës dhe Gjermanisë që ka blerë sistemin ë të fundit për mbrojtje antiajrore ndaj dronëve.
Një shpenzim i madh, por që tregon se jemi në një nivel të ri zhvillimi, ku edhe Shqipëria si fqinj i saj, nuk do të qëndrojë jashtë. E ku sipas të gjitha gjasave kemi të bëjmë me një marrëdhënie, ku peshë të rëndësishme do të ketë aleati që i është afruar shumë Athinës si SHBA, pore dhe Franca e gjithë Bashkimi Europian.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.