Nis punimet në Pekin sesioni vjetor i KKPPK-së
Sipas seksionit shqip të radios së jashtme të Kinës (CRI ), sesioni i 3-të i Komitetit Kombëtar të Konferencës së 12-të Konsultative Politike të Popullit Kinez (CPPCC), organi më i lartë politik këshillimor në vend, nisi punimet të martën në Pekin, duke filluar dy javët më të rëndësishme në kalendarin politik të Kinës, këtë vit.
2153 anëtarët e Komitetit Kombëtar të CPPCC-së, do të diskutojnë çështjet kryesore të zhvillimit të vendit gjatë sesioneve vjetore.
Në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin u zhvillua mbledhja e hapjes, ku kryetari i Komitetit Kombëtar të CPPCC-së Yu Zhengsheng mbajti një raport mbi punën e Komitetit të përhershëm të CPPCC-së dhe të Komitetit Kombëtar të tij, vitin e kaluar.
Të pranishëm në mbledhjen e hapjes ishin presidenti i Kinës Xi Jinping, njëherësh sekretar i përgjithshëm i KQ të PKK-së, kryeministri Li Keqiang si dhe drejtues të tjerë të lartë të Partisë Komuniste, ndër të cilët Zhang Dejiang, Liu Yunshan, Wang Qishan dhe Zhang Gaoli. Kryetari i Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez (KKPPK) Yu Zhengsheng premtoi të martën përpjekje të mëtejshme për zhvillimin e reformave në vend.
Duke paraqitur raportin e punës të Komitetit të Përhershëm të Komitetit Kombëtar të KKPPK-së në mbledhjen e hapjes së sesionit vjetor, Yu u shpreh se KKPPK-ja duhet të vërë “Katër gjithëpërfshirjet” në qendër të punës së vet.
“Katër gjithëpërfshirjet” është një koncept politik i iniciuar nga presidenti kinez Xi Jinping, që përfshin ndërtimin gjithëpërfshirës të një shoqërie relativisht të begatë, thellimin gjithëpërfshirës të reformës, forcimin gjithëpërfshirës të sundimit të ligjit dhe forcimin gjithëpërfshirës të disiplinës së Partisë Komuniste të Kinës.
Reforma ishte fjala kyçe gjatë gjithë raportit të Yu-së, ku bëhej një përmbledhje e punës së KKPPK-së vitin e kaluar dhe vendoseshin objektivat e reja për vitin 2015.
Përballë trysnisë së rënies së ekonomisë së dytë për nga madhësia në botë, udhëheqja kineze ka përcaktuar reformat si rrugë të rritjes më të shëndetshme dhe efektive, duke kaluar në një fazë “të re normale”: ekonomia u rrit me ritmin më të ulët në 24 vjet, 7.4 për qind.