Një këndvështrim semiotik midis Kafka Head në Pragë dhe fasadës monumentale të pushtetit në Tiranë

Kulla e Tiranës, në një pozicion dominues në kryeqytet që shëmbëllen pamjen imponuese të liderit, është një rimarrje e Kafka Head (Koka e Kafkës), në Pragë, e realizuar më 2014, të cilën ka pasur mundësi ta vizitojë, cilido ka qenë në Pragë.
Vepra artistike në Pragë, një instalacion kinetik që lëviz, shpreh filozofinë shkrimtarit, ankthin ekzistencial të individit që përballet e shtypet nga shteti, që tjetërsohet dhe shpërbëhet, trajta të vijueshme metamorfoze, që shënjojnë copëzimin dhe rindërtimin e vazhdueshëm të qenies njerëzore në shoqërinë moderne. Ky fragmentim përcjell absurditetin e sistemit burokratik dhe krizën e identitetit që përshkon veprën e tij nga Metamorfoza, Procesi, Kështjella – romane që rrëfejnë individin të zhytur në absurditet, të pafuqishëm përballë autoritetit të paqartë dhe burokracisë shtypëse.
Fasada arkitekturore e kullës në Tiranë, e konceptuar si monument, mbart në mënyrë statike pamjen e autokratit duke u shndërruar në simbol të pushtetit. Të vëmë re se Kafka Head është e lëvizshme dhe e vendosur në toke, në shesh dhe krijon raporte dinamike me kundruesit. Ndryshe nga Kafka, që shpërbëhet në copëza, fytyra e kullës ngrihet e pandarë, e qëndrueshme, duke u imponuar përmbi qytet. Ajo pamje e ngrirë prej betoni shkëlqimtar përfaqëson arkitekturën e spektaklit, ku pushteti manifestohet në imazh për të zotëruar horizontin urban dhe për t’u shndërruar edhe në simbol të kontrollit vizual.
Në vend të ankthit kafkian – të njohur botërisht për vlerat artistike universale mbi lirinë e individit – kemi “estetikën” e dominimit, të mbizotërimit të hapësirës, një art që vetëshpallet si monument vertikal/kullë i autoritetit politik në hapësirën publike- i njohur botërisht prej piramidave të Egjiptit të lashtë për asgjësimin dhe kufizimin e lirive të individit dhe shoqërisë. Fasada monumentale synon raporte varësie e kontrolli përmes madhështisë së përmasave kundrejt vëzhguesit/qytetarit, të cilit i imponohet me shprehje force dhe pushteti, si dhe zotërim të hapësirës urbane të qendrës së kryeqendrës së vendit – duke u shndërruar nga vepër e artit urban në simbol të pushtetit bashkëkohor dhe centralizim të autoritetit politik.
E mbështesin këtë qasje (që mund të thellohet në rrafshe të detajuara) studiues të rëndësishëm që trajtojnë sisteme të ndryshme distopike, prej të cilëve po shënoj Gregory Claeys (Dystopia: a natural history, Oxford: 2016). Claeys argumenton se njëra anë e pushtetit është dhuna fizike, presioni i dukshëm apo kontrolli administrativ, por ana më e rëndësishme përbëhet nga inskenimi i ceremonive apo ritualeve absurde e groteske shpesh pa logjikë praktike dhe të pakuptimta, por me polivalenca simbolike, të cilat pushteti i krijon apo shpik për nënshtrimin psikologjik të njerëzve. Pushteti totalitar i përdor këto spektakle groteske si mekanizma të brendshëm të kontrollit, që zhveshin individin nga dinjiteti dhe shërbejnë për të normalizuar dhunën dhe për të legjitimuar autoritetin, pasi njeriu ndjehet i pafuqishëm përballë autoritetit, duke e bërë kështu nënshtrimin një akt publik dhe të detyruar.
Idesë mbi emrin e dyzuar të fasadës monumentale të kullës në Tiranë, i jep përgjigje të plotë monumenti i Skënderbeut përballë – në të njëjtin shesh – i cili i kalëruar, i qartë dhe i drejtpërdrejtë dhe i njohur prej të gjithëve si simbol i identitetit kombëtar – nuk ka nevojë për pamje diskrete apo ambigue.




Zonja Lili, nga shkjrimi juaj e kuptoj që jeni intelektuale. Desha të saktësoj vetëm një detaj të vogël:
Të gjitha ndërtimet që bëhen në Tiranë dhe kudo në Shqipëri si dhe në vendet demokratike të botës, nuk i bëjnë shtetet, por privatët pasunorë. Atyre as u shkon në mendje se kullat e tyre, disa mbi 100 metra të larta, personifikojnë X ose Y lider. Si rrjedhojë edhe kulla e Tiranës nuk ka lidhje as me liderin aktual të vendit as me ish liderin. Është vetëm një projekt i X arkitekti ose studioje arkitekture vendase ose të huaj.U bë aq e lartë se aq para ka investitori. Me projektin nuk ka të bëjë fare lideri aktual, qoftë demokrat ose diktator. Kullat kudo në botë nuk kanë shëmtuar qytetet dhe nuk ua ka atribuar njeri liderve të vendeve të tyre. Si kishte për të qenë New Yorku pa ato kulla? Cilët lidera i paskan ndërtuar ato? Doemos liderat nuk janë pa të meta, qofshin ato të vendeve demokratike. Po për ngritjen e kullave ato nuk kanë fare gisht si politikanë që gjoja i bëkan për t'iu imponuar popullit. Jo për çdo gjë, qoftë sukses apo arritje duhet të shigjetojmë liderat. Ato t'i kritikojmë për gjërat që bëjnë gabim dhe ato nuk janë pak.