Edi Rama – ju nuk mynd te jeni zëdhënës i Historisë shqiptare !

Zoti Kryeministër, ju nuk mund të jeni zëdhënës i historisë shqiptare!
Kosova dhe Çamëria kanë qenë prej shekujsh territore shqiptare, pjesë e trungut të kombit shqiptar, historisë dhe kulturës së tij. Termi “territore” ka të bëjë me gjeografinë dhe historinë dhe, kur deklaroni në televizion se s’ka territore shqiptare në Greqi, kjo s’është gjë tjetër veçse një politikë e momentit, për të pasur përkrahje nga Greqia (e presioneve të përhershme), duke shkelur kështu mbi historinë tonë.
Ajo që thatë për Bubulinën në Athinë dy vjet më parë nuk ishte kurajo dhe trimëri; ishte një pohim, diçka e thënë nga historianët shqiptarë e grekë shumë kohë më parë. Michel de Grèce ishte një nga këta historianë që botoi librin për Bubulinën 30 vjet më parë.
Ju s’mund të hidhni poshtë studimet e shumta të historisë që janë bërë deri tani për këto territore. Duhen lexuar studimet e historianëve shqiptarë, grekë dhe evropianë, librat e konsujve të huaj që përcaktonin qartë shtrirjen historike të shqiptarëve, që së bashku me grekët bënë Revolucionin Grek të vitit 1823.
Historia tashmë është shkruar prej kohësh dhe nuk ka nevojë për interpretime, aq më tepër nga politika, pasi kështu hyjmë në sferën e Makiavelit. Perandorët nuk e kanë dashur shkencën historike, por janë lumturuar kur atë e shkruajnë haxhiografët e tyre, të cilët u bëjnë vetëm lavde.
Dhe, sa për dijeni, të gjitha toponimitë e fshatrave çame tashmë janë ndryshuar në tokat e dikurshme shqiptare në Epir dhe vetëm shqiptarët me pasaporta evropiane mund të depërtojnë në kërkim të shtëpive të tyre, dhe gjithnjë të ndjekur nga policia greke.
Dy javë më parë, duke udhëtuar nëpër Evropë, në takim me një zv. ambasador, kur i folën për organizimin e një konference për Çamërinë, ai u tremb dhe tha se, nëse miratoj një gjë të tillë, mua më heqin nga puna. Këto orientime diplomatike të kujtojnë një politikë të vjetër që s’duhet të ekzistojë më.
Unë e dua Greqinë, e dua historinë dhe kulturën greke, i dua grekët, me të cilët kam dëshirë të kuvendoj, të pi një uzo apo të udhëtoj në det. Dua Greqinë e arvanitasve dhe çamëve që kontribuuan në historinë e saj, Greqinë ku jetojnë më se 1 milion shqiptarë, ku shumica, mjerisht, kanë qenë të detyruar të ndërrojnë emrat e tyre.
Si Bashkëpunëtor i Jashtëm Shkencor i Akademisë, i kërkoj Akademisë së Shkencave që, në një debat të afërt mbi këtë çështje, të përcaktojë qartë se është shkenca dhe historianët tanë ata që kanë të drejtën e përcaktimeve historike. Madje t’i ofrojë kryeministrit shqiptar studime të botuara nga historianë shqiptarë dhe të huaj, përfshi edhe ata grekë, që të informohet saktë në çështje të tilla që kanë të bëjnë me historinë kombëtare shqiptare.
Dhe së fundi: aktualisht po përgatis një libër-guidë “turistike” për gërmadhat e shtëpive të çamëve që janë ende në këmbë në Çamëri. Shkoni dhe shikojini, dhe atëherë do të kuptoni sensin e vërtetë të historisë. Atë libër do t’jua dedikoj juve, Edi Ramës, mikut të dikurshëm, që të shohë se cila ka qenë historia e vërtetë shqiptaro-greke e shekullit XIX–XX e deri më sot.
Luan Rama, ish-ambasador




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.