Një “këngë” për Zhulianën e Këngës, borxhi që RTSH duhet t’ia kthejë…

Pa dashtë me e kthy në një debat — siç ndodh rëndom sa herë që bëhet fjalë për emra që, prej veprës së tyre, janë shndërruar në sisteme referimi — po e them që në krye të këtyre radhëve se RTSH-ja, pra Radiotelevizioni Shqiptar, që formalisht konsiderohet institucion publik, i ka një “këngë” borxh Zhulianës së këngës.
Një borxh artistik. Një borxh kujtese. Një borxh nderimi. Borxh kulture.
Po e thjeshtëzoj mendimin: RTSH duhet të organizojë një koncert-recital me krijimtarinë më të mirë të poetes Zhuliana Jorganxhi, në mënyrë që tetëdhjetëvjetori i lindjes së saj, që mbërrin pas pak muajsh, të shënohet ashtu siç e meriton poetja e këngës, por edhe të gjithë ata që i kompozuan, i kënduan, i orkestruan dhe i shoqëruan këngët me tekstet e saj. Dhe jo vetëm sepse ajo punoi për vite me radhë në atë institucion, por sepse aty, mes studiove, regjistrimeve, orkestrimeve, këngëtarëve dhe kompozitorëve, ajo shkroi vargje që më pas u bënë këngë; këngë nëpër të cilat kaloi jo vetëm jeta e saj, por edhe memoria emocionale e disa brezave që e deshën dhe vazhdojnë ta duan këngën e bukur të Zhulianës së këngës.
Ka krijues që nuk mbeten vetëm autorë të një vepre, por bëhen pjesë e mënyrës se si një shoqëri e ndien veten. Në këtë kuptim, Zhuliana Jorganxhi nuk përfaqëson thjesht një emër të rëndësishëm të historisë së këngës shqiptare, veçmas në RTSH, por një nga ato prani krijuese që kanë ndihmuar në formësimin e vetë ndjeshmërisë sonë kolektive. Nëpërmjet vargut të saj, kënga shqiptare bëri të veten jo vetëm tekstin, por edhe një gjuhë të brendshme të ndjenjës; një mënyrë më të përkorë, më njerëzore dhe estetikisht më dinjitoze për të artikuluar dashurinë, mallin, dhimbjen dhe kujtesën.
Në krijimtarinë e poetes Zhuliana Jorganxhi, fjala nuk vjen si ornament retorik, por si domosdoshmëri e ndjeshmërisë. Poezia e saj nuk synon imponimin e figurës, por kthjelltësinë e emocionit. Pikërisht këtu qëndron edhe forca e saj më e qëndrueshme artistike: në aftësinë për ta ruajtur ndjenjën nga tepria, për ta mbajtur emocionin larg sentimentalizmit dhe për t’i dhënë gjuhës poetike një finesë që nuk ka nevojë të shpallet për të qenë e pranishme.
Në traditën më të mirë të këngës shqiptare, poezitë e Zhuliana Jorganxhit (dhe jo vetëm, po për arsye etike nuk po i përmend emrat e tjerë), mbeten poezi të bukura edhe pa muzikën. Ato nuk jetojnë vetëm sepse janë kënduar, por sepse mbajnë brenda tyre edhe ritmin dhe melodinë e vetë ndjenjës dhe shpirtit të poetes.
Kjo është prova më e qartë se kemi të bëjmë me poezi autentike, me një ligjërim lirik që nuk e kushtëzon ekzistencën e vet nga melodia, por e pranon atë si zgjerim të natyrshëm të saj.
Sepse në rastin e Zhuliana Jorganxhit, kënga nuk është thjesht “veshje muzikore” e poezisë. Fjala dhe muzika nuk qëndrojnë në marrëdhënie nënshtrimi ndaj njëra-tjetrës, por në një ekuilibër të rrallë estetik, ku kuptimi lind pikërisht nga bashkëjetesa e tyre harmonike.
Kjo është arsyeja pse krijimtaria e saj nuk mund të reduktohet vetëm në historinë e muzikës së lehtë shqiptare. Ajo i përket po aq historisë sonë poetike dhe kulturore. Nëpërmjet saj, kënga shqiptare arriti të ruajë për një kohë të gjatë një marrëdhënie organike me poezinë, me ndjeshmërinë dhe me idenë e bukurisë artistike si formë e qytetërimit shpirtëror.
Dhe pikërisht këtë duhet të synojë edhe koncerti i nderimit që po propozoj (mbase në RTSH e kanë menduar më parë nga sa po e shpreh unë këtë ide).
Sepse jetojmë në një kohë kur kënga shqiptare, në jo pak raste, duket sikur po e humbet marrëdhënien me poezinë, me frymëzimin dhe me vetë ndjenjën; një kohë kur fjala shpesh reduktohet në ritëm pa kujtesë dhe tingulli në efekt pa përmbajtje.
Në këtë kontekst, një koncert-recital me krijimtarinë e Zhuliana Jorganxhit nuk do të kishte vetëm vlerën e një nderimi të merituar për një autore të shquar. Ai do të përfaqësonte edhe rikthimin e një reference artistike, të një standardi estetik dhe kulturor për vetë idenë e këngës shqiptare.
Sepse duke iu kthyer një krijimtarie ku fjala kishte peshë poetike dhe muzika mbante dinjitetin e emocionit, RTSH-ja, krahas nderimit për poeten e këngës, do të rikthente edhe vetë referencën e cilësisë dhe të shijes artistike në raport me këngën shqiptare. Ajo do ta vinte veten përballë një standardi që dikur e ka pasur dhe që, duke e synuar sërish, nuk nënkupton kthim pas, por ripohim të rolit kulturor dhe të autoritetit estetik që një institucion publik duhet të përfaqësojë.
Një mbrëmje për Zhuliana Jorganxhin, në këtë kuptim, do të ishte edhe një akt vetëdijeje kulturore. Një mënyrë për t’i kujtuar vetes se arti nuk jeton nga zhurma e çastit, por nga ajo ndjenjë e vërtetë që arrin t’i mbijetojë kohës.
Sepse në fund, kjo është ajo që ka bërë Zhuliana Jorganxhi: i ka dhënë ndjenjës shqiptare një mënyrë për të kënduar veten.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.