Kosova

Një minutë heshtje në Kuvend për Srebrenicën

Kuvendi i Kosovës me një minutë heshtje filloi seancën plenare në nderim për viktimat e Srebrenicës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në një fjalë të shkurtër rasti theksoi se “20 vite më parë, në verën përvëluese të vitit 1995, në qytetin Srebrenica të Bosnjës, u bë krimi më i madh në Evropë, që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, e njohur si Masakra e Srebrenicës. Brenda dy ditësh, mbi 8000 burra u masakruan barbarisht nga njësitë ushtarake të gjeneralëve të Milosheviqit. Mijëra familje u shkatërruan përgjithmonë. Një qytet që datonte prej kohës romake u zhbë brenda pak orësh. Fjalët ‘gjenocid’ e ‘spastrim etnik’ sërish njollosën ndërgjegjen njerëzore. Bota u trondit”.

Më tutje Veseli theksoi se “krimi në Srebrenicë shfaqi natyrën e vërtetë të regjimit të Milosheviqit, që vetëm tre vite më vonë, me të njëjtën barbari, u rishfaq në fshatrat dhe qytetet e Kosovës. 20 vite pas krimit në Srebrenicë, e 16 vite pas krimeve të bëra në Prekaz, Izbicë, Suharekë, Mejë, Gjakovë, e vende të tjera të Kosovës, drejtësia nuk është përmbushur akoma. Është e domosdoshme që drejtësia të vihet në vend, sepse krimet e padënuara ndjellin kobe të reja”.

Në këtë seancë do të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-001 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, shqyrtimi i parë i Projektligjit për faljen e borxheve publike, shqyrtimi i Raportit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2014, shqyrtimi i Raportit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2014, zgjedhja e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, votimi i Rekomandimit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione lidhur me Peticionin e qytetarëve të Rahovecit për ndriçimin e fatit të Ukshin Hotit.

Po ashtu do të bëhet votimi i Rekomandimeve të Komisionit për të Drejta e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione lidhur me Peticionin kundër shtrenjtimit të çmimit të Energjisë Elektrike, votimi për emërimin e anëtarit në Këshillin Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës, votimi i Raportit vjetor për gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për vitin 2014.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button