Nuk ka gaz për Shqipërinë, TAP nuk mund të shfrytëzohet për mungesë rrjeti
Në planin e qeverisë për zhvillimin e sektorit të gazit natyror në Shqipëri dhe identifikimin e projekteve prioritare, nënvizohet fakti se shpërndarja e gazit natyror brenda vendit nuk mund të pritet të ndodhë përpara vitit 2020.
Ky madje është një afat optimist, pasi në të vërtetë as fondet dhe as mënyra e ngritjes së rrjetit të gazit në Shqipëri nuk janë siguruar.
Qeveria ka parashikuar ndërtimin e tre linjave kryesore të transmetimit. Koha për të ndërtuar është e shkurtër, deri në tre vjet, dhe shuma që kërkohet është 185 milionë Euro.
Ndërsa për shpërndarjen duhen 110 milionë Euro të tjera. Për momentin është ngritur si njësi vetëm kompania publike që do merret me administrimin e rrjetit të gazit.
Në letër përfituesit e parë duhet të jenë sektorët e industrisë, më konkretisht TEC i Vlorës, por edhe ky kërkon një investim serioz për përshtatjen e teknologjisë nga përdorimi i naftës tek gazi natyror.
Sasitë e para te gazi do të kalojnë përmes tubacionit të TAP nga Azerbaxhani drejt Evropës në 2020-ën, por Shqipëria nuk pritet të jetë nga përfitueset e para.