Bota

Obama: Merkel, partnerja më e afërt ndërkombëtare

Presidenti amerikan, Barack Obama zhvillon sot takimin e tij të fundit dypalësh me kancelaren gjermane, Angela Merkel, në kryeqytetin gjerman, ndalesa e fundit në Evropë, e turneut të tij të lamtumirës para se të largohet nga Shtëpia e Bardhë në janar.

Marrëdhëniet mes Obamës dhe Merkelit, tetë vjet pasi ai erdhi në pushtet dhe 11 vjet pas ardhjes së saj në detyrë, kanë qenë të karakterizuara në pjesën më të madhe nga vlerësimi i ndërsjelltë, pavarësisht publikimit të një afere spiunazhi që shkaktoi disa mosmarrëveshje në vitin 2013.

Para se të largohej nga Uashingtoni për turneun në Evropë, Obama iu referua Merkelit si “partnerja më e afërt ndërkombëtare në këto tetë vitet e fundit.”

Obama mbërriti në Gjermani dje në mbrëmje pas takimit me udhëheqësit grekë, ku vizitoi Akropolin e famshëm dhe mbajti një fjalim ku u shpreh se “reduktimi i pabarazisë në botën e globalizuar është çelësi për ruajtjen e sistemeve demokratike”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është planifikuar të qëndrojë në Gjermani deri të premten, ku pritet të takohet me liderët evropiane, duke përfshirë kancelaren gjermane, Angela Merkel, kryeministren britanike, Theresa May, presidentin francez, Francois Hollande, kryeministrin spanjoll, Mariano Rajoy dhe kryeministrin italian, Matteo Renzi.

Pritet që të sigurojë ata pas fitores së papritur të zgjedhjeve presidenciale nga miliarderi, Donald Trump ndaj kandidates demokrate, Hillary Clinton dhe të shprehë mbështetjen e vendit të tij për një Evropë të fortë, të integruar dhe të bashkuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button