Obama: Myslimanët, aleatët tanë në luftën kundër terrorizmit
Presidenti amerikan Barack Obama doli në një konferencë për shtyp në lidhje me masakrën e San Bernardinos, ku vdiqën 14 persona.
Obama tha se vrasjet ishin “një akt terrorizmi i menduar për të vrarë njerëz të pafajshëm”, por shtoi se “liria është më e fuqishme se frika” dhe se amerikanët duhet të qëndrojnë të bashkuar, pasi kjo është mënyra e vetme për t’i bërë ballë ekstremistëve.
“Amerika do e kapërcejë kërcënimin e terrorizmit, por nuk duhet t’i kthehemi kundër njëri-tjetrit, duke e përcaktuar këtë betejë si një luftë mes Amerikës dhe Islamit. Nëse duam të mundim terrorizmin, duhet t’i konsiderojmë komunitetet myslimane si aleatet tona më të fuqishme”, tha Obama.
Presidenti i SHBA-së tha gjithashtu se vendi i tij duhet t’ia vështirësojë atentatorëve të mundshëm blerjen e armëve.