☀️
Tiranë 34°C · Kthjellët 02 August 2026
S&P 500 7,490 ▲0.7%
DOW 52,485 ▲0.53%
NASDAQ 25,374 ▲1%
NAFTA 84.67 ▲1.29%
ARI 4,107 ▼1.29%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1514 EUR/GBP 0.8555 EUR/CHF 0.9310 EUR/ALL 93.9411 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4202 EUR/TRY 54.7746 EUR/JPY 182.38 EUR/CAD 1.6143 EUR/USD 1.1514 EUR/GBP 0.8555 EUR/CHF 0.9310 EUR/ALL 93.9411 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4202 EUR/TRY 54.7746 EUR/JPY 182.38 EUR/CAD 1.6143
₿ CRYPTO
BTC $63,224 ▲ +0.19% ETH $1,869 ▲ +0.08% XRP $1.0800 ▲ +1.7% SOL $73.2600 ▲ +0.37%
S&P 500 7,490 ▲0.7 % DOW 52,485 ▲0.53 % NASDAQ 25,374 ▲1 % NAFTA 84.67 ▲1.29 % ARI 4,107 ▼1.29 % S&P 500 7,490 ▲0.7 % DOW 52,485 ▲0.53 % NASDAQ 25,374 ▲1 % NAFTA 84.67 ▲1.29 % ARI 4,107 ▼1.29 %
EUR/USD 1.1514 EUR/GBP 0.8555 EUR/CHF 0.9310 EUR/ALL 93.9411 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4202 EUR/TRY 54.7746 EUR/JPY 182.38 EUR/CAD 1.6143 EUR/USD 1.1514 EUR/GBP 0.8555 EUR/CHF 0.9310 EUR/ALL 93.9411 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4202 EUR/TRY 54.7746 EUR/JPY 182.38 EUR/CAD 1.6143
02 Aug 2026
Breaking
Opinion

“Odisea” e Nolanit” dhe e vetmja pyetje që ia vlen të bëhet

Nga Endri Xhafo

Unë zakonisht ç’mendoj për një film që më pëlqen, e shkruaj me 2 rreshta kur dal nga Cineplexx Albania për te parkingu i Teg-ut. Dhe e nxjer direkt në Story; pas 24 orësh ka ikur… kalojmë te tjetra. Idem për “Odisean” e Nolanit; vetëm se këtë e pashë te Cineplexx Kosovo në IMAX digital, të premten e 17 korrikut. E pashë, thashë/shkruajta çfarë mendova, e postova dhe kaq. Por po i rikthehem me diçka më të gjatë për të mos u zhdukur prapë pas 24 orësh, sepse kohët e fundit kam parë lloj-lloj intelektualësh, shkrimtarësh, studiuesish, përkthyesish, shqiptarë e të huaj, që ankohen se Nolani nuk ka sjellë një përshtatje besnike të Odisesë. Flasin shumë për historinë dhe materialin burimor, por injorojnë dimensionin njerëzor dhe psikologjik të filmit.
Së pari, të merresh me Nolanin këto kohë, sidomos kur nuk e ke për detyrë funksionale, – pra nuk të paguan “Variety”, “The Hollywood Reporter”, “Cahiers du Cinéma”, “Sight & Sound”, “Empire”, etj., – duket
sikur do me tërheq vëmendjen nga fama e tij për te vetja jote (kjo vlen pashmangshmërisht edhe për mua tani), por sidomos vlen për ata që e shajnë.
Ata që e shajnë, fatmirësisht nuk janë ata që bëjnë filma! Dhe dyshoj se intepretimi i tyre i historisë do të gjente jehonë te mbi një miliard njerëz, që duket se është trajektorja që po ndjek “Odisea” e Nolanit. Por nejse.
Ankesa kryesore e tyre është mungesa e besnikërisë. Besnikëri ndaj çfarë? Se ajo që dimë për Odisenë nuk vjen vetëm nga Homeri, por është e plotësuar me prurje të njëpasnjëshme nga i gjithë korpusi i mitologjisë greke dhe romake.
Vetëm sot, pas gati 3 javësh pasi kam parë filmin, e kam ndarë me veten se cilin Odise preferoj, mes Odisesë së Nolanit dhe atij mitologjik.
Odiseu mitologjik e tradhtoi gruan e tij disa herë, pallonte Çirçën dhe Kalipson, madje pati disa fëmijë me të dyja. Ishte arrogant kur i tha Ciklopit: “Tregoji gjithë botës se të verboi Uliksi (Odiseu)”. Ishte gjithashtu një hileqar që shijonte humorin dhe rrengjet që u punonte të tjerëve. Dilemat dhe krizat e Odiseut të Homerit janë ato të një qefliu të dyzuar mes aventurave dhe kthimit në shtëpi, mes hedonizmit dhe kujtimit të vagët të besnikërisë bashkëshortore.
Odiseu i Homerit mishëron një botë thellësisht patriarkale, nga ai soj ku burri mund të harbohet rrugëve, të harrojë derën e shtëpisë, të kthehet kur të mundet dhe gruaja e mirë dhe e urtë prapë ta presë gati, madje, edhe t’i lajë këmbët (përmes Eurikleas). Kur Odiseu mitologjik u kthye më në fund në Itakë, ai vrau jo vetëm mëtonjësit, por, në mënyrë tejet gjakatare, zhduku edhe shërbëtorët që u bënë palë me ta. Dhe, në fund, u vra vetë nga Telegoni, djali që pati me Çirçën. Por këtë s’e thotë Homeri, por Eugamoni i Kirenës në poemën e humbur epike “Telegonia”, në shekullin VI p.e.s, e cila, pikërisht pse është e humbur, njihet përmes përmbledhjeve të autorëve të mëvonshëm, sidomos falë Proklit, i cili përmblodhi “Ciklin Epik”.
Në këto kushte unë personalisht preferoj Odiseun e Nolanit. Odiseu i Nolanit përjeton turp, frikë dhe pendesë. Odiseu i Nolanit ka vetëm një djalë, Telemakun. Ai vuan nga e njëjta luftë e brendshme e Oppenheimerit: nga faji i ngadhnjimtarit për fitoren e vet; pasojat e saj. Sepse Nolani e humanizon heroin, njësoj si te triologjia e Batmanit, ku shpëtimtari vuan nga pasiguritë e njeriut të zakonshëm. Diskutimi me Penelopën për luftën e ardhshme përpara nisjes për në Trojë, frikat dhe dilemat e Odiseut për vetë fatin e tij, lutjet e Penelopës për të mos iu përgjigjur ambicieve politike dhe strategjike të Agamemnonit, përgjigjja e tij se hakmarrja e Agamemnonit, një baba që flijoi të bijën për të treguar përkushtim ndaj luftës, do të bjerë mbi djalin e tyre Telemakun në rast dezertimi, i tërë ky shkëmbim pra që i ngjan çdo bisede apo thashethemi “modern” që bëhet sot mes burrit dhe gruas në krevat, tradhtojnë direkt arsyen e vërtetë të luftës. Që aty ti e kupton se lufta është politike, aspak mistike, aq më pak çështje nderi, etj. Ndaj te “Odisea” e Nolanit është komplet irrilevante kush e luan Helenën, sepse nuk ka pikë rëndësie nëse Helena është e bukur apo e shëmtuar. Ndonëse nuk ka nevojë që të bëjë Nolan film, kushdo që e lexon Odisenë mitologjik pasi ka mbushur 20 vjeç e kupton se Helena ka qenë gjithmonë preteksti. Ta lexosh në kuptimin e parë, është të pranosh naivitetin tënd! Edhe vetë Kadaraja i madh ishte kuturisur ta interpretonte një herë Iliadën e Homerit përmes kodit shqiptar të mikut dhe të zotit të shtëpisë ku nderin e nëpërkëmbur prej Paridit nuk e tret as dheu, ama më vonë ishte “dorëzuar” kur kishte thënë se lufta e Trojës ishte e para luftë botërore në historinë e njerëzimit.
Në këtë kuptim në “Odisean” e Nolanit nuk ka fare rëndësi nëse ka aktorë të zinj, të bardhë, të verdhë, nëse gjuha është moderne apo klasike, nëse thotë Telemaku “dad” në vend të “father”… sepse këto janë totalisht irrilevante me historinë!
Interpretimi i Nolanit të fut në të thella. Imazhi i Athinasë nuk është vetë Athinaja, por ndërgjegjja e copëtuar e Odisesë, projektimi i vajzës trojane që ushtarët e tij i presin kokën. Ciklopi Polifem nuk është një mostër reale, por alegoria e monstruoziteteve të vetë Odisesë, ngjadhnjimtarit të Trojës. Ai e di se me trukun e tij të kalit të drunjtë i hapi portën plaçkitjeve dhe vrasjeve, duke thyer ligjin e Zeusit (Ksenia, kodi i lashtë grek i mikpritjes). “Njerëzit e detit”, që historikisht mendohet se shënuan fundin e qytetërimeve të epokës së bronzit në të cilën zhvillohen ngjarjet e Trojës, janë, sipas Nolanit, pikërisht hordhitë greke që rrafshuan Trojën. Dhe Odiseu i Nolanit e di këtë, ndaj ai thotë në rrugën e kthimit: “boll e kam ndjekur Agamemnonin, tani do të ndjek një rrugë tjetër”. Por, aq e madhe është ndjenja e fajit te Odiseu i Nolanit, sa duket se ai nuk do që ushtarët e tij, këta “njerëz të detit” që sjellin vetëm shkatërrim, të kthehen gjallë në shtëpi. A nuk thotë Çirçja tek i rikthen nga derra në njerëz, “rikthehuni në formën që maskon atë që vërtet jeni”, pra, derra me fytyrë njeriu? Odiseu i Nolanit është një i mbijetuar i rastësishëm i peripecive të kthimit, që gjen forca të kthehet vetëm kur është ai gati psikologjikisht.
* * *
Kjo historia e Odiseut të Nolanit më kujton Eskilin e Kadaresë. Shkruante vetë Kadareja, lidhur me botimin në Francë të veprës së tij “Eskili, ky humbës i madh”, se “libri përgjithësisht u prit mirë, por doli edhe dikush që e kritikoi dhe, vetëm aty nga fundi nxori arsyen e vërtetë të kritikës së tij: ‘neve na kanë rënë leshrat me Eskilin, duke e studiuar gjithë jetën tonë dhe vjen një shkrimtar nga Shqipëria dhe i bëjnë gjithë këto elozhe’”.
Idem për Nolanin. Ndaj unë them le t’i lëmë intelektualët në intelektualizmin e tyre hermetik, ndërkohë që një gjeni si Nolani demokratizon mitin përmes artit.
E vetmja pyetje legjitime që ia vlen të bëhet e që unë ende s’e kam ndarë me veten time është: Cili është më lart nga dy filmat, “Odisea” apo “Interstellar”?
Fjalorth:
– Odisea/The Odyssey – poema epike e Homerit që rrëfen kthimin e Odiseut në Itakë pas Luftës së Trojës.
– Odiseu/Odysseus – emri grek i heroit, mbretit të Itakës.
– Uliksi/Ulysses/Ulixes – emri latin (romak) i po të njëjtit hero.

 

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.