OSBE në kërkim të një misioni të ri
Prof. Fatos Tarifa
Dy javë më parë, i ftuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Prof. Fatos Tarifa mori pjesë në konferencën ndërkombëtare me temë “Surge in Diplomacy, Action in Mediation”, organizuar nga kjo ministri në Stamboll. Më poshtë botojmë ndërhyrjen e tij ndaj fjalës së ambasadorit Marcel Pesco, Drejtor i Qendrës për Parandalimin e Konflikteve (Conflict Prevention Centre) në OSBE, panelist në atë konferencë.
I nderuar Ambasador Pesco, më lejoni, ju lutem, të bëj një koment të shkurtër për çfarë ju thatë lidhur me rolin e OSBE-së, si një organizatë dhe një faktor i rëndësishëm në ndërmjetësimin mes palëve në konflikt dhe në parandalimin ose zgjidhen e konflikteve, sidomos në rajonin e Ballkanit, të cilit ju iu referuat në veçanti.
Pikëpamja që ju paraqitët këtu, për mendimin tim, është jo realiste. Roli që OSBE ka luajtur në arritjen e Marrëveshjes së Dayton-it, në vitin 1995, si dhe në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit, në vitin 2001, nuk ka qenë as paraprirës, as vendimtar për zgjidhjen e konflikteve dhe vendosjen e paqes në Bosnje dhe në Maqedoni, siç pohuat ju. Në të dyja rastet, rolin vendimtar e kanë luajtur Shtetet e Bashkuara, nën Presidentin Bill Clinton dhe George W. Bush, përkatësisht, dhe Bashkimi Europian.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për marrëveshjen e arritur kohët e fundit në Shkup për formimin e qeverisë së re. OSBE, ashtu si në të kaluarën, mund të ketë luajtur një rol në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në atë vend, në dhjetorin e vitit 2016, por ato zgjedhje nuk çuan në krijimin e një qeverie të re për muaj me radhë, siç do të duhej të kishte ndodhur normalisht. Një qeveri e re, e kryesuar nga lideri i social demokratëve maqedonas, Zoran Zajev, në koalicion me partitë e komunitetit shqiptar në Maqedoni, u krijua vetëm pak javë më parë, për shkak se presidenti i atij vendi, Gjorge Ivanov, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, refuzoi t’i njihte koalicionit fitues në zgjedhje të drejtën për të krijuar qeverinë e re. Ndryshe nga sa raportuat ju, unë mendoj se OSBE dështoi në misionin e saj për të ndërmjetësuar mes palëve në konflikt, partive VPRO dhe SDSM, para dhe pas zgjedhjeve të dhjetorit të vitit të kaluar dhe, po kështu, nuk arriti të ndërmjetësonte me sukses mes partive të koalicionit fitues në zgjedhje dhe kreut të shtetit Ivanov për zgjidhjen e krizës politike që zgjati plot gjashtë muaj.
Një argument i ngjashëm mund të jepet edhe për faktin që, për muaj të tërë, misioni i OSBE-së në Tiranë dështoi për t’i ulur dy partitë politike kryesore të vendit, Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike, në bisedime për të zgjidhur krizën politike në vend, shkaktuar nga braktisja e Parlamentit prej partive opozitare dhe ngujimin e tyre në një tendë në bulevardin kryesor të kryeqytetit. Roli i OSBE-së, si ndërmjetësues, edhe në këtë rast, ishte thuajse inekzistent. Nëse në Maqedoni, qeveria e re u krijua vetëm pak javë më parë dhe, po kështu, partitë politike kryesore në Shqipëri u morën vesh vetëm disa javë më parë për të hyrë në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, kjo ndodhi jo për meritë të misioneve të OSBE-së në këta dy vende, por për shkak të presionit të madh e të vazhdueshëm të Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara dhe të Komisionit Europian. Nëse zgjidhja e mosmarrëveshjeve mes partive politike opozitare në këto dy vende do u ishte lënë në dorë diplomatëve të OSBE-së, kriza maqedonase dhe ajo shqiptare do të kishin vazhduar edhe më gjatë dhe, ka të ngjarë, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, që krizat të ishin thelluar edhe më tej, duke i destabilizuar politikisht këta vende.
Një palë ndërmjetësuese duhet të ketë se çfarë t’iu ofrojë palëve në konflikt dhe OSBE nuk ka asgjë se ç’të ofrojë, përveç raporteve të herëpashershme që harton. Për Maqedoninë, “premtimet” (pas kërkesave të përsëritura ultimative) që mundësuan zgjidhjen e konfliktit ishin anëtarësimi i këtij vendi në NATO, diçka që, në fakt, duhej të kishte ndodhur qysh në vitin 2009, kur në këtë organizatë u pranuan dy vendet e tjera nënshkruese të Kartës së Adriatikut, Shqipëria dhe Kroacia, si dhe riaktivizimi i procesit të negociimit për anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian, nëse do të zgjidhej problemi i emrit zyrtar të saj përmes bisedimeve me qeverinë greke. Këto premtime, sidoqoftë, mund t’i bëjnë vetëm Uashingtoni dhe Brukseli, jo OSBE-ja. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për rastin e Shqipërisë. Zgjidhja e konfliktit mes partive politike dhe zgjedhjet që sapo përfunduan ishin, në fakt, rezultat i ultimatumit të Brukselit (i përkrahur fort edhe nga Uashingtoni), se negociatat për anëtarësim në BE nuk do të nisnin nëse opozita do të refuzonte të merrte pjesë në zgjedhje.
Dëshiroj të vë në dukje, gjithashtu, se raporti fillestar i misionit të vëzhguesve të OSBE-së dhe ODHIR-it pas zgjedhjeve të 25 qershorit në Shqipëri ishte, ndryshe nga sa pritej – dhe për habinë e shumicës së shqiptarëve – jo shumë pozitiv. Këto zgjedhje ishin, përtej çdo dyshimi, më të mirat që janë realizuar ndonjëherë në Shqipëri gjatë 26 viteve të fundit. Natyrisht, ato nuk ishin të përkryera dhe ju mund të më thoni se vëzhguesit e OSBE-së dhe të ODHIR-it konstatojnë probleme të shumta edhe në zgjedhjet presidenciale që zhvillohen në Shtetet e Bashkuara.
Sidoqoftë, nuk është kjo arsyeja pse unë e vë në dukje këtë çështje këtu. Arsyeja është tjetër gjë. Unë besoj se, OSBE, e krijuar rreth 45 vite më parë, në periudhën e Luftës së Ftohtë, ka humbur shumë nga misioni dhe kredibiliteti i saj në kushtet e reja të krijuara në Europën Lindore pas shembjes së komunizmit. Për më tepër, misionet e kësaj organizate në vende të caktuara janë, shpesh herë, “out of touch” me realitetet e këtyre vendeve, sidomos me njerëzit e thjeshtë. Diplomatët e këtyre misioneve mbajnë lidhje, kryesisht, me drejtuesit e qeverisë e të partive politike, si dhe me misionet diplomatike të vendeve të veçanta, por jo sa duhet i njohin problemet e vendit dhe sentimentet e qytetarëve. Kjo është e vërtetë, gjithashtu, madje ca më tepër, për vëzhguesit e OSBE-së dhe të ODHIR-it në zgjedhjet periodike, të përgjithshme ose lokale, që zhvillohen në këto vende. Duke qenë të pafamiljarizuar me vendin dhe me ecurinë e zhvillimeve politike, në rastin konkret në Shqipëri, ata priren të raportojnë, pothuajse gjithnjë, të njëjtat probleme me zgjedhjet si në edicionet pararendëse. Kjo ndodh jo për shkak se asgjë nuk ka ndryshuar në këtë vend, por sepse, duke mos e njohur këtë vend, vëzhgues të tillë nuk janë realisht në gjendje që të vënë re përmirësimet e dukshme që kanë ndodhur nga koha në kohë.
Për të parën herë në 26 vite, këtë vit, në Shqipëri u kryen zgjedhje që mund të thuhet se ishin farë pranë standardeve europiane. Përveç disa parregullsive sporadike që u vunë re në disa zona, zgjedhjet u kryen më të qeta se kurrë, rezultatet e tyre përfunduan së numëruari të nesërmen (kur më parë janë dashur javë të tëra), ato nuk u kontestuan nga asnjëra palë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të shpallë përfundimet zyrtare shumë shpejt, ndërkohë që në të shkuarën çertifikimi përfundimtar i zgjedhjeve ka marrë edhe dy muaj kohë.
Nga sa vura në dukje më sipër, mund të them se roli i OSBE-së nuk është më ai që thoni ju, i nderuar zoti ambasador, pra roli që kjo organizatë mund të ketë luajtur në të kaluarën. OSBE mund të jetë, ndoshta, në kërkim të një misioni të ri, ose të rrugëve të reja për ushtrimin e misionit të saj, në përputhje me dinamikën e realiteteve të reja politike e sociale në vendet ku kjo organizatë ushtron veprimtarinë e saj. Nëse nuk ndodh kështu, herët ose vonë, për këtë organizatë do të flitet vetëm në librat e historisë.