OSHEE mobile, aplikacioni i ri për qytetarët
Qytetarët tashmë mund të kryejnë shërbimet online në telefonin e tyre pa patur nevojë të shkojnë në zyrat e Kujdesit ndaj Klientit, nëpërmjet aplikacionit OSHEE Mobile.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri dhe administratori i OSHEE-së, Adrian Çela kanë ndjekur nga afër prezantimin e aplikacionit.
Me anë të aplikacionit OSHEE Mobile çdo përdorues i një telefoni “smart” mundet të regjistrohet për të patur llogarinë online pranë kompanisë; të kontrollojë konsumin dhe faturën mujore; të kryejë pagesa të faturave pa komision; të kryejë një kërkesë apo ankesë si dhe të ndjekë statusin e saj; të aksesojë portalin e punësimit dhe aplikojë për një vend pune pranë kompanisë.
Gjithashtu krijohet mundësia që të denoncohet çdo abuzim me të cilin ndeshet qytetari duke e shoqëruar me fotografi dhe të dhëna konkrete.
Qytetarët mund të shikojnë në hartë dhe informohen edhe mbi Qendrat e Kujdesit ndaj Klientit apo aktivitetet e produktet e Operatorit të Shpërndarjes.
“Këto investime janë shumë të rëndësishme pasi në qendër të tyre është klienti. Qytetarët e kanë mirëpritur investimin në teknologji dhe gjithnjë e më shumë po përdorin format alternative të pagesave dhe informimit”, u shpreh Gjiknuri.
Duke ju referuar aplikacionit OSHEE Mobile, ai theksoi se “ka ende probleme pasi ka edhe punonjës të papërgjegjshëm. Çështja është të gjejmë format dhe mundësitë për ti kontrolluar ata gjithnjë e më shumë. Aplikacioni është mundësi e mirë për të gjurmuar ankesa, për të kryer denoncimin në kohë reale duke dhënë mundësinë e ndjekjes së saj, ndëshkimin e personave përgjegjës dhe zgjidhjen e problemit. Përmes denoncimeve do ti jepet mundësia kompanisë të korrigjojë edhe performancën e saj”.