Osmani shpërndau Kuvendin, Haxhiu: Dekret jokushtetues, do ta kundërshtoj
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka cilësuar dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë si jokushtetues dhe një minim të institucionit të Kuvendit.
Haxhiu tha se pret që Gjykata Kushtetuese të veprojë shpejt dhe të marrë vendim për masë të përkohshme.
“Pres që Gjykata Kushtetuese të veprojë në përputhje me ndjeshmërinë e çështjes dhe të marrë shpejt së pari masën e përkohshme, sepse pasojat do të jenë të pariparueshme,” deklaroi ajo.
Kryeparlamentarja shtoi se nëse shpërndahet Kuvendi, puna e tij nuk mund të vazhdojë, ndërsa vetëm një masë e përkohshme nga Kushtetuesja mund të ndryshojë situatën.
“Kuvendi është konstituuar pak kohë më parë pas certifikimit të rezultateve dhe ka arritur të votojë marrëveshje ndërkombëtare të rëndësishme. Shumë punë të tjera presin, nëse Kuvendi do të vazhdojë punën,” tha Haxhiu.
Ajo e përshkroi vendimin e presidentes si të papritur, të ngutshëm dhe jokushtetues, dhe theksoi se do ta kundërshtojë si kryetare e Kuvendit.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton qartë rrethanat në të cilat mund të shpërndahet Kuvendi. Nuk ka asnjë arsye që presidentja të shpërndajë Kuvendin pa kaluar afati 60 ditor dhe pa dështuar zgjedhja e presidentit. Presidenca nuk është mbi Kuvendin e Kosovës,” theksoi Haxhiu.
Kryetarja e Kuvendit shtoi se asnjë deputet nuk duhet t’i gëzohet këtij vendimi, pasi ai minon punën dhe institucionin e Kuvendit të Kosovës. Ajo bëri thirrje që të gjithë të lejojnë Gjykatën Kushtetuese të bëjë punën e saj pa ndikime.
“Situatat aktuale kërkojnë vigjilencë, vëmendje, shpejtësi dhe profesionalizëm nga Gjykata. Është e rëndësishme që gjykata të veprojë profesionalisht dhe sa më shpejt,” tha Haxhiu.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment