Paniku në Kurbin, zbardhet dhe dokumentohet ngjarja në lokal
Zbardhet konflikti me armë në lokalin e lojërave të fatit në autostradën pranë Laçit, që pas panikut alarmoi policinë. Policia njofton se ka arrestuar tre persona, ka shpallur në kërkim tre të tjerë dhe procedoi tre të rinj.
Gjithçka ndodhi pas konsumit të tepruar të alkoolit. Policia thotë se 36-vjeçari Lekë Kola u pre në krah me një shishe alkooli të thyer, të tjerë qëlluan me armë në ajër dhe u bë zhurmë e madhe.
Të shtënat dhe armët
Me datë 21.05.2017, rreth orës 02:00 është marrë njoftim se në Spitalin Rajonal Lezhë, ka shkuar i dëmtuar me mjete të mprehta në dorë një shtetas. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se në një lokal në Fushë Gjormë në Kurbin, në gjendje të dehur, shtetasi Lekë Kola është vetëdëmtuar në krah (me shishe pije alkoolike të thyer). Gjithashtu dyshohet se janë përdorur edhe armë zhurmuese imituese si dhe shtetasi Lekë Kola ka pasur armë zjarri dhe në gjendje të dehur ka qëlluar në ajër ku nuk ka pasur asnjë person të plagosur.
Gjatë këqyrjes në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar 1 gëzhojë armë zjarri në ambientet e jashtme të lokalit dhe 2 gëzhoja pistolete simuluese (pistoleta imituese zhurmuese).
Arrestimet
Nga Seksioni për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në vijim të veprimeve të shpejta procedurale hetimore, operative dhe profesionale, u bë i mundur dokumentimi ligjor i kësaj ngjarje ku si rezultat:
U arrestuan në flagrancë shtetasit:
– Lekё Kola, 36 vjeç, banues në Lezhë për veprat penale “Moskallëzim krimi” “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit” “Prishje e qetësisë publike”.
– Alfred Kola, 32 vjeç, banues në Lezhë për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
– Vlash Currakaj, 21 vjeç, banues në Lezhë për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
Gjithashtu u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit M.G. 27 vjeç, banues në Krujë dhe A.A., 20 vjeç, banues në Kurbin për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
U shpall në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasit M. ( P.) L. 32 vjeç, banues në Kurbin pasi ky shtetas kujdesej për lokalin dhe dyshohet se pas ngjarjes ka prishur vendin e ngjarjes dhe është larguar. Veprat penale në ngarkim të tij “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzim krimi”.
Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në këtë lokal u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6 kompjuterë lojëra fati të paliçensuara.
Procedimet
Në lidhje me këtë u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi A. B., 21 vjeç, banues në Kurbin për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” “Vënia në dispozicion e lokalit për lojëra të palejuara”.
Gjithashtu u shpall në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasit A.( F.) L. , 29 vjeç, banues në Malbardhë në Kurbin, i cili u shpall në kërkim për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme