Papa Françesku: Ruani me kujdes bashkëjetesën paqësore e bashkëpunimin mes feve
“Ruani me kujdes bashkëjetesën paqësore e bashkëpunimin mes feve”, deklaroi Ati i Shenjtë në fjalën e mbajtur në presidencë.
Më poshtë fjala e plotë e Atit të Shenjtë:
Zoti President,
Zoti Kryeministër,
Të nderuar anëtarë të trupit diplomatik,
Shkëlqesi, zonja e zotërinj
Jam shumë i gëzuar që gjendem mes jush në tokën e fisme të Shqipërisë, tokë heronjsh që kanë flijuar jetën për pavarësinë e vendit, tokë martirësh të cilët e kanë dëshmuar fenë në kohët e vështira të përndjekjes. Ju falënderoj që më ftuat të vizitoj atdheun tuaj, “tokën e shqiponjave”, si edhe për pritjen tuaj kremtore.
Ka kaluar tashmë gati një çerek shekulli që kur Shqipëria e gjeti përsëri udhën e mundimshme, por edhe joshëse të lirisë. Kjo udhë i krijoi mundësitë shoqërisë shqiptare të niste ecjen e rindërtimit material e shpirtëror, të vinte në lëvizje shumë energji e nisma, të ishte e gatshme për bashkëpunim e shkëmbim me vendet afërta të Ballkanit e të Mesdheut, të Evropës e të mbarë botës.
Liria, të cilën e gjetët përsëri, ju ka lejuar ta shikoni ardhmërinë me besim e shpresë, të nisni projekte e të rilidhni marrëdhënie miqësore me kombet e afërta e të largëta.
Respektimi i të drejtave njrëzore, ndër të cilat spikat liria fetare dhe ajo e shprehjes së mendimit, është kushti paraprak për vetë zhvillimin shoqëror e ekonomik të një vendi.
Kur respektohet dinjiteti i njeriut dhe njihen e garantohen të drejtat e tij lulëzon edhe shpirti krijues e nismëtar, e personaliteti njerëzor mund t’i shpalosë nismat e veta në dobi të së mirës së përbashkët.
Ju përgëzoj posaçërisht për një karakteristikë fatlume të Shqipërisë, që duhet ruajtur me shumë kujdes e vëmendje; e kam fjalën për bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve të feve të ndryshme.
Klima e respektit dhe e besimit të ndërsjellë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve, është pasuri e çmueshme për vendin dhe fiton rëndësi të veçantë në kohën tonë, në të cilën grupet ekstremiste e shtrembërojnë kuptimin e vërtetë fetar dhe i përçudnojnë e instrumentalizojnë dallimet ndërmjet besimeve të ndryshme, duke i kthyer në faktorë të rrezikshëm përplasjeje e dhune, e jo në mundësi për dialog të hapur e të respektshëm, për persiatje të përbashkët rreth domethënies që ka besimi në Hyjin e zbatimi i ligjit të tij.
Askush të mos mendojë se mund të përdorë Hyjin si shqyt, kur sheston e kryen akte dhune e mujshie! Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për veprimet që bien në kundërshtim me dinjitetin e njeriut e me të drejtat e tij themelore, në radhë të parë me të drejtën e jetës dhe të lirisë fetare të të gjithëve!
Kjo që ndodh në Shqipëri tregon, përkundër, se bashkëjetesa paqësore dhe e frytshme ndërmjet njerëzve dhe bashkësive me përkatësi të ndryshme fetare jo vetëm që urohet, por është e mundur dhe e zbatueshme konkretisht. Bashkëjetesa paqësore ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare, në të vërtetë është pasuri e paçmueshme për paqen dhe zhvillimin e harmonishëm.
Është vlerë që duhet ruajtur e duhet ushqyer çdo ditë me edukimin për të respektuar dallimet dhe identitetet specifike të gatshme për dialog e bashkëpunim në dobi të të gjithëve duke e njohur dhe nderuar njëri- tjetrin.Ështe dhuratë që duhet t’ia lypim gjithmonë Zotit , në lutje. Uroj që Shqipëia ta vijojë këtë udhë duke u bërë për shumë vende shembulll frymëzimi.
Zoti President, pas dimrit të izolimit e të përndjekjeve , erdhi më në fund pranvera e lirisë. Përmes zgjedhjeve të lira e strukturave të reja insitucionale është përfocuar pluralizmi demokratik dhe kjo ka ndihmuar në rihapjen e veprimtarive ekonomike. Shumë vetë, veçanërisht në fillim të shtyrë nga kërkimi për punë e kushte më të mira jetese, morën rrugën e emigrimit dhe ndihmojnë si e sa munden për përparimin e shoqërisë shqiptare.
Shumë të tjerë i gjetën arsyet për të ndenjur në atdhe e për ta ndërtuar nga brenda . Mundimet dhe flijimet e tyre kanë ndikuar në përmirësimin e kushteve të përgjithshme.
Kisha Katolike nga ana e vet mundi të rinisë jetën normale duke rindërtuar hierarkinë e saj dhe duke rilidhur fijet e një tradite të lashtë.
U ndërtuan ose rindërtuan vendet e kultit, ndër të cilët spikat Shenjëtorja e Zonjës së Këshillit të Mirë në Shkodër, u hapën shkolla dhe qendra të rëndësishme edukimi e asistence në shërbim të të gjithë qytetarëve. Prania e Kishës dhe veprimi i saj shikohen me të drejtë, prandaj jo vetëm si shërbim ndaj bashksëisë katolike, por ndaj mbarë kombit.
E lumja Nënë Terezë bashkë me martirët që e dëshmuan fenë me heroizëm -atyre u takon mirënjohja jonë më e thellë e lutja jonë – sigurisht galdojnë në Qiell, për punën e burrave e të grave vullnetmira në rilulëzimin e shoqërisë dhe të Kishës në Shqipëri.
Mirëpo tani paraqiten të tjera sfida , që presin përgjigje. Në një botë që priret ndaj globalizmit ekonomik e kulturor, duhet bërë çdo përpjekje që rritja e zhvillimi të jenë në shërbim të të gjithëve e jo vetëm të një pjese të popullsisë. Gjithashtu ky zhvillim nuk do të jetë i vërtetë, nëse nuk do të jetë i përballueshëm dhe i barabartë, dmth nëse nuk do t’i ketë mirë parasysh të drejtat e të varfërve dhe nëse nuk do të respektojë mjedisin.
Globalizimit të tregut duhet t’i përgjigjet globalizimi i solidaritetit; rritja ekonomike duhet shoqëruar me më shumë respekt për botën e krijuar; bashkë me të drejtat individuale duhen mbrojtur edhe ato të realiteteve të ndërmjetme mes individit e shtetit me në krye familjen. Shqipëria sot mund të përballet me këto sfida në kornizën e lirisë dhe të stabilitetit që duhen përforcuar dhe që japin shumë shpresa për të ardhmen.
Falenderoj me gjithë zenmër secilin prej jush për mikpritjen e ngrohtë dhe si Shën Gjon Pali i II , në prill të 1993 , i lutem Marisë , Nënës së Këshillit të Mirë, ta mbrojë Shqipërinë dhe i besoj asaj shpresat e mbarë popullit shqiptar. Hyji dikoftë mbi Shqipërinë hirin dhe bekimin e vet!.